“Tempulli dhe Udhëtimi Yt i Përjetshëm”, Për Forcën e Rinisë, korrik 2022.
Tempulli dhe Udhëtimi Yt i Përjetshëm
Sa të bekuar jemi që marrim udhërrëfim në shtëpinë e Zotit!
Ti je në një rrugëtim. Ai filloi shumë kohë më parë kur jetove me Atin Qiellor si biri ose bija e Tij shpirtërore. Tani ti je këtu në tokë me shpirtin tënd të vendosur brenda një trupi fizik për të mësuar gjithçka që është e nevojshme që një ditë të kthehesh tek Ati Qiellor dhe të jesh i/e denjë për të gjitha bekimet që Ai i ka për fëmijët e Tij. Disa nga gjërat më të mëdha që do t’i mësosh në këtë rrugëtim të përjetshëm, janë brenda tempujve të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.
Tempuj nëpër Botë
Kur u linda unë në vitin 1928, kishte vetëm shtatë tempuj. Tani ne kemi tempuj të mrekullueshëm, të përhapur nëpër botë. Dhe do të ketë më shumë! Tempujt na sjellin gëzim dhe fuqinë që na nevojitet për udhëtimin tonë të përjetshëm.
Asnjë ndërtesë tjetër në tokë – madje as ndërtesat më madhështore – nuk kanë atë që kanë tempujt. Shpëtimtari i tha Pjetrit se atij do t’i jepej fuqi dhe autoritet me qëllim që “gjithçka që të k[ishte] lidhur mbi tokë, do të [ishte] lidhur në qiej” (Mateu 16:19). Çfarë shpallje e madhe është kjo! Tempujt përkushtohen dhe veçohen me anë të fuqisë së priftërisë si një vend ku kryhen ordinanca të shenjta. Këto ordinanca janë të efektshme në të dyja anët e velit.
Gëzimi i Familjeve të Përjetshme
Gruaja ime, Barbara, ndërroi jetë gati katër vjet më parë. Por ngaqë hymë në shtëpinë e Zotit dhe u vulosëm si bashkëshort e bashkëshorte me anë të fuqisë së priftërisë, ne jemi të lidhur së bashku me shtatë fëmijët tanë, 43 nipërit e mbesat tona dhe mbi 100 stërnipër e stërmbesa, për gjithë përjetësinë. Ç’gjë e mrekullueshme është tempulli! Gëzimi ma mbush zemrën ngaqë familja ime do të jetë bashkë përgjithmonë. Familja jote mund të jetë bashkë gjithashtu.
Kur të arrish të jesh në moshën time, nuk do të jesh aq i/e interesuar që të kesh shumë para apo të ngasësh një makinë të shtrenjtë. Gjëja më e çmuar në jetën tënde do të jetë familja jote – jo vetëm familja që ke këtu, por edhe familja jote në përjetësitë.
Fuqia e së Vërtetës së Rivendosur
Ti e di se kush je – një bir ose bijë e Perëndisë me potencial të pakufizuar. E di se nga erdhe, përse je këtu dhe çfarë shtrihet përpara në botën që do të vijë.
Mahnitem që këto të vërteta erdhën si rrjedhoja mbresëlënëse e një të riu që ra në gjunjë dhe u lut në një korije pemësh. Ati dhe Biri iu shfaqën Jozef Smithit dhe, hap pas hapi, u rivendosën bekimet e ungjillit.
Kam një ndjenjë të fortë vlerësimi për Jozef Smithin. Kuptueshmëria jonë e rivendosur për planin e Perëndisë, rolin qendror të Shlyerjes së Jezu Krishtit dhe rëndësinë e përjetshme të familjeve dhe të tempujve, që të gjitha filluan me Jozefin. Ne do të vazhdojmë të ndërtojmë tempuj dhe të shpallim tempuj të rinj si mesazhin e shkëlqyer e të vazhdueshëm se Rivendosja po mbulon tokën.
