2022
Një Gjë të Madhe
Korrik 2022


“Një Gjë të Madhe”, Për Forcën e Rinisë, korrik 2022.

Eja, Më Ndiq

2 Mbretërve 5

Një Gjë të Madhe

Rezulton se gjërat e vogla dhe të thjeshta kanë vlerë tepër të madhe.

Le të themi se ke një problem shëndetësor nga i cili nuk po shërohesh. Dikush të tregon për një burrë që mund të të shërojë. Ai jeton shumë larg, por ti i shkruan dhe më pas e bën udhëtimin që të mund ta takosh e të dëgjosh se çfarë ka për të të thënë.

Kur mbërrin në shtëpinë e tij, ndihmësi i tij del jashtë dhe të thotë se zotëria i tij thotë që të shkosh e të lahesh në një lumë aty pranë.

Ndihmësi kthehet në shtëpi dhe ti mbetesh i zhgënjyer. Mendon: “Bëra tërë këtë rrugë për kaq?”

Pritshmëritë

Kjo është ajo çfarë i ndodhi Naamanit. Ai ishte një komandant sirian – njeri shumë i nderuar, me shumë përgjegjësi. Por ai kishte lebër, një sëmundje të tmerrshme lëkure.

Ndonëse nuk ishte izraelit, ai kishte dëgjuar rreth profetit Eliseu për shkak të një shërbëtoreje në moshë të re që ishte nga Izraeli. Naamani e besoi dëshminë e saj rreth Eliseut dhe Perëndisë së Izraelit. Ndaj ai shkoi të takonte Eliseun. Kur Naamani mbërriti në shtëpinë e Eliseut, Eliseu dërgoi një lajmëtar, i cili i tha Naamanit të lahej në lumin Jordan shtatë herë që të shërohej.

Naamani duke dëgjuar shërbëtorin

Ilustrimet nga Corey Egbert

Naamani ishte i zemëruar. Ai kishte përfytyruar se do të takohej me Eliseun dhe se Eliseu do të vinte dorën mbi vendin me lëkurën e sëmurë, do të thërriste Perëndinë dhe do ta shëronte në mënyrë të mrekullueshme. Ai madje mendoi se kishte lumenj më të mirë në atdheun e tij ku ai mund të ishte larë.

Naamani kishte pasur pritshmëri. Ai priste që Eliseu të dilte dhe ta takonte. Kjo mund të ketë qenë ngaqë Naamani kishte një pozitë kaq të lartë dhe ishte mësuar të merrte një masë të caktuar respekti. Ai gjithashtu priste një zgjidhje më të mrekullueshme ose mbresëlënëse të problemit të tij nga zgjidhja që iu dha. Ndoshta kjo ishte për shkak të historive që kishte dëgjuar rreth Eliseut. Prandaj përvoja e vet e bëri të ndihej mjaft i zemëruar.

Përulësia

Por historia e Naamanit nuk mbaron aty. Njëri prej shërbëtorëve të tij i ofroi një këshillë shumë të mençur:

“Në qoftë se profeti do të kishte urdhëruar një gjë të madhe, ti a do ta kishe bërë? Aq më tepër tani që të ka thënë: ‘Lahu dhe do të pastrohesh?’” (2 Mbretërve 5:13.)

Naamani e kuptoi se shërbëtori kishte të drejtë. Nëse profeti do t’i kishte kërkuar të bënte diçka të madhe, ai do ta kishte bërë. Prandaj pse të mos e bënte gjënë e thjeshtë? Ai e përuli veten. U la shtatë herë në lumin Jordan dhe u shërua.

Naamani duke u larë në lumin Jordan

Gjëra të Vogla dhe të Thjeshta

Me raste Zoti mund t’i kërkojë një personi që të bëjë “një gjë të madhe”. Por kjo nuk është zakonisht mënyra se si vepron Zoti. Shumicën e kohës Ai përdor “gjëra të vogla dhe të thjeshta” për të bërë “gjëra të mëdha” në jetën tonë (Alma 37:6).

Nganjëherë pritshmëritë tona ose krenaria jonë mund të na bëjnë të mendojmë se mënyra e Zotit është tepër e thjeshtë ose e vogël që t’ia vlejë koha jonë për të (shih 1 Nefi 17:40–41). Por Zoti mund të na ndihmojë që t’i kapërcejmë këto ndjenja dhe të përulemi. Ai na do dhe dëshiron të na bekojë e të na ndihmojë që të bëhemi më shumë si Ai (shih Moisiu 1:39).

Këtu janë vetëm disa shembuj të gjërave të vogla dhe të thjeshta që Zoti na kërkon të bëjmë për t’iu afruar më shumë Atij dhe për të marrë bekimet e Tij.

Ndoshta mund të mendosh të tjera.

Prandaj, kur has diçka të vogël dhe të thjeshtë, kushtoji vëmendje. Mund të jetë një udhëzim në broshurën Për Forcën e Rinisë, një këshillë nga një bisedë e konferencës ose diçka që peshkopi yt të ka kërkuar ta bësh. Çfarëdo qoftë, kujto Naamanin dhe thjesht bëje. Mund të jetë e vogël, por bekimet do të jenë të mëdha.