“E Di se do ta Shoh Atë Përsëri”, Për Forcën e Rinisë, korrik 2022.
Tema dhe Unë
Të rinj e të reja tregojnë se si po i jetojnë fjalët e Temave të Të Rejave dhe të Kuorumit të Priftërisë Aarone
E Di se do ta Shoh Atë Përsëri
“Unë do të kualifikohem që të marr bekimet e tempullit dhe gëzimin e përhershëm të ungjillit.”
Unë besoj se Zoti na dha familje që ne të mund të ndihmojmë për ta forcuar dhe përkrahur njëri‑tjetrin. Zoti gjithashtu na dha familje që ne të mos ishim vetëm. Por kur babai im ndërroi jetë, u ndjeva shumë i vetmuar. Unë dhe babai ishim shumë të lidhur me njëri‑tjetrin dhe e kisha humbur shembullin e tij të vazhdueshëm. Ndjeva se gjithçka që mund të bëja, ishte të qaja.
Por një natë vendosa të bëj një lutje. Në zemër e ndjeva Shpirtin të më thoshte se nuk isha vetëm. E di planin e shpëtimit. Për shkak të Shlyerjes së Jezu Krishtit, unë do ta shoh babanë tim përsëri. Njohuria se familjet mund të jenë së bashku përgjithmonë, është shumë e rëndësishme për mua. Unë e di se mund të jemi një familje e përjetshme ngaqë prindërit e mi u vulosën në tempull.
Kur mbusha 12 vjeç, po planifikoja të frekuentoja tempullin për të bërë pagëzime për të vdekurit për herë të parë. Por atëherë tempujt u mbyllën për shkak të pandemisë. Vërtet mezi po pres që të jem brenda në tempull për herë të parë që të ndiej gëzimin atje.
Kur vëllai im u vulos me bashkëshorten e tij, unë qëndrova jashtë tempullit. Por edhe nga jashtë, unë përjetova një ndjenjë të bukur në zemër. Prandaj mund ta përfytyroj se si duhet të ndihesh brenda. Familja më tha se tempulli është një vend ku mund të ngazëllehemi për planin e përsosur që Perëndia ka përgatitur për ne.
Gjithashtu kam mësuar nga mësimet e profetëve se në tempull mund të bëj besëlidhje të shenjta. Çdo besëlidhje që bëjmë në tempull, është me rëndësi jetike. E mora rekomandimin tim të tempullit dhe mezi pres që ta përdor. Unë e di se një ditë kur të vulosem me bashkëshorten time të ardhshme, unë do të jem në gjendje të kem familjen time të përjetshme.
Autori jeton në Kuliakán të Meksikës.