“Mos Ki Frikë – Zoti Është me Ty”, Për Forcën e Rinisë, korrik 2022.
Fjala e Mbylljes
Mos Ki Frikë – Zoti Është me Ty
Frika nuk është gjë e re. Nga kohët e lashta, frika e ka kufizuar largpamësinë e fëmijëve të Perëndisë. Te 2 Mbretërve, mbreti i Sirisë kishte dërguar një legjion ushtarësh që ta kapnin dhe vrisnin profetin Eliseu.
“Të nesërmen shërbëtori i [Eliseut] u ngrit në mëngjes dhe doli; dhe ja, qyteti ishte rrethuar nga një ushtri me kuaj dhe kalorës. Atëherë shërbëtori i [Eliseut] i tha: ‘Oh, ç’do të bëjmë, imzot?’” (2 Mbretërve 6:15.)
Ishte frika që po fliste.
“[Eliseu] u përgjigj: ‘Mos ki frikë, sepse ata që janë me ne, janë më të shumtë se ata që janë me ta’.
Pastaj Eliseu u lut dhe tha: ‘O Zot, të lutem, hap sytë e tij që të mund të shohë’. Atëherë Zoti ia hapi sytë të riut dhe ai pa; dhe ja, mali ishte plot me kuaj dhe me qerre të zjarrta rreth e qark Eliseut” (2 Mbretërve 6:16–17).
Ne mund të kemi ose mund të mos kemi qerre të zjarrta që dërgohen për ta larguar frikën tonë dhe për t’i mposhtur demonët tanë, por mësimi është i qartë. Zoti është me ne, tregon kujdes për ne dhe na bekon në mënyra që vetëm Ai mund të na bekojë.
Nëse mirëbesojmë aktivisht te Zoti dhe udhët e Tij, nëse përfshihemi në punën e Tij, ne nuk do të kemi frikë nga tendencat e botës ose nuk do të shqetësohemi prej tyre. Zoti po vëzhgon mbi ne, kujdeset për ne dhe qëndron përkrah nesh.