“Vetëm Liliana”, Miku, mars 2023, f. 40–41.
Vetëm Liliana
Liliana nuk donte të ishte vetëm ajo tek Të Rejat.
Sot ishte dita e fundit e Lilianës në Fillore. Lilianën do ta merrte malli për fëmijët e tjerë të Fillores. Ishin vetëm tri veta – dy vajza më të vogla dhe vëllai i saj i vogël, Majkëlli.
“Si ndihesh që po kalon tek Të Rejat?” – e pyeti mësuesja e saj e Fillores.
“Mezi pres të shkoj në klasë te vajzat më të mëdha!” – tha Liliana.
“Jam e lumtur që je e emocionuar”, – i tha mësuesja. “Kush tjetër do të jetë me ty tek Të Rejat?”
Liliana mendoi për vajzat më të mëdha në lagje. Samëri dhe Kova sapo kishin mbaruar shkollën e mesme. Dhe familja e Melvinës ishte shpërngulur. Prit. Do të thoshte … vetëm Liliana.
Si do të ishte klasa e saj e Të Rejave? Vetëm ajo me mësuesen? Dukej situatë e çuditshme dhe vetmitare. Të menduarit për këtë e bënte Lilianën nervoze. Ajo rrudhi vetullat. Nuk donte të ishte vetëm ajo tek Të Rejat.
Pjesën tjetër të ditës, Liliana mendoi për faktin se ishte e vetmja e re. Në vaktin e darkës, ajo e lëvizte ushqimin në pjatë pa e ngrënë atë. Mezi nxirrte zë kur i vinte radha për të lexuar gjatë studimit familjar të shkrimeve të shenjta.
Mami i uli shkrimet e shenjta. “Çfarë ka?” – pyeti ajo.
Liliana psherëtiu. “Do të jem krejt e vetme tek Të Rejat!”
Mami shkoi për t’u ulur pranë Lilianës. Ajo i dha asaj një përqafim. “Kjo nuk do të jetë e lehtë”, – tha ajo. “Çfarë mund të bëjmë për të të ndihmuar?”
Liliana u mendua për një çast. “Ndoshta mund të lutemi që të vijë ndonjë vajzë tjetër në lagjen tonë. Dhe ndoshta babi mund të më japë një bekim.”
Babi buzëqeshi. “Këto janë ide të shkëlqyera!”
Familja u gjunjëzua për t’u lutur. “Atë Qiellor”, – filloi Liliana, “jam e lumtur që po kaloj tek Të Rejat. Nuk dua të jem e vetme, por nëse ky është vullneti Yt, nuk ka problem. Të lutem më ndihmo të di se çfarë mund të bëj për t’u ndier më mirë. Dhe nëse Ti dëshiron që të frymëzosh një familje me një vajzë të moshës sime për të ardhur në lagjen tonë, edhe kjo do të ishte e mrekullueshme.”
Pas lutjes, babi ia vendosi duart mbi kokë. “Unë të bekoj që ti të ndiesh paqe teksa kalon tek Të Rejat”, – tha ai. “Ati Qiellor do të të bekojë kur i kërkon ndihmë Atij.”
Liliana vërtet ndjeu paqe. Ende nuk ishte e sigurt se çfarë mund të bënte për ta bërë kalimin tek Të Rejat më të lehtë. Por ajo e dinte gjithashtu se Ati Qiellor do ta ndihmonte.
Të dielën, Liliana ishte ende pak nervoze. Por asaj iu kujtua paqja që ndjeu pas bekimit të babit të saj. E dinte se do të ishte mirë.
Në mbledhjen e sakramentit, peshkopi lajmëroi se motra Barns do të ishte presidentja e re e Të Rejave. Motra Barns u ngrit në këmbë kur iu thirr emri. Liliana nuk e njihte mirë atë, por ajo dukej miqësore.
Mami i kishte thënë se kur ishte në moshën e Lilianës, udhëheqësja e saj e Të Rejave u bë njëra nga miket e saj më të mira. Ndoshta Liliana dhe motra Barns mund të bëheshin mikesha! Kjo qe një përgjigje për lutjen e saj.
Pas mbledhjes së sakramentit, Liliana shkoi në klasën e saj të re. Një vajzë më e madhe po qëndronte në korridor.
“Përshëndetje!” – tha Liliana. “Po viziton lagjen tonë?”
Vajza tundi kokën. “Jo. Familja jonë sapo u shpërngul këtu.”
Liliana buzëqeshi. “Mirë se erdhe në lagjen tonë. Kjo është dita ime e parë tek Të Rejat.” Ajo dhe vajza u ulën në klasë. “Meqë ra fjala, quhem Liliana.”
“S’ka mundësi!” – tha vajza e re. “Edhe unë quhem Liliana!”
Liliana qeshi. Ati Qiellor i ishte përgjigjur sërish lutjes së saj! Fundja, ndoshta të qenit tek Të Rejat nuk do ta bënte që të ndihej dhe aq e vetmuar.
Kjo histori ndodhi në Australi.