“Dashamirësi në Rrotullame”, Miku, mars 2023, f. 28–29.
Dashamirësi në Rrotullame
Damieni dëshironte që të mos i kishte bërtitur motrës së tij.
Kur Damieni hyri në park, ai dëgjoi që po luhej një muzikë gazmore. Gjyshja e tij po e çonte atë dhe motrën e tij të vogël, Adelën, për të bërë xhiro në rrotullamen e tij të parapëlqyer. Kishte një lojë argëtuese me unaza. Damieni ishte shumë i emocionuar që t’i tregonte Adelës se si të luante.
Shpejt ata u futën në radhë. Rrotullamja ishte e madhe dhe shumëngjyrëshe, me shumë kalushë të gdhendur. Fëmijë të buzëqeshur, ishin ulur te kalushët dhe përshëndetnin me dorë teksa rrotulloheshin në karusel.
“Po zgjodhe një kalush në anë, mund të luash lojën me unaza!” – i tha Damieni Adelës. “A i sheh shkopinjtë që po mbajnë fëmijët? Dhe a e sheh atë burrin me unazat?”
Damieni tregoi me gisht punonjësin. Ai rrinte afër rrotullames duke zgjatur një unazë. Teksa bënin xhiro me rrotullame, fëmijët përpiqeshin ta fusnin shkopin brenda unazës për ta kapur atë. Sa herë që kapnin një unazë, punonjësi nxirrte një tjetër.
Adela përplasi duart. “Dua t’i kap të gjitha unazat!” – tha ajo.
Më në fund arritën në krye të radhës te rrotullamja. Por kishte mbetur vetëm një kalë në rrotullame.
“Damien”, – i tha Grand-mère [gjyshja]: “Pse mos ta lëmë Adelën ta zërë këtë vendin e fundit meqë nuk ka hipur asnjëherë më parë? Ti mund të hipësh në xhiron tjetër.”
“Dakord”, – murmuriti Damieni. Ai e pa punonjësin që po e ndihmonte Adelën të hipte në kalushin vezullues ngjyrë kafe. Pastaj punonjësi i dha Adelës një shkop për të kapur unazat.
Muzika filloi dhe rrotullamja nisi të lëvizte. Damieni qëndronte anash me Grand-mère [gjyshen] duke parë Adelën. Por Adela po e mbante shkopin mbrapsht! Në vend që ta mbante shkopin te doreza e madhe, ajo e mbante në majë të pjesës së hollë të bishtit të gjatë që përdorej për të kapur unazat.
“Adela, ktheje nga ana tjetër shkopin!” – bërtiste ai. Por Adela dukej se nuk po e dëgjonte nga zhurma. Kur kaloi pranë unazës, shkopi e saj e preku atë. Por doreza ishte shumë e madhe për t’u futur brenda unazës.
“Adela, shkopin!” – u përpoq sërish Damieni. “Nuk do t’i kapësh dot unazat po e mbajte shkopin ashtu!”
Por Adela nuk e dëgjoi atë. Ajo thjesht buzëqeshte dhe qeshte kur lëvizte rrotullamja. Ajo e prekte vazhdimisht me shkop unazën. Nuk kapi as edhe një unazë.
Damieni shfrynte nga inati. Adela po e çonte dëm radhën e saj! Po të ishte ai në rrotullame, do t’i kapte të gjitha unazat.
Kur xhiroja mbaroi, ai vrapoi tek Adela.
“Të thashë se si ta mbaje shkopin!” – bërtiti ai. “Pse nuk më dëgjove? E bëre komplet gabim!”
Adela nuk ia ktheu me të bërtitur Damienit. Ajo nuk qau. Ajo thjesht qëndroi aty dhe dukej e vogël, e vogël fare.
Damienit i rrihte zemra fort dhe ishte skuqur në fytyrë. E kishte zemëruar shumë fakti që e pa Adelën t’i humbiste të gjitha ato unaza! Por kjo qe vetëm hera e parë për të. Për më tepër, ajo dukej sikur po argëtohej. Deri tani.
Damieni u ndje tmerrësisht keq. Do të dëshironte që të mos i kishte bërtitur Adelës.
“Më vjen keq”, – tha ai butë. “U tregova i ashpër.”
Adela ngriti sytë.
“Si thua të të jap disa këshilla se si t’i kapësh unazat?” – tha Damieni. “Do të ulem afër teje te rrotullamja dhe do të të ndihmoj.”
Adela tundi kokën.
Pastaj Damieni u kthye nga Grand-mère [gjyshja]. “A të blejmë dhe dy bileta që ta provojë Adela përsëri?”
Grand-mère [Gjyshja] buzëqeshi. “Patjetër!”
Kjo histori ndodhi në Francë.