Pionierë në Çdo Vend
Vahai Tonga
Shembull në Tonga
Autoret jetojnë në Uaikato, Zelandë e Re; dhe Jutë, SHBA.
Vahai vazhdonte të lutej dhe një ditë gjërat ishin ndryshe.
Vahai u gjunjëzua pranë shtratit për të bërë lutjen. Ishte nata e tij e parë në shkollën me konvikt dhe ai ishte në një dhomë me shumë djem të tjerë. Asnjëri nga ata nuk ishte anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme siç ishte ai.
“I dashur Atë Qiellor …” filloi të lutej Vahai në zemrën e tij. Por nuk ishte e lehtë. Djemtë e tjerë po flisnin e po qeshnin me zë të lartë.
“Ej, shiko!” bërtiti një prej shokëve të tij të dhomës, Akau. “Ai po lutet!”
Vahai lëvizi nga sikleti. Ai e dinte se Akau po e vinte në lojë. Por bëri sikur nuk e dëgjoi atë. Ai thjesht vazhdoi të lutej.
Kur Vahai mësoi për herë të parë rreth ungjillit, as gjyshërve të tij nuk u kishte pëlqyer shumë Kisha. Vahai kishte shkuar në Fillore me dajën ose shokët e tij.
Kur mbushi 12 vjeç, ai vendosi të pagëzohej. Gjyshërit e tij nuk ishin shumë të lumtur në fillim. Por më pas gjyshja tha: “Nga tani e tutje, ti je anëtar i asaj kishe. Duam që të qëndrosh besnik.”
Tani që Vahai ishte larg me shkollë, ishte i vendosur të bënte pikërisht atë. Ndaj ai vazhdonte të lutej. Madje edhe kur djemtë e tjerë e vinin në lojë.
Një natë, kur Vahai u gjunjëzua, dëgjoi diçka ndryshe.
“Ej, rrini urtë! Vahai po lutet”, tha dikush.
Vahai e mbaroi lutjen dhe i hapi sytë.
Akau po qëndronte ulur në shtratin e vet. “Kjo është shumë e rëndësishme për ty, apo jo?”
Vahai pohoi me kokë. “Po, ashtu është.”
Pas kësaj, djemtë e tjerë mbanin qetësi sa herë lutej Vahai. Shpejt, Akau filloi të gjunjëzohej me të. Edhe djemtë e tjerë u bashkuan me të. Përfundimisht, të gjithë djemtë në dhomë u gjunjëzuan për t’u lutur me Vahain çdo natë.
Vahai ndihej i lumtur. Ai nuk kishte bërë kurrë lutje familjare në shtëpi. Por tani ai mund të bënte lutje familjare me shokët e tij të shkollës!
Një ditë, Vahait i erdhi një ide. Një mbledhje e madhe në Kishë po afrohej. Ai mund të ftonte shokët e tij!
Pas lutjes, Vahai u tha të gjithëve rreth mbledhjes. “Quhet konferencë distrikti”, tha ai. “Njerëzit vijnë për të mësuar rreth Jezusit. Ju mund të vini të gjithë, nëse dëshironi!”
Duke qenë se atyre do t’u duhej të largoheshin nga shkolla për të shkuar në mbledhje, secili nga djemtë duhej të nënshkruante një letër për të marrë leje. Vahai u mahnit kur pa letrën. Kishte 77 emra në listë!
Vahai ndjeu ngrohtësi në zemër kur u ul e u mbushën rreshta me shokët e klasës dhe i dëgjoi bisedat në konferencë. Edhe Akau dhe disa nga të tjerët duhet të kenë ndier ngrohtësi së brendshmi. Nga fundi i konferencës, shtatë prej tyre donin të pagëzoheshin!
Atë natë pas lutjes me shokët e tij, Vahai bëri një lutje më vete. “Faleminderit që më bekove me shokë të mirë”, i tha ai Atit Qiellor. “Dhe që më ndihmove të isha një shembull i mirë.”