2022
Askush Tjetër si Ti
Korrik 2022


“Askush Tjetër si Ti”, Për Forcën e Rinisë, korrik 2022.

Eja, Më Ndiq

Esteri

Askush Tjetër si Ti

Zoti e përgatiti Esterin për veprën e saj të rëndësishme dhe Ai po bën të njëjtën gjë për ty.

Bëj diçka rastësore pikërisht tani. Çfarëdo gjëje! Tundi krahët sipër kokës, rrotullohu rreth vetes ose thuaj me zë të lartë disa fjalë të çmendura si: “Më pëlqen shumë keku me banane!”

Mbarove? Mirë. Sapo ke kryer diçka që nuk është bërë kurrë më parë. Sado e çuditshme të duket, çfarëdo që sapo e bëre – edhe nëse thjesht mendove diçka por nuk e bëre – ajo gjë nuk është bërë kurrë saktësisht në atë mënyrë në të gjithë historinë. Nuk është bërë atje ku je ti, as pikërisht në këtë kohë dhe as nga ty.

Ky ushtrim i vogël qesharak thekson një pikë të rëndësishme: nuk ka asnjë njeri pikërisht si ti, as në të njëjtat rrethana të përpikta. As mes vëllezërve dhe motrave të tua. Në të gjithë botën, askush tjetër nuk e ka ndërthurjen tënde të përpiktë të talenteve, aftësive, shoqërive, familjes, dhuratave shpirtërore dhe këndvështrimeve vetjake.

Si Esteri nga Dhiata e Vjetër, ti kualifikohesh në mënyrë të pashoqe gjatë “një koh[e] të tillë” (Esterit 4:14) që të kesh një ndikim të madh për mirë në jetën e çdo njeriu që njeh.

Ti ke gjëra të rëndësishme për të bërë!

Nga Jetime në Mbretëreshë

Teksa e studion Dhiatën e Vjetër këtë muaj si pjesë të programit Eja, Më Ndiq, do të mësosh rreth një të reje të mrekullueshme judease, të quajtur Ester. Në njëfarë kohe në fëmijërinë e saj, Esteri ngeli jetime dhe atë e rriti një pjesëtar i rrethit të saj familjar, Mardokeu. Ajo u rrit në një kohë kur judenjtë ishin marrë robër nga një komb i huaj.

Si jetime që jetonte në një vend të huaj, ka shumë të ngjarë që ajo kurrë nuk e kishte marrë me mend se një ditë do të bëhej mbretëreshë. Por ishte pikërisht çfarë ndodhi (shih Esterit 2). Ajo u zgjodh si nuse për mbretin Asuero.

Por një ditë ajo u përball me një sfidë të tmerrshme: populli i Esterit, judenjtë, ishin në rrezik të papritur për t’u shfarosur. Bashkëshorti i saj, mbreti, pasi dëgjoi këshillën e këshilltarëve të tij, nxori një dekret që çdo jude në qytet do të vritej në një datë të veçantë që e caktoi ai.

Tani, kishte shumë njerëz që jetonin në qytet. Gjithashtu kishte shumë judenj që jetonin në qytet. Por kishte vetëm një mbretëreshë Ester. Dhe ajo ishte i vetmi person që mund të bënte diçka për ta ndaluar këtë fatkeqësi.

Ashtu si mbretëresha Ester, ka vetëm një njeri si ti. Ti je i vetmi ose e vetmja që mund të bësh gjërat që ti mund t’i bësh – gjërat që Zoti ka nevojë që ti t’i bësh. Gjëra që mund të çojnë te shpëtimi i shumë njerëzve.

Përgjigjet ndaj Lutjeve

Fatmirësisht nuk ka shumë gjasë që ti do të kesh të bësh me diçka aq të rrezikshme dhe të frikshme sa ajo me të cilën u përball Esteri. Por kjo nuk do të thotë se qëllimi yt në jetë është më pak i rëndësishëm.

