2023
Problemi me të Dhënit
Mars 2023


“Problemi me të Dhënit”, Miku, mars 2023, f. 36–37.

Problemi me të Dhënit

“Të dhënit nga pjesa jote është një mënyrë për t’i treguar dikujt që interesohesh për të.”

Pamja
Vëllezër duke i dhënë njëri‑tjetrit kokoshka dhe sushi

Kërr, kërr, kërr. Endrju i gëlltiti kokoshkat e veta dhe mbushi edhe një tas tjetër.

Vëllai i tij më i madh Kalebi, u ngjesh në divan pranë tij. “Ej, të marr ca?”

Endrju nuk i hoqi sytë nga televizori. “Jo.”

“Hë, tani. Mund të më japësh ca.”

Kalebi u zgjat tek tasi, por Endrju e hoqi vrullshëm.

“Jo! Ta thashë edhe më parë. Mos më kërko më!”

“Epo mirë!” Kalebi u ngrit dhe doli nga dhoma.

Të nesërmen, Endrju hyri në kuzhinë. Kalebi po bënte ca sushi me oriz, alga dhe mish derri të konservuar.

Endrjut i shkoi goja lëng. “A të marr pak?”

“Jo”, – i tha Kalebi.

Kjo gjë e mërziti shumë Endrjun. Ai zbriti poshtë me vrap për t’i treguar babit.

“Pse bëhet kaq egoist Kalebi?” – pyeti ai.

Babi rrudhi vetullat. “Dje pashë që ti nuk deshe t’i jepje nga kokoshkat e tua. Pse duhet të të japë ty Kalebi kur ti nuk i dhe atij?”

“Sepse është vëllai im!” – tha Endrju.

“Atëherë, po ti pse nuk i dhe?”

“Po as ai nuk më jep mua ndonjëherë! Pastaj, i bëra për vete, jo për të”, – tha Endrju. Por atij i erdhi pak keq. Mbase u tregua egoist që nuk i dha.

“A e dije që në Kore, të dhënit nga pjesa jote është vërtet diçka e rëndësishme?” – e pyeti babi. Familja e Endrjut ishte nga Koreja. “Të dhënit nga pjesa jote është një mënyrë për t’i treguar dikujt që interesohesh për të. Pra, nëse nuk jep, është sikur të thuash se nuk të intereson ai person.”

“Po unë vërtet interesohem për Kalebin.”

Endrju mendoi për atë që mund të bënte Jezusi. Atij iu kujtua se si Jezusi i deshi të gjithë njerëzit – edhe ata që nuk ishin të mirë me Të.

“Mendoj se do t’i jap nga pjesa ime nesër Kalebit dhe të shoh se si do të shkojë”, – i tha ai babit.

Babi buzëqeshi. “Mendoj se është ide e mirë.”

Kur Endrju ra të flinte atë natë, ai mendoi edhe për gjëra të tjera të mira që mund të bënte për Kalebin. Ishte i emocionuar që do të fillonte t’i jepte nga pjesa e vet.

Mëngjesin tjetër, Endrju mori një surprizë. Kalebi e kishte përgatitur mëngjesin enkas për të.

“Babi më foli për të dhënit”, – tha Kalebi. “Dua të sillem më mirë. Kështu që e përgatita këtë për ty.”

“Faleminderit!” – tha Endrju. “Edhe unë dua të sillem më mirë.”

Më vonë atë ditë, Endrju dhe Kalebi panë një film. Endrju e la Kalebin që ta zgjidhte ai filmin. Pastaj përgatiti kokoshka enkas për Kalebin! Ai pa brenda tasit. Ishte sikur kokoshkat po thoshin: “MË HA!” Por Endrju nuk mori asnjë. Ai ia dha Kalebit tasin dhe i tha: “Ky është i gjithi për ty! Më fal që nuk të kam dhënë më përpara.”

Endrju i dha nga pjesa e vet Kalebit gjithë javën. Ai e la Kalebin të lexonte librat e tij. E la Kalebin që të përdorte lapsat e tij. E la Kalebin të luante me lodrën e tij të parapëlqyer. Ai i dha Kalebit madje një radhë shtesë kur po luanin një lojë.

Sa më shumë Endrju i jepte Kalebit, aq më shumë i jepte Kalebi atij. Shpejt filluan të bënin gjëra të mira për njëri‑tjetrin gjatë gjithë kohës. Endrju e dinte se Ati Qiellor po e ndihmonte që t’i jepte nga pjesa e vet vëllait të tij. Endrju nuk ishte i përkryer si Jezusi, por ai po përpiqej të ishte çdo ditë e më shumë si Ai.

Kjo histori ndodhi në SHBA.

Pamja
historia në formatin PDF

Ilustrimi nga Adam Howling

Shtyp në Letër