Sesioni i Pasdites të së Shtunës
Mirë se Vini në Kishën e Gëzimit
Pjesë të shkëputura
Në saje të planit të dashur të Atit tonë Qiellor për secilin prej fëmijëve të Tij dhe për shkak të jetës dhe misionit shëlbues të Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit, ne mund – dhe duhet – të jemi njerëzit më të gëzuar në tokë! …
… Gëzimi ynë si popull nuk duhet të jetë askund më i dukshëm sesa kur mblidhemi së bashku çdo Shabat në mbledhjet tona të sakramentit për të adhuruar burimin e gjithë gëzimit! …
Nderim plot gëzim? Ju mund të pyesni: “A ekziston një gjë e tillë?” Në fakt, po! Ne e duam, e nderojmë dhe e respektojmë thellësisht Perëndinë tonë dhe nderimi ynë rrjedh nga një shpirt që gëzohet në dashurinë, mëshirën dhe shpëtimin e pamasë të Krishtit! …
Nëse po mblidhemi në kujtim të Shpëtimtarit dhe shëlbimit që Ai e ka bërë të mundur, fytyrat tona duhet të pasqyrojnë gëzimin dhe mirënjohjen tonë! …
… Shkrimet e shenjta shënojnë se “kënga e të drejtëve është një lutje për [Perëndinë]” [Doktrina e Besëlidhje 25:12], në të cilën Atij i kënaqet shpirti. Pra, le të këndojmë! Dhe ta përlëvdojmë Atë!
Ne i përqendrojmë bisedat dhe dëshmitë tona tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti dhe frytet e të jetuarit me përulësi të ungjillit të Tyre, fryte që janë të “ëmbël[a] mbi çdo gjë që është e ëmbël” [Alma 32:42]. …
… Pavarësisht nëse derdhim lot trishtimi apo lot mirënjohjeje gjatë sakramentit, le ta bëjmë me mrekullim plot mahnitje për lajmin e mirë të dhuratës së Atit – Birin e Tij! …
… Kjo është një ftesë për të marrë dhuratën prej Shpëtimtarit të paqes, dritës dhe gëzimit – për t’u ngazëlluar me të, për t’u mrekulluar me të dhe për t’u gëzuar me të çdo Shabat. …
Mirë se vini në kishën e gëzimit!