Receta e Re e Uinfredës
“Ne jetuam sipas mënyrës së lumturisë” (2 Nefi 5:27).
Çfarë mund të përfshinte Uinfreda në recetën e saj?
Uinfreda po ndihmonte jajën (gjyshen) për të bërë darkën.
“Mmm, e kam shumë qejf matoken [gjellë me banane]”, tha jaja.
“Edhe unë”, tha Uinfreda. “Është një nga gatimet e mia të parapëlqyera. Më pëlqejnë bananet e gjelbra. Dhe specat dhe domatet. Por pjesa më e mirë është salca.”
“Ngaqë salca i ndërthur të gjitha shijet në një të vetme”, tha jaja.
Ato vazhduan të prisnin perimet. Më pas Uinfreda psherëtiu.
“Jaja”, tha ajo, “si qëndron ti kaq e lumtur gjatë gjithë kohës?”
“Përpiqem të jem”, tha jaja. “Por nuk jam e lumtur gjatë gjithë kohës. Trishtimi është pjesë e jetës. A je e trishtuar ti tani?”
Uinfreda pohoi me kokë. “Më ka marrë malli për tatën (babin), sepse ai po punon shumë larg. Më ka marrë malli dhe për shkollën sepse nuk mund të shkojmë atje tani. Dhe më ka marrë malli për shokët e mi në kishë.”
“Është normale të ndihesh e trishtuar për këto gjëra”, tha jaja. “Jeta nuk është gjithmonë e lehtë. Por kur jam e trishtuar, unë përpiqem të ndjek recetën time për lumturinë.”
“Recetën tënde?”
“Ashtu siç kam një recetë për matoken, kam një recetë për lumturinë. Ndonjëherë trishtimi është tepër i madh për të kaluar menjëherë. Por shpesh, më duket se receta ime është pikërisht ajo që më nevojitej për t’u ndier më mirë.”
“Cila është receta jote?”
Jaja buzëqeshi. “Pse nuk sheh a mund të sajosh një recetë për veten tënde? Pastaj mund të më tregosh për të.”
Atë natë kur Uinfreda u lut, ajo e dinte se Ati Qiellor po dëgjonte. Ajo e kuptoi se lutja e bënte atë të lumtur! Ajo mori një fletë letre dhe shkroi: Recetë e Uinfredës për Lumturinë. 1. Lutu. Më pas ajo ra në gjumë.
Mëngjesin e nesërm ajo lexoi Librin e Mormonit. Edhe leximi i shkrimeve të shenjta e bënte atë të lumtur. Gjeti letrën e saj dhe shkroi: 2. Lexoji shkrimet e shenjta. Më pas pa shkrimin e shenjtë ku e kishte hapur librin: “Besoni në Krisht” (2 Nefi 33:10).
Uinfreda shtoi një shënim tjetër: 3. Ki besim te Jezu Krishti.
Uinfreda mendoi rreth faktit sa e mirë u tregua jaja që e la të shkonte për vizitë tek ajo. Uinfreda e gjeti jajën dhe i tha: “Faleminderit që më le të rri tek ti”.
Të thënit faleminderit e bëri Uinfredën të ndihej mirë. Ajo shkroi prapë te letra e saj: 4. Ji mirënjohëse.
Pastaj Uinfreda i pyeti fqinjët a mund të vinin fëmijët e tyre më të vegjël për të luajtur. Ajo mori me vete motrën e saj të vogël Milfredën dhe vëllanë e saj të vogël Alfredin. Kur mbaruan lojën, ajo i ftoi fëmijët të lexonin me të. Jaja preu një shalqi që ta hanin të gjithë.
Më vonë, Uinfreda shkoi për vizitë te shoqja e saj që quhej Hepi [Lumturie]. Së bashku, ato lanë enët për nënën e Hepit [Lumturies]. Pastaj ato pastruan dyshemenë. Ishte zbavitëse të ndihmoje!
Kur erdhi mbrëmja, Uinfreda ndihmoi vëllezërit e motrat e saj të bënin detyrat e shtëpisë. Studioi alfabetin me Milfredën. E ndihmoi Alfredin për matematikën.
Atë natë, Uinfreda foli përsëri me jajën.
“Ndihem shumë më mirë sot! Mendoj se e gjeta recetën time për lumturinë.”
“Mrekulli! Ma trego”, tha jaja.
“Receta e Uinfredës për Lumturinë” lexoi ajo. “1. Lutu. 2. Lexoji shkrimet e shenjta. 3. Ki besim te Jezu Krishti. 4. Ji mirënjohëse.”
“Kjo është një recetë e mrekullueshme”, tha jaja. “Por mendoj se mund të kesh harruar diçka. Çfarë tjetër të lumturoi sot?”
Uinfreda u mendua një minutë. “Epo, u zbavita duke luajtur me fëmijët e vegjël. Dhe kur ndihmova Hepin [Lumturien] dhe nënën e saj. Dhe kur studiova me Milfredën dhe Alfredin. Prit … kjo është! Të ndihmoj të tjerët është përbërësi i fundit.”
“Ashtu është”, tha jaja. “Shërbimi ndaj të tjerëve është si salca – i ndërthur të gjitha gjërat e tjera të mira në një të vetme.”
“Kjo është një recetë e mirë.” Uinfreda vuri buzën në gaz. “Dua ta provoj prapë nesër.”
Kjo ngjarje ndodhi në Kampala në Ugandë.