Pionierë në Çdo Vend
Dinisi Gjen Përgjigje
Dysheku i krevatit marinar nxori një tingull të çjerrë teksa Dinisi u rrotullua në shtrat. Ishte vërtitur tërë natën në shtrat. Por thjesht s’mund të flinte!
Po sikur misionarët ta kishin gabim? – mendoi Dinisi. Po sikur kjo të mos jetë aspak kisha e vërtetë? Po sikur të jem në shtegun e gabuar? Pyetjet vazhdonin ta shqetësonin.
Familja e Dinisit u bashkua me Kishën para dy vjetësh, kur ai ishte 10 vjeç. Kur misionarët u dhanë mësim fillimisht, Dinisi e kishte ndier menjëherë se ajo që po u mësonin ishte e vërtetë. Dinisi dhe familja e tij ishin disa nga anëtarët e parë që u bashkuan me Kishën në Portugali. Dinisi ishte një pionier!
Por kohët e fundit kishte filluar të shqetësohej. Po sikur pagëzimi të mos ishte zgjedhja e duhur?
Dinisi nuk i tregoi askujt se ishte i shqetësuar. As vëllezërve apo motrës së tij. Madje as prindërve të tij. Por sonte, kjo ishte gjithçka për çfarë mund të mendonte.
Dinisi psherëtiu. Hodhi vështrimin nga cepi i krevatit. Vëllezërit po flinin për bukuri në shtratin e poshtëm. Dinisi ishte vetëm.
E dinte se kishte nevojë të pyeste Perëndinë nëse Kisha ishte e vërtetë. U gjunjëzua në mes të shtratit të vet. Përkuli kokën dhe filloi të lutej.
“Të lutem, Perëndi”, – tha Dinisi me zë të ulët. “Më bëj ta di nëse Jozef Smithi vërtet të pa ty dhe Jezusin.”
Dinisi ishte lutur shumë herë më parë. Por këtë herë ishte ndryshe. Dinisi kishte nevojë ta dinte me të vërtetë. Ai u lut më shumë se ndonjëherë për ndihmë.
“Nuk dua ta kem gabim”, – pëshpëriti ai. “Thjesht dua të di atë që është e drejtë.”
Atëherë Dinisi ndjeu diçka. Ndjenja ishte e fortë dhe e ngrohtë. U rrit derisa e ndjeu në të gjithë trupin e tij. U ndie sikur mund të shpërthente nga gëzimi.
Dinisi e dinte se ndjenja ishte nga Fryma e Shenjtë. Perëndia i qe përgjigjur pyetjes së tij! Misionarët kishin të drejtë. Jozef Smithi ishte vërtet një profet. Dhe pagëzimi nuk ishte thjesht një zgjedhje e mirë. Ishte zgjedhja më e mirë.
Dinisi u shtri në shpinë dhe pa tavanin. Shqetësimet iu larguan. E tërhoqi batanijen pranë vetes. Përpara se ta kuptonte, e zuri gjumi.
Ndërsa Dinisi rritej, ai gjithmonë sillte ndërmend natën kur u lut në shtratin e tij. E dinte se ishte në shtegun e duhur si anëtar i Kishës së Jezu Krishtit. Dhe Ai e dinte se Ati Qiellor gjithmonë do t’i dëgjonte lutjet e tij.