Të vërtetat e rivendosura, veçanërisht të vërtetat që mësojmë rreth ordinancave të tempullit, i japin jetës këndvështrim dhe na japin fuqinë për të ndihmuar në udhëtimin tonë të përjetshëm.
Bëje Tempullin Pjesë të Jetës Tënde
Mund të jetë e vështirë për ty që të mendosh se diçka që mund ta bësh sot, do të sjellë ndryshim të madh vite më pas ose madje në jetën pas kësaj. Por mbaje mend udhëtimin e përjetshëm në të cilin gjendesh. Kur u pagëzove dhe u konfirmove, ti ndërmore hapa të rëndësishëm në këtë udhëtim.
Mund t’i ndihmosh njerëzit që kanë vdekur, që të ecin përpara në udhëtimin e tyre duke kryer pagëzime dhe konfirmime për ta në tempull. E bëra këtë shumë herë kur isha në moshën tënde. Më kujtohet një rast kur u pagëzova për më shumë se 60 veta. Mezi mund të merrja frymë ndërmjet pagëzimeve!
Nëse ke mundësi që të shkosh në tempull, bëje! Shko sa më shpesh të mundesh. Të lutem, mos u përfshi shumë në gjëra që mund të harxhojnë shumë nga koha jote dhe të ta largojnë vëmendjen nga ajo që është e vërtetë dhe e përjetshme. Edhe po të jetosh shumë larg nga një tempull, përqendrohu dhe përgatitu tani që të jesh i/e denjë për të hyrë në tempull.
Përgatitu Tani për Bekimet e Tua të Tempullit
Njëra nga ordinancat e para të tempullit që e merr për veten tënde, është dhurimi. Kjo është një dhuratë e fuqisë së priftërisë në dispozicion për të gjithë fëmijët e Perëndisë. Ne marrim të drejtën për ta përdorur këtë fuqi nëpërmjet marrjes së ordinancave dhe mbajtjes së besëlidhjeve që i bëjmë në tempull çdo ditë të jetës sonë.
Mund të përgatitesh për dhurimin tënd dhe ordinanca të tjera në tempull duke përsiatur, duke u lutur dhe duke mësuar rreth tempullit. Nëse prindërit ose gjyshërit e tu kanë qenë në tempull, fol me ta rreth asaj se çfarë bekimi i lavdishëm është tempulli. Peshkopi yt dhe udhëheqës të tjerë do të të ndihmojnë gjithashtu. Gjithashtu shpresoj se do të gjesh miq të mirë që të të përkrahin. Do të jesh mirënjohës/e kur dita të vijë për ty që të frekuentosh tempullin dhe ti të jesh i/e përgatitur për të marrë të gjitha premtimet dhe bekimet e mrekullueshme që Zoti dëshiron të të japë.
Udhëtimi Vazhdon
Qëllimi i kësaj jete është që të përgatitemi për jetën pas kësaj. Plani i madhërishëm i Atit Qiellor nuk përfundon me vdekjen, sepse shpirti yt nuk vdes kurrë. Ai shpirt shkon në botën e shpirtrave që të vazhdojë të mësojë, shërbejë dhe presë për Ringjalljen. Atëherë, çdo gju do të përkulet dhe çdo gjuhë do të rrëfejë se Jezusi është Krishti (shih Isaia 45:23). Për shkak të Shlyerjes dhe Ringjalljes së Tij, trupat dhe shpirtrat tanë do të ribashkohen dhe udhëtimi ynë do të vazhdojë nëpër përjetësitë. Ç’bekim i lavdishëm do të jetë për ne të gjithë!
Kur gjithçka të jetë thënë e bërë, çdo gjë me pasojë dhe rëndësi të përjetshme përqendrohet te jeta dhe misioni i Jezu Krishtit. Dituria dhe besimi yt tek Ai do të rriten teksa shërben në tempull. Ti do ta ndiesh dashurinë e Tij të pafundme për ty dhe do të përjetosh gëzim e fuqi shpirtërore gjatë gjithë jetës tënde.