2023
Libri me Dinozaurë
Mars 2023


“Libri me Dinozaurë”, Miku, mars 2023, f. 22–23.

Libri me Dinozaurë

Sofia rrudhi vetullat. E pse nuk mund t’i pëlqente edhe ajo dinozaurët?

Djalë duke folur me një vajzë që po mban një libër

Sofia dhe Elli ishin binjake dhe ishin shoqe të ngushta. Atyre u pëlqenin gjëra të ndryshme, por kjo e bënte edhe më zbavitëse! U pëlqente shumë të luanin bashkë.

Një ditë në shkollë, Sofia mori nga biblioteka një libër me dinozaurë. Ishte e emocionuar që do t’ia tregonte Ellit.

“Nuk mund ta lexosh atë”, – i tha Timi, një djalë në klasën e saj.

“Pse jo?” – e pyeti Sofia.

“Është libër për djem”, – i tha ai. “Dinozaurët janë për djemtë.”

Sofia rrudhi vetullat. E pse nuk mund t’i pëlqente edhe ajo dinozaurët? Ajo e futi librin në çantën e shpinës. Do ta lexonte atë gjithsesi.

Gjithë ditën, Sofia mendoi për atë që i kishte thënë Timi. Ajo ishte ende e zemëruar kur u kthye në shtëpi nga shkolla.

“Çfarë ka?” – e pyeti mami.

“Timi më tha se nuk mund të lexoj libra me dinozaurë”, – tha Sofia. “Ai tha që dinozaurët janë vetëm për djemtë. Nuk është e vërtetë, apo jo?”

“Patjetër që jo”, – i tha mami.

Sofia uli sytë poshtë. “Po atëherë, pse e tha Timi atë?”

“Ndoshta nuk njeh ndonjë vajzë tjetër që i pëlqejnë dinozaurët”, – i tha mami. “Por Ati Qiellor nuk na ka bërë të gjithëve njësoj. Dhe Ai do që ne të jemi dashamirës me njëri‑tjetrin.”

Mami i dha Sofies një përqafim. “Më vjen keq që Timi të ka trajtuar ashtu, por Ati Qiellor të do. Po kështu të dua edhe unë.”

“Faleminderit mami”, – tha Sofia. Tani ndihej shumë më mirë.

“Do të flas me mësuesen tënde për këtë, në rregull?” – tha mami.

Sofia pohoi me kokë. “Në rregull.”

Sofia shkoi të luante me Ellin. Ato krijuan një lojë që quhej Princeshat Super Pilote, ku kukullat e Ellit ishin pilote të makinave të garave. Garueset ishin fare pranë, por Princesha Leopard Vetëtima ishte fituesja! Sofia dhe Elli brohoritën.

“A do ta shohësh librin me dinozaurë që mora sot?” – e pyeti Sofia.

“Sigurisht!” – tha Elli.

Sofia buzëqeshi. Ishte e lumtur që gjithmonë zbavitej me Ellin.

Të nesërmen, mësuesja e Sofies kishte një lajmërim. “Klasa”, – tha ajo, “dua t’ju them diçka. Nuk është problem të pëlqesh gjëra të ndryshme. Të gjithë librat dhe lodrat tona janë për çdonjërin prej jush.”

Sofia ishte kaq e emocionuar! Në kohën e leximit, ajo e nxori librin me dinozaurë nga çanta e shpinës.

Timi erdhi në bankën e saj. “Më fal që të thashë se ti nuk e lexon dot atë libër”, – tha ai. “Edhe mua më pëlqejnë dinozaurët.”

“Nuk ka problem”, – tha Sofia. “A do të lexosh me mua?”

“Sigurisht!” Timi u ul pranë saj. “Faleminderit.”

Sofia e hapi librin. Ajo dhe Timi ishin ndryshe, por ishte gjë e bukur ta lexonte atë me një mik të ri.

Kjo histori ndodhi në SHBA.

historia në formatin PDF

Ilustrimi nga Mark Robison