2022
Përgatitja për Tempullin e Dubait
Korrik 2022


“Përgatitja për Tempullin e Dubait”, Për Forcën e Rinisë, korrik 2022.

Përgatitja për Tempullin e Dubait

Një i ri dhe një e re në Dubai dhe Katar tregojnë për dashurinë e tyre për tempullin dhe entuziazmin e tyre rreth tempullit që po ndërtohet pranë tyre.

i ri

Fotografi të Saxhanit nga Carla Nacario

Janë vetëm pak fjalë të thjeshta, por ato e ndryshojnë jetën tënde kur thuhen nga një profet i Perëndisë. Gjatë konferencës së përgjithshme, anëtarët e Kishës anembanë botës i dëgjojnë me padurim njoftimet për tempujt e rinj. Për Saxhanin dhe Guenin, kur Presidenti Rasëll M. Nelson tha fjalët: “Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe”, në konferencën e përgjithshme të prillit 2020, ky i ri dhe kjo e re e dinin se jeta e tyre nuk do të ishte më kurrë e njëjtë.1

Takohu me Saxhanin nga Dubai

Saxhani dymbëdhjetëvjeçar nuk ka parë kurrë një tempull personalisht.

“Mami im gjithmonë ka pasur si synim për të shkuar në tempull”, – tha Saxhani. “Dashuria e saj për tempullin është ngjitëse. Tani synimi im në jetë është të vizitoj tempullin.”

Saxhani lindi në Indi, por kur prindërit e tij u shkurorëzuan, ai u shpërngul me mamanë në Emiratet e Bashkuara Arabe. “Mami im punon vërtet shumë. Ajo është si një superheroinë për mua. Madje edhe gjatë kohëve të vështira, ajo asnjëherë nuk dorëzohet.”

i riu dhe e ëma

Mamaja dhe gjyshja e Saxhanit u bashkuan me Kishën në Indi disa vjet përpara se të lindej ai. Ato e lexuan Librin e Mormonit dhe e dinin se ishte një përgjigje për lutjet e tyre. Saxhani u rrit duke shkuar në kishë me mamanë e vet dhe ai u pagëzua kohët e fundit pasi priste për lejen nga i ati.

“Pagëzimi ishte një nga zgjedhjet më të mira që kam bërë ndonjëherë”, – tha ai. “Kur mora dhuratën e Frymës së Shenjtë, ndjeva kaq ngrohtësi dhe gëzim brenda vetes.”

Tani Saxhani po shpërndan sakramentin për lagjen e tij dhe po përgatitet për të hyrë në tempull. Ai e mori rekomandimin e tij të tempullit dhe mezi pret që të hyjnë në Tempullin e Dubait në Emiratet e Bashkuara Arabe kur ai të përfundojë.

“Kur dëgjova se njoftuan tempullin, personalisht e ndjeva se ishte për mua”, – tha Saxhani. “Ishte një përgjigje për lutjet tona. U befasova, sepse po e ndërtojnë pikërisht aty ku jetojmë ne. Do të jem në gjendje të shkoj me tren drejt e në tempull dhe të shkoj sa herë të dua. Jam gjithashtu i lumtur për Tempullin e Bengalurut në Indi që gjyshërit e mi do të jenë në gjendje ta vizitojnë.”

i ri duke mbajtur fotografinë e gjyshërve

Saxhani është i lumtur për gjyshin dhe gjyshen e tij që e kanë pranë tyre Tempullin e Bengalurut në Indi.

Saxhani dëshiron të bëjë punë në tempull edhe për paraardhësit e tij të tjerë.

i riu dhe e ëma te një kompjuter

“Po përgatitem që të jem i denjë për të hyrë në tempull. Dua të bëj gjithçka mundem për t’i ndihmuar të gjithë paraardhësit e mi. Kam një mundësi kaq emocionuese për t’i shërbyer Zotit dhe për të bërë gjërat që i përkasin mbretërisë së Perëndisë.”

Takohu me Guenin nga Katari

e re

Fotografi të Guenit nga Christina Smith dhe me mirësinë e familjes së saj

Në 18 vjetët e para të jetës së saj, Gueni ka jetuar në pesë vende të ndryshme: Skoci, Angolë, Angli, Kazakistan dhe Katar. Puna e babait të saj i ka çuar anembanë botës, por së fundmi, në Lindjen e Mesme.

