“Lutja për Tërmetin”, Miku, mars 2022, f. 4–5.
Lutja për Tërmetin
Kur Violeta u zgjua, çdo gjë po lëkundej!
Kjo histori ndodhi në Peru.
Violeta ishte në gjumë kur e zgjoi një tingull gjëmues. Në fillim, ajo mendoi se ishte bubullimë.
Por tingulli gjëmues sa vinte e bëhej më i fortë. I tundi dritaret e dhomës së saj të gjumit.
Violeta u ngrit ndenjur me të shpejtë. Ishte një tërmet!
Ajo dhe familja e saj s’kishin shumë që ishin shpërngulur në Peru. E dinte se tërmetet ndodhnin shpesh aty. Ajo dhe familja e saj ishin përgatitur dhe ishin ushtruar për atë se çfarë të bënin. Por kjo ishte shumë më e frikshme nga çfarë kishte menduar ajo. E ndiente që i lëkundej trupi!
Violeta vrapoi për te kuzhina dhe u fut poshtë tryezës. Pak sekonda më vonë, me të u bashkuan edhe i vëllai me motrën. Po ashtu edhe mami me babin.
“Ju lumtë që e kujtuat atë që ushtruam”, – tha babi. “A jeni mirë të gjithë?”
Vëllai dhe motra e Violetës tundën kokën.
Mirëpo Violeta kishte frikë. Ajo mbylli sytë. Ishte e vështirë t’i shpërfillje lëkundjet rrotull saj.
Pastaj Violetës iu kujtua të lutej. Ajo i kryqëzoi krahët dhe e uli kokën. “Atë i dashur Qiellor”, – pëshpëriti ajo, “të lutem kujdesu për familjen time.”
Violeta vazhdonte të lutej. Ajo ndjeu sikur dikush po i jepte një përqafim. Kur mbaroi, ajo vështroi lart. Mami dhe babi i kishin krahët të kryqëzuara. Po ashtu edhe i vëllai me të motrën. Ata të gjithë po luteshin! Toka ende lëkundej. Por Violeta ndjeu paqe në zemrën dhe mendjen e saj.
Më në fund, lëkundjet ndaluan. Violeta dhe familja e saj qëndruan poshtë tryezës edhe pak më gjatë, thjesht për siguri.
“Si ndihesh?” – e pyeti mami Violetën.
“Mirë”, – tha Violeta. “Në fillim kisha shumë frikë. Por lutja më ndihmoi të ndihem më mirë.” Ajo i dha mamit një përqafim. Ishte e lumtur që Ati Qiellor e kishte ndihmuar të ndiente paqe.