“Fuqia Mahnitëse e Mirënjohjes”, Për Forcën e Rinisë, korrik 2022.
Fuqia Mahnitëse e Mirënjohjes
Nuk është thjesht diçka e mirë të jesh mirënjohës/e – kjo mund ta ndryshojë jetën tënde.
Presidenti Rasëll M. Nelson ka thënë: “Numërimi i bekimeve tona është shumë më i mirë sesa rinumërimi i problemeve tona. … [Mirënjohja] na jep një këndvështrim më të madh për vetë qëllimin dhe gëzimin e jetës.”1
Është e vërtetë! Të qenit mirënjohës/e sjell bekime të shumta. Mirënjohja mund të të ndihmojë të jesh më i/e lumtur dhe më i/e shëndetshëm/e, të përmirësosh cilësinë tënde të gjumit, të forcosh shëndetin tënd mendor e fizik dhe të ndihmon të jesh më optimist/e dhe më i/e dhembshur ndaj të tjerëve. Sa më mirënjohës/e të jesh, aq më shumë do të jesh në gjendje të përballesh me sfidat e jetës. Më së fundi, të qenit mirënjohës/e mund të na afrojë më pranë Perëndisë, i cili është dhënësi i të gjitha gjërave të mira (shih Jakob [Bibël] 1:17).
Për Ester Karneiro Poncianon nga Brazili, të shkruarit e një liste të gjërave për të cilat është mirënjohëse, e bën të lumtur dhe e ndihmon të ketë forcë dhe kurajë në kohë të vështira.
Lista e Esterit për Mirënjohjen
1 Ungjilli
Teksa i studioj shkrimet e shenjta, lutem çdo ditë, ndjek seminarin dhe frekuentoj kishën, unë ndihem e frymëzuar që të përpiqem fort për të qenë më e mirë. Ungjilli sjell shpresë se ditë më të mira do të vijnë. Ai me të vërtetë siguron lumturi të përjetshme.
2 Familja Ime
Jemi gjashtë njerëz në familjen time, kështu që shtëpia jonë është gjithmonë plot. Ne shpenzojmë kohë së bashku duke luajtur lojëra tavoline, duke ecur në natyrë, duke gatuar dhe duke studiuar programin Eja, Më Ndiq. Familja ime është limani im i sigurt. Thjesht me ta mund të jem vetvetja. Nuk jemi të përsosur, por jemi shumë të gëzuar. Jam mirënjohëse që kam njerëz të cilëve gjithmonë mund t’u mirëbesoj.
3 Shokët dhe Shoqet
As pandemia nuk mundi t’i shkatërronte shoqëritë e mia të vërteta. Kur nuk mund të ishim bashkë nga afër, prapëseprapë gjenim mënyra që të ishim me njëri-tjetrin. Na pëlqen shumë të qeshim dhe të këndojmë së bashku. Më pëlqen shumë të kaloj çaste me shokët dhe shoqet e mia. Jam mirënjohëse për secilin dhe secilën prej tyre.
4 Ushtrimi Fizik
Ca kohë më parë, ushtrimi fizik nuk do të kishte qenë në listën time të mirënjohjes. Nuk isha e gëzuar lidhur me ushtrimin fizik. Më pas u përpoqa të ngisja një biçikletë dhe zbulova se më pëlqen shumë kjo. Kur ngas biçikletën, ndihem e lumtur. Ndiej sikur bota përreth meje është një vend më i mirë. Më jep kohë të mendoj, të shoh natyrën dhe të ndiej dashurinë e Atit Qiellor. Kur jam e shqetësuar ose e trishtuar, më ndihmon që të qetësohem. Kur jam në biçikletë, unë mund të shoh mijëra arsye për të qenë e lumtur dhe mirënjohëse.
5 Muzika
Muzika më sjell lumturi të pamasë. Bota ime nuk do të ishte njësoj pa muzikën. Më ka pëlqyer të këndoj e të dëgjoj muzikë që kur isha shumë e vogël. Muzika ka fuqinë të na lartësojë dhe gjithashtu mund të na bëjë të ndihemi në paqe. Vërtet më pëlqen të dëgjoj muzikën për rininë nga Kisha.
Mirënjohja Sjell Gëzim të Vërtetë
Kur e shoh jetën time me sytë e mirënjohjes, unë shikoj se si Zoti është i pranishëm në të gjitha kohët në jetën time, sado të vështira të mund të jenë gjërat. E kam kuptuar se gjërat më të thjeshta mund të na sjellin lumturinë më të madhe. Kur e hedh vështrimin përreth dhe sheh gjërat që vërtet janë të rëndësishme, edhe ti mund të gjesh gëzim të vërtetë.
Për Çfarë Je Mirënjohës/e?
Gjëja e këndshme rreth bërjes së një liste mirënjohjeje është se kur e fillon, është e vështirë të ndalosh. Provoje! Gjej një çast për të shkruar vetë listën tënde të mirënjohjes. Mendo për mënyra se si mund ta shprehësh mirënjohjen tënde ndaj Atit Qiellor dhe të tjerëve për këto dhurata. Mund të zbulosh se sa më shumë gjëra që të shkruash, aq më shumë gjëra do të mendosh për të cilat je mirënjohës/e.