Të Fshehta dhe Surpriza
Autorja jeton në Ajoua, SHBA
A ishte e drejtë ta mbante të fshehtën e Kejtit?
“Shpirti i Krishtit i jepet çdo njeriu, që ai të dallojë të mirën nga e keqja” (Moroni 7:16).
“Ej, shihe!” Kejti ngriti një kukull letre të zhubrosur nga dyshemeja në dyqan. “Merre, fute në xhep.”
“Ti do që unë ta marr këtë?” pyeti Medi.
“Dyqani nuk mund ta shesë atë gjithsesi”, tha Kejti. “Ata thjesht do ta hidhnin në plehra. Ky është një mision shpëtimi. Ne po e shpëtojmë këtë kukull!”
Kejti i buzëqeshi Medit. Medi ia ktheu buzëqeshjen.
“Në rregull!” Medi e futi kukullën prej letre shkarazi në xhep. I dha një ndjesi të veçantë të ishte në një mision shpëtimi!
Gjithsesi, teksa dilnin nga dyqani, kukulla prej letre iu duk si një gur i rëndë në xhep. Kështu supozohet të ndihesh kur je në një mision shpëtimi?
Kur u kthyen në shtëpinë e Medit, Kejti e ngjiti me kujdes dhe e drejtoi kukullën prej letre aq mirë sa mundi.
“Çfarë lloj veshjesh duhet të bëj për të?” pyeti ajo, duke marrë një bojë dhjami. “Si thua për një fustan balloje të bukur?”
Medi tundi kokën me padurim. “Pastaj mund t’ia tregojmë mamit tim!”
“Jo! Ne nuk mund t’i tregojmë askujt”, tha Kejti. “Asnjëherë. Kjo është e fshehta jonë, në rregull? Më premto që nuk do tregosh.”
“Oh … mirë. Të premtoj”, tha Medi. “Por pse nuk mund të tregojmë?”
“Nëse tregon, mamaja jote do të zemërohej dhe mund të mos na lejojë më të luajmë bashkë.”
“Pse do të zemërohej ajo?” pyeti Medi. Stomaku iu trazua dhe iu rëndua.
Kejti e uli bojën e saj të dhjamit. “Nëse nuk tregon, unë do të ta lë ty kukullën dhe të gjitha veshjet që do të vizatoj për të.”
Tani, Medi e mori vesh pse u ndje aq në siklet. “Ne … e vodhëm, apo jo?” pëshpëriti ajo.
“Ej, ti ishte ajo që e fute në xhep dhe e nxore vjedhurazi nga dyqani.”
“Ngaqë më the ti!”
“Nuk të thashë unë!” tha Kejti. “Po shkoj në shtëpi përpara se të më futësh në telashe.” Ajo u ngrit dhe doli me vrap nga dera.
Pikërisht në atë moment mami erdhi në dhomë. “Pse u largua Kejti me aq nxitim?” Ajo e pa kukullën prej letre në duart e Medit. “Dhe nga doli ajo?”
Medi kafshoi buzën. Ajo nuk ndihej mirë po t’i mbante diçka të fshehtë mamit. Por, po sikur Kejti të kishte të drejtë dhe mami të zemërohej?
Ndjesia e ankthit në stomak nuk po i largohej. Ajo mori frymë thellë dhe e zbrazi të gjithë historinë.
“Kejti më tha të premtoja që do ta mbaja të fshehtë”, tha ajo. “Por kjo m’u duk e gabuar.”
Mami u ul në shtrat pranë saj. “Shumica e të fshehtave janë të gabuara. Veçanërisht nëse të thuhet që të mos i tregosh kurrë askujt. Nga ana tjetër, një surprizë, si një dhuratë ose festë, mund të jetë diçka e mirë. Ajo ka për qëllim të jetë zbavitëse për të gjithë.”
Medi pohoi me kokë. “Faleminderit që nuk u zemërove me mua”, tha ajo. “Kejti më tha se do të zemëroheshe.”
Mami e përqafoi fort. “Jam shumë mirënjohëse që e dëgjove Frymën e Shenjtë dhe më tregove të vërtetën.”
“A do të më çosh me makinë përsëri te dyqani që ta kthej kukullën?” pyeti Medi.
“Patjetër!” Mami buzëqeshi. “Dhe kur të kthehemi, mund të më ndihmosh të bëjmë një tortë si surprizë për babin.”
Medi qeshi. “Ja, kjo është diçka për të cilën mund të ndihem mirë!”