Sesioni i Paradites të së Dielës
Unë Jam Ai
Pjesë të shkëputura
Gjatë historisë, shumë njerëz e kanë thjeshtuar, madje ia kanë ulur vlerën përfytyrimit tonë për [Jezu Krishtin] dhe dëshmisë së Tij për atë që Ai ishte. Ata e kanë zvogëluar ndershmërinë e Tij duke e quajtur thjesht maturi, drejtësinë e Tij thjesht zemërim, mëshirën e Tij thjesht tolerancë. Ne nuk duhet të bëhemi fajtorë për variante të tilla të thjeshtuara për Të, të cilat i shpërfillin volitshëm mësimet që na duken të parehatshme. Ky “thjeshtëzim” ka qenë i vërtetë edhe në lidhje me virtytin e Tij kulmor, përcaktues – dashurinë e Tij.
Gjatë misionit të Tij në vdekshmëri, Jezusi dha mësim se kishte dy urdhërime të mëdha. … “Duaje Zotin, Perëndinë tënd… [dhe] duaje të afërmin tënd porsi vetveten.” Nëse duam ta ndjekim me besnikëri Shpëtimtarin në këto dy rregulla thelbësore dhe të lidhura pazgjidhshmërisht, ne duhet t’i përmbahemi fort asaj që Ai tha në të vërtetë. Dhe ajo që Ai tha në të vërtetë, ishte: “Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia”. Të njëjtën mbrëmje, Ai tha se ne duhej ta “doni[m] njëri-tjetrin, sikurse [Ai na] ka… dashur”. …
… Si deshi Jezusi?
Së pari, Ai deshi “me gjithë zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën [e Tij]”, gjë që i dha aftësinë për të shëruar dhembjen më të thellë dhe për të shpallur realitetin më të vështirë. …
Karakteristika e dytë e dashurisë hyjnore dhe të shenjtë të Jezusit, ishte bindja e Tij ndaj çdo fjale që dilte nga goja e Perëndisë, duke e përputhur përherë vullnetin dhe sjelljen e Tij me atë të Atit të Tij Qiellor. …
… Kur të qëndrojmë përpara Tij dhe të shohim plagët në duart dhe këmbët e Tij, do të fillojmë të kuptojmë se çfarë donte të thoshte për Të që të mbante mëkatet tona dhe të njihej me pikëllimin, të ishte plotësisht i bindur ndaj Atit, gjithçka nga dashuria e kulluar për ne.