A Isha e Shpëtuar?
Shoqja ime Rakela më pyeti nëse do të shkoja në kishë me të. Ajo ishte aktive në besimin e saj dhe unë isha kureshtare të shihja se si ndryshonte kisha e saj nga e imja. U kërkova leje prindërve që të shkoja me të. Ata më thanë se, meqenëse shërbimi i saj i adhurimit nuk ishte në të njëjtën kohë me mbledhjen tonë, unë mund të shkoja.
Shumë gjëra në shërbesën e kishës së saj ishin të panjohura për mua: këngët dhe lutjet ishin të ndryshme; mënyra se si fliste predikuesi ishte e panjohur. Kur qarkulluan tabakanë e ofertave, unë nuk dija se çfarë të bëja.
Së fundi, predikuesi i kërkoi kujtdo nga pjesëmarrësit që nuk kishte pranuar botërisht Jezu Krishtin si Shpëtimtarin e tij ose të saj, të dilte përpara. Rakela më pëshpëriti, duke më nxitur të shkoja. Unë ngurroja. Në lagjen tonë, peshkopi nuk i kishte kërkuar kurrë askujt të dilte përpara dhe të pranonte botërisht Krishtin. Nuk dija çfarë të bëja. Ndoshta nuk kisha bërë diçka që ishte e rëndësishme për shpëtimin tim. U largova e hutuar nga mbledhja.
Ndërsa mendoja më vonë për këtë përvojë, kuptova se unë vërtet kisha pranuar botërisht Jezu Krishtin si Shpëtimtarin tim. Unë isha pagëzuar prej dikujt që ka autoritetin e priftërisë nga Jezu Krishti. Pagëzimi im ishte një besëlidhje me Atin Qiellor se do të merrja mbi vete emrin e Jezu Krishtit dhe do të isha dishepull i Tij. Unë premtova se do të mbaja urdhërimet e Tij dhe do të përpiqesha të jem si Ai. Në pagëzimin tim ishin të pranishëm mbajtës të priftërisë që vepruan si dëshmitarë, si dhe familja dhe anëtarë të lagjes.
Që nga pagëzimi dhe konfirmimi im, kam patur mundësinë që çdo të dielë të marr sakramentin dhe t’i dëshmoj edhe një herë Atit tim Qiellor se unë do të vazhdoj të marr mbi vete emrin e Krishtit.
Nganjëherë, të krishterë nga kisha të tjera mund të bëjnë të njëjtën pyetje ashtu si predikuesi i shoqes sime, vetëm të shprehur ndryshe. Ata mund të pyesin nëse ne jemi shpëtuar. Plaku Dallin H. Ouks, një anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na ka ndihmuar të kuptojmë dhe t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje: “Njerëzit e krishterë nganjëherë i bashkëngjisin kuptime të ndryshme disa termave kyçe të ungjillit si i shpëtuar ose shpëtim. Nëse përgjigjemi sipas asaj që ka ndoshta në mendje pyetësi ynë kur pyet nëse jemi ‘shpëtuar’, përgjigjja jonë duhet të jetë ‘po’1.
Unë ende po e ndërtoja dëshminë time për Jezu Krishtin kur shkova tek kisha e shoqes sime. Që atëherë kam kuptuar se, sa më shumë ta studioj ungjillin me anë të shkrimeve të shenjta dhe fjalëve të profetëve të gjallë, aq më e përgatitur jam dhe aq më shumë kam besim në vete që të qëndroj si dëshmitare e Perëndisë në të gjitha kohërat (shih Mosia 18:9).