Pikërisht si Esteri, ti je udhërrëfyer dhe përgatitur që të jesh njeriu që je tani. Dhe ajo përgatitje do të vazhdojë teksa e ndjek Jezu Krishtin. Ti mund të jesh përgjigjja për lutjet e përditshme të shumë njerëzve.

Sigurisht, edhe me të gjitha talentet dhe aftësitë e tua, është gjithmonë më e mira që të kërkosh ndihmë shpirtërore përgjatë udhës, ashtu siç bëri Esteri.

Besimi, Bindja dhe Ti Vetë

Esteri e dinte se duhej të përpiqej dhe ta shpëtonte popullin e saj. Ajo gjithashtu e dinte se kishte nevojë për besimin e shtuar dhe përkrahjen e popullit të vet teksa kërkonte ndihmë nga Perëndia. “Shko, mblidh tërë Judejtë që ndodhen në Suzë, dhe agjeroni për mua”, – i tha Esteri të afërmit, “rrini pa ngrënë dhe pa pirë tri ditë, natë e ditë. Edhe unë me vajzat e mia do të agjërojmë në të njëjtën mënyrë; pastaj do të hyj te mbreti; megjithëse një gjë e tillë është kundër ligjit; dhe në qoftë se duhet të vdes, do të vdes” (Esterit 4:16).

Esteri

Esther [Esteri], nga James L. Johnson

Kur jeta bëhet e vështirë, besnikët kthehen edhe më me zell drejt Perëndisë. Esteri kishte nevojë për të gjithë ndihmën që mund të merrte. Jo vetëm që i nevojitej ndihmë që të fliste me bashkëshortin e vet për ta ndaluar dekretin e tij, por asaj gjithashtu i duhej të rrezikonte jetën e vet thjesht duke shkuar te mbreti pa e thirrur fillimisht (gjë që ishte kundër ligjit, edhe për mbretëreshën).

A e vutë re bindjen dhe besimin e saj? Ia vlen të lexohet prapë: “Në qoftë se duhet të vdes, do të vdes”, – tha Esteri. Fjalë të tilla të fuqishme ia thanë Shadraku, Meshaku dhe Abed-negoja mbretit Nebukadnetsar kur ata refuzuan të adhuronin statujën e artë të mbretit.

Edhe kur ai kërcënoi se do t’i hidhte në furrën e ndezur për mosbindje, ata thanë plot guxim: “Ja, Perëndia ynë, të cilit i shërbejmë, është në gjendje të na çlirojë nga furra e ndezur, dhe do të na çlirojë nga dora jote, o mbret.

Por edhe sikur të mos e bënte, dije, o mbret, që ne nuk do t’u shërbejmë perëndive të tua dhe nuk do të adhurojmë figurën e artë që ti ke ngritur” (Daniel 3:17–18, theksimi i shtuar).

Frazat “por edhe sikur” dhe “në qoftë se duhet të vdes, do të vdes” janë deklarata të jashtëzakonshme besimi. Ky lloj besimi i fuqishëm ekziston pavarësisht nga çfarëdo pasoje. Trimëria e Esterit përfundoi duke e shpëtuar popullin e saj. Madje kështu, ajo e dinte që nga fillimi, ashtu siç e dinin Shadraku, Meshaku dhe Abed-negoja, se ndërkohë që rezultatet e zgjedhjes së besimit nuk janë gjithmonë të sigurta, bërja e gjësë së drejtë është gjithmonë zgjedhja e drejtë.

Ka të ngjarë që do të kesh raste në vetë jetën tënde kur zgjedhja e një shtegu të drejtë mund të jetë e vështirë. Askush prej nesh nuk është pa sfida të trazuara të vdekshmërisë. Por edhe këtu, ti mund të zgjedhësh të jesh si Esteri. Zgjidh drejtësinë; le të vijnë pasojat.

Në fund të fundit, ti je i vetmi njeri si ti që do të jetë ndonjëherë – dhe “një kohë [e] tillë” e jotja për ta bërë botën një vend më të mirë, është pikërisht tani.