Të gjithë vëllezërit dhe motrat më të mëdha të Guenit jetojnë më vete, prandaj ajo jeton në Katar me mamanë dhe babanë. Njëra nga përvojat e saj më të parapëlqyera ishte udhëtimi me të rinjtë e lagjes së saj për një udhëtim në tempull që të vizitonin Tempullin e Kievit në Ukrainë. Nuk ka tempull pranë tyre, kështu që shenjtorëve në Lindjen e Mesme iu duhet të shkojnë me avion për të vizituar tempuj në vende të tjera.

“Isha shumë e lumtur për udhëtimin tonë dhe doja të çoja emra të familjes”, – tha ajo. “Çdo ditë do të gjeja emra të familjes në telefonin tim kur shkoja për në shkollë dhe kur kthehesha prej saj. Gjeta rreth 200 emra. U ndjeva vërtet gati për të shkuar!”

kartat e tempullit

Por pati një problem të vogël për të cilin ajo nuk mund të ishte përgatitur.

Një pandemi mbarëbotërore.

Avioni i Guenit u ul në Ukrainë në mars të vitit 2020 – pikërisht kur filluan të dëgjonin më shumë rreth përhapjes së virusit COVID-19. Me ndihmën e qiellit, ata arritën në tempull dhe ishin në gjendje të kryenin pagëzime për emrat e familjes që i kishte përgatitur Gueni.

grup të rejash

“Pati mrekulli pas mrekullie”, – tha ajo. “Gjatë udhëtimit tonë me makinë për në tempull, isha e shqetësuar rreth pandemisë. Por në tempull thjesht ndjeva kaq shumë paqe e ngushëllim. Qemë në gjendje të ktheheshim me avion në Katar pikërisht përpara se të mbylleshin kufijtë.”

dy të reja

Por mamaja e Guenit, që kishte shkuar të vizitonte një nga motrat dhe vëllezërit e Guenit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk ishte në gjendje të kthehej në Katar. Gueni dhe babai i saj ishin në karantinë në shtëpi kur ai u infektua me COVID. “Për ca kohë ai ishte shumë i sëmurë dhe nuk ishte në gjendje të lëvizte shumë”, – tha Gueni. “Sa e vetmuar që u ndjeva. Nëna ime ishte ende larg dhe nuk e dija se si të gatuaja shumë ushqime përveç një sanduiçi me djathë në skarë.”

Por Gueni pati një përvojë të veçantë ndërkohë që e zhvillonte kishën në shtëpi me babanë e saj.

“Ndjeva sikur njerëzit emrat e të cilëve i kishim çuar në tempull, ishin me mua dhe babanë tim”, – tha ajo. “Nuk u ndjeva më e vetmuar. Ishte një përvojë tepër e dhembshur. Vizita në tempull para pandemisë ishte vërtet një bekim.”

grup të rinjsh përpara tempullit

Tempulli i Dubait në Emiratet e Bashkuara Arabe u njoftua vetëm një muaj pas udhëtimit të saj për në tempullin e Ukrainës. Gueni ishte plot emocion. Ajo e di se sa domethënie do të ketë ai për njerëzit në zonën e saj.

“E di që ka njerëz në zonën time të cilët nuk kanë të ardhura që të shkojnë me avion në një tempull tjetër në Europë. Ata kanë qenë duke pritur që të vulosen si familje të përjetshme. Më tregon se mbledhja vërtet po ndodh. Ne po përgatitim udhën që Krishti të vijë sërish.”

Bekimet e Tempullit

Një gjë që Gueni dhe Saxhani kanë të përbashkët, është që tempulli po e bekon tashmë jetën e tyre. Presidenti Nelson tha: “Tempujt janë një pjesë kurorëzuese e Rivendosjes së plotësisë së ungjillit të Jezu Krishtit. Në mirësinë dhe bujarinë e Tij, Perëndia po i afron më shumë bekimet e tempullit me fëmijët e Tij ngado.”2

Shënime

  1. Rasëll M. Nelson, “Shkoni Përpara me Besim”, konferenca e përgjithshme e prillit 2020 (Ensign ose Liahona, maj 2020, f. 115).

  2. Rasëll M. Nelson, “Shkoni Përpara me Besim”, konferenca e përgjithshme e prillit 2020 (Liahona, f. 115–116).