24. Kapernaumi
Kapernaumi, i vendosur në bregdetin verior të detit të Galilesë, ishte qendra e shërbesës së Jezusit në Galile (Mt. 9:1–2; Mr. 2:1–5). Një qendër e rëndësishme dhe e suksesshme peshkimi dhe tregëtie, ai ishte shtëpia e johebrenjve si dhe e judenjve. Popullsia e shekullit të parë ndoshta kurrë nuk e kaloi 1.000 vetë. Kapernaumi ishte i vendosur në kryqëzimin e rrugëve të rëndësishme tregëtare, me toka pjellore që e rrethonin atë. Ushtarët romakë ndërtuan shtëpi banje dhe ndërtesa të tjera ruajtjeje këtu, duke kontribuar në strukturat shoqërore të organizuara me ndërtesa publike të ndërtuara mirë. Pavarësisht nga shumë mrekulli të kryera këtu, njerëzit në përgjithësi e mohuan shërbesën e Shpëtimtarit. Si rrjedhim, Jezusi e mallkoi qytetin (Mt. 11:20, 23–24). Me kalimin e kohës, Kapernaumi u shndërrua në rrënoja dhe mbetet i pabanuar.
Ngjarje Domethënëse: Kapernaumi njihej si “qyteti i vet” Shpëtimtarit (Mt. 9:1–2; Mr. 2:1–5). Ai kreu shumë mrekulli në atë vend. Për shembull, ai shëroi shumë vetë (Mr. 1:32–34), duke përfshirë shërbëtorin e centurionit (Llu. 7:1–10), vjehrrën e Pjetrit (Mr. 1:21, 29–31), të paralizuarin shtrati i të cilit u fut nëpërmjet çatisë (Mr. 2:1–12) dhe burrin me dorën e tharë (Mt. 12:9–13). Këtu Jezusi gjithashtu largoi shumë shpirtra të ligj (Mr. 1:21–28, 32–34), ngriti së vdekuri bijën e Jairit (Mr. 5:22–24, 35–43) dhe dha predikimin e bukës së jetës në sinagogë në Kapernaum (Gjo. 6:24–59). Shpëtimtari e drejtoi Pjetrin të kapte një peshk nga deti i Galilesë, t’i hapte gojën dhe të gjente një monedhë me të cilët të paguante një taksë (Mt. 17:24–27).