“Mbajtja e Premtimit të Tij”, Miku, mars 2023, f. 10–11.
Mbajtja e Premtimit të Tij
Sapo e gënjeva babin. Po tani?
Kjo ngjarje ndodhi në Ganë.
“Kanë mbetur vetëm gjashtë ditë deri në pagëzimin tim!” – tha Hepinesi. Dita po afronte!
“A je gati?” – e pyeti babi.
“Mendoj se po”, – tha Hepinesi.
“Kur pagëzohesh ti bën një besëlidhje”, – tha babi. “A e mban mend se ç’do të thotë kjo?”
“Është një premtim, apo jo?”
Babi tundi kokën. “Po! Ti premton që ta ndjekësh Jezu Krishtin dhe t’i zbatosh urdhërimet. Ati Qiellor premton të të bekojë dhe ndihmojë.”
Hepinesi buzëqeshi. Ai e dinte që ishte një premtim i rëndësishëm. Ishte i emocionuar që do të pagëzohej!
Më në fund erdhi dita e pagëzimit. Hepinesi veshi rrobat e bardha. Do të pagëzoheshin edhe dy fëmijë të tjerë. Të gjithë vështronin teksa vaska e pagëzimit po mbushej me ujë.
Kur i erdhi radha, Hepinesi dhe babi hynë te vaska. Babi tha lutjen e pagëzimit. Pastaj Hepinesi zuri hundët dhe babi e zhyti poshtë në ujë.
Kur doli nga uji, Hepinesi u ndje shumë mirë brenda vetes. Ai donte ta mbante premtimin e tij për ta ndjekur Jezusin. Donte të ndihej përherë po aq i pastër dhe i gëzuar. Nuk donte më të bënte asnjë zgjedhje të gabuar.
Disa ditë më vonë, Hepinesi u zgjua dhe ndezi ngrohësin e ujit për të bërë dush. U desh një kohë e gjatë që të ngrohej uji. Kështu që Hepinesi ndezi televizorin. Ai donte të shihte filma vizatimorë ndërkohë që priste.
Hepinesi qeshte teksa shihte kafshët që flisnin në ekran. Kjo shfaqja ishte shumë zbavitëse. Shpejt ai e harroi fare ngrohësin e ujit.
Një orë më vonë, babi hyri në dhomë. “Sa kohë ka që është ndezur ngrohësi i ujit?”– e pyeti ai.
Hepinesi e vështroi në sy. Ai kishte parë televizor më gjatë sesa kishte pasur ndërmend.
“Jo për shumë kohë”, – tha Hepinesi. “Vetëm disa minuta.” E fiku televizorin dhe vrapoi për të bërë dush.
Por për pjesën tjetër të ditës, Hepinesi u ndje keq brenda vetes. Pas pagëzimit të tij ai donte që të mos bënte kurrë zgjedhje të gabuara. Por ai sapo e kishte gënjyer babin!
Hepinesi psherëtiu. E dinte se ç’duhej të bënte.
“Ej, babi”, – tha Hepinesi. “Thashë një gënjeshtër. E lashë për një kohë të gjatë ndezur ngrohësin e ujit, por nuk e bëra me qëllim. Më vjen keq.”
“Në rregull. Faleminderit që ma the”, – tha babi.
“Ndihem shumë keq sepse e shkela premtimin tim të pagëzimit”, – tha Hepinesi.
Babi u ul me Hepinesin në divan. “Kur ti u pagëzove, nuk premtove se do të jesh i përkryer. Premtove se do të përpiqesh fort për ta ndjekur Jezusin.”
Hepinesi tundi kokën. Kjo e bëri që të ndihej pak më mirë.
“Dhe a e di se çfarë mund të bësh kur bën një zgjedhje të gabuar?” – e pyeti babi.
“Të pendohem?”– tha Hepinesi.
“E saktë! Kur ne pendohemi, Ati Qiellor na fal. Atëherë ne mund të jemi po aq të pastër sa ishim ditën kur u pagëzuam. Pendimi është pjesë e mbajtjes së premtimit tënd të pagëzimit.”
Hepinesi vuri buzën në gaz. “Do t’i lutem dhe do t’i kërkoj Atit Qiellor që të më falë.” Ai ishte i lumtur që mundi ta mbante premtimin e tij të pagëzimit.