“Fuqia që Ne e Quajmë Hir”, Për Forcën e Rinisë, korrik 2022.
Ndihmë për Jetën
Fuqia që Ne e Quajmë Hir
Hiri i Perëndisë mund të na ndihmojë, pavarësisht se me cilat sfida përballemi.
Shkova në varrimin e një anëtareje të mëparshme të lagjes e cila vdiq duke u vetëvrarë pas një lufte të gjatë me depresionin. M’u thye zemra teksa vajtoja për humbjen e saj me shoqet dhe familjen e saj.
Depresioni dhe sfida të tjera të shëndetit mendor mund të jenë të ndërlikuara dhe të vështira për njerëzit që vuajnë prej tyre, dhe për të gjithë njerëzit që i duan ata. Lajmi i mirë i ungjillit është se Krishti ofron shpresë dhe ndihmë nëpërmjet dhuratës së Tij të hirit.
Një studim që përfshiu 600 të rinj e të reja në moshë madhore në Universitetin “Brigam Jang” tregoi se ata që e kuptonin hirin e Jezu Krishtit, kishin nivele më të ulëta depresioni, ankthi, manie për përsosuri dhe turpi.1 Çfarë kuptuan këta të rinj e të reja rreth hirit, gjë që solli një ndryshim kaq të rëndësishëm në jetën e tyre?
Perëndia Na Do Pafundësisht
Në studimin, disa njerëz besonin se Perëndia dhe Jezu Krishti do t’i donin dhe ndihmonin vetëm po të ishin tashmë të përsosur. Ata njerëz mundoheshin shumë më tepër se të tjerët që e kuptonin se Perëndia dhe Jezu Krishti i duan pafundësisht dhe u gjenden gjithmonë pranë.
Në anglisht fjala hir ka shumë kuptime. Mund të thotë elegancë, mirësi ose mirësjellje. Në hebraisht, fjala do të thotë favor ose mirëdashje e dhënë me dhembshuri. Ndoshta kjo shpjegon përse të krishterët përgjatë shekujve e kanë përdorur fjalën hir për të përshkruar favorin, mirëdashjen dhe dashurinë e Perëndisë.
Perëndia Dëshiron të Na Ndihmojë
Shenjtorët e ditëve të mëvonshme e kuptojnë se fjala hir do të thotë më shumë sesa thjesht një veti e Perëndisë. Hiri gjithashtu përshkruan mënyrën se si Ai përfshihet me ne teksa përpiqemi fort që të bëhemi si Ai (shih Moroni 10:32). Presidenti Diter F. Uhtdorf, në atë kohë Këshilltar i Dytë në Presidencën e Parë, shpjegoi se hiri është “ndihma hyjnore dhe dhurimi i forcës, me anë të të cilave ne rritemi nga qeniet me të meta dhe kufizime që jemi tani, në qenie të ekzaltuara”2.
Në studimin e përmendur më parë, të rinjtë e të rejat që i panë Perëndinë dhe Krishtin si të gatshëm, të vullnetshëm dhe të aftë për t’i ndihmuar ata, patën më pak sfida të shëndetit mendor se ata që e ndienin se ishin të vetëm.
Perëndia Na Ndihmon në Gjendjen Tonë të Tanishme
Shumë njerëz e ndiejnë se ndihma e Perëndisë është e paarritshme prej tyre, sepse ata në njëfarë mënyre nuk e kanë fituar ende atë. E vërteta është se hiri është një dhuratë. Nuk të duhet ta fitosh një dhuratë. Thjesht të nevojitet të zgjedhësh që ta marrësh atë.
Në studim pati më pak vështirësi me shëndetin mendor mes atyre që e kuptonin se Perëndia na ndihmon kudo ku jemi dhe pavarësisht nga çfarë kemi bërë. Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, ka dhënë mësim: “Nuk kemi nevojë të arrijmë njëfarë niveli minimal të aftësisë ose mirësisë përpara se Perëndia të na ndihmojë – ndihma hyjnore mund të jetë e jona në çdo orë të çdo dite, pavarësisht se ku jemi në shtegun e bindjes”3.
Në varrimin e shoqes sime, unë isha mirënjohës për dëshmitë e forta që u dhanë rreth shpresës dhe shërimit në dispozicion të të gjithëve nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit. Me të vërtetë, Krishti është zgjidhja e çdo problemi dhe burimi i gëzimit të vërtetë.