Të Gjitha Kombet, Fiset dhe Gjuhët
Ne mund të bëhemi, në vetë mënyrën tonë, pjesë e përmbushjes së profecive dhe premtimeve të Zotit – pjesë e ungjillit që e bekon botën.
Të dashur vëllezër dhe motra, kohët e fundit kryesova në një vulosje tempulli, duke ndjekur orientimet për COVID‑19. Bashkë me nusen dhe dhëndrin, që të dy misionarë të kthyer besnikë, ishin prindërit e tyre dhe të gjithë vëllezërit e motrat e tyre. Kjo nuk ishte e lehtë. Nusja është e nënta nga dhjetë fëmijët. Nëntë vëllezërit dhe motrat e saj u ulën sipas radhës, nga më i madhi te më i vogli, sigurisht duke ruajtur largësinë shoqërore.
Pjesëtarët e familjes ishin përpjekur që të ishin fqinj të mirë kudo që jetonin. Sidoqoftë, një komunitet kishte qenë jomikpritës – ngaqë, tha nëna e nuses, familja e tyre ishin anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.
Pjesëtarët e familjes bënë gjithçka për të zënë miq në shkollë, për të dhënë ndihmesë dhe për t’u pranuar, por pa dobi. Pjesëtarët e familjes u lutën dhe u lutën që zemrat të zbuteshin.
Një natë, pjesëtarët e familjes ndien se lutjet e tyre kishin marrë përgjigje, megjithëse në një mënyrë shumë të paparashikuar. Shtëpia e tyre mori flakë dhe u bë shkrumb e hi. Por diçka tjetër ndodhi. Zjarri i zbuti zemrat e fqinjëve të tyre.
Fqinjët e tyre dhe shkolla e zonës mblodhën veshje, këpucë dhe gjëra të tjera të nevojshme për familjen, e cila kishte humbur gjithçka. Mirësia i hapi udhë mirëkuptimit. Kjo nuk ishte mënyra se si familja shpresonte ose priste që lutjet e tyre të merrnin përgjigje. Sidoqoftë, ata shprehën mirënjohje për atë që mësuan nëpërmjet përvojave të vështira dhe përgjigjeve të paparashikuara ndaj lutjeve të përzemërta.
Me të vërtetë, për ata që kanë zemra besnike dhe sy për të parë, mëshirat e dhembshura të Zotit shfaqen në mes të sfidave të jetës. Sfidat dhe sakrificat e përballuara me besnikëri sjellin vërtet bekimet e qiellit. Në këtë jetë në vdekshmëri, ne mund të humbasim ose të presim për disa gjëra për njëfarë kohe, por në fund do të gjejmë atë që ka më shumë rëndësi.1 Ky është premtimi i Tij.2
Proklamata jonë e dyqindvjetorit, e bërë në vitin 2020 fillon me premtimin e thellë gjithëpërfshirës se “Perëndia i do fëmijët e Tij në çdo komb të botës”3. Secilit prej nesh në çdo komb, fis, gjuhë dhe popull4, Perëndia i premton, besëlidh, dhe i bën ftesën të vijë e të marrë nga gëzimi dhe mirësia e Tij e pashtershme.
Dashuria e Perëndisë për të gjithë njerëzit pohohet kudo në shkrimet e shenjta.5 Ajo dashuri përfshin besëlidhjen e Abrahamit, mbledhjen e fëmijëve të Tij të shpërndarë6 dhe planin e Tij për lumturinë në jetën tonë.
Në shtëpinë e besimit nuk duhet të ketë të huaj, as bujtës7, as të pasur dhe as të varfër8, as “të tjerë” të jashtëm. Si “bashkëqytetarë të shenjtorëve”9, ne ftohemi ta ndryshojmë botën për mirë, nga brenda jashtë, një njeri, një familje, një lagje, një e nga një.
Kjo ndodh kur e jetojmë dhe e përhapim ungjillin. Në fillim të kësaj periudhe ungjillore, Profeti Jozef mori një profeci të mrekullueshme se Ati Qiellor dëshiron që kushdo, kudo, ta zbulojë dashurinë e Perëndisë dhe ta përjetojë fuqinë e Tij për t’u rritur e për të ndryshuar.
Ajo profeci u mor këtu, në shtëpinë prej druri të familjes Smith në Palmira të Nju‑Jorkut.10
E përfunduar në vitin 1998, shtëpia e familjes Smith është rindërtuar mbi themelin e saj fillestar. Dhoma e gjumit në katin e dytë zë të njëjtën hapësirë fizike me përmasa 5,5 x 9 x 3 metra ku Moroni, si një lajmëtar i lavdishëm nga Perëndia, erdhi tek i riu Jozef në mbrëmjen e 21 shtatorit 1823.11
Juve ju kujtohet çfarë rrëfeu Profeti Jozef:
“[Moroni] tha: … ‘Perëndia kishte një punë për mua për ta bërë dhe se emri im do të mbahej për mirë e për keq mes të gjitha kombeve, fiseve dhe gjuhëve. …
[Moroni] tha se një libër ishte fshehur … se plotësia e Ungjillit të përjetshëm përmbahej në të.’”12
Këtu ndalemi. Ne adhurojmë Perëndinë, Atin e Amshuar dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin, jo Profetin Jozef, as ndonjë burrë apo grua tjetër të vdekshme.
Prapëseprapë, merrni parasysh mënyrën se si përmbushen profecitë që Perëndia ua jep shërbëtorëve të Tij.13 Disa përmbushen më herët, disa më vonë, por të gjitha përmbushen.14 Ndërsa ia vëmë veshin shpirtit të profecisë së Zotit, ne mund të bëhemi, në vetë mënyrën tonë, pjesë e përmbushjes së profecive dhe premtimeve të Tij – pjesë e ungjillit që po e bekon botën.
Në vitin 1823, Jozefi ishte një djalosh 17‑vjeçar, i panjohur, që jetonte në një fshat të padëgjuar, në një vend që sapo ishte bërë i pavarur. Nëse nuk do të ishte e vërtetë, si mund ta përfytyronte ai të thoshte se do të ishte një mjet në veprën e Perëndisë dhe se do të përkthente me anë të dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë shkrimin e shenjtë që do të bëhej i njohur kudo?
Megjithatë, ngaqë është e vërtetë, unë dhe ju mund të dëshmojmë se ajo profeci po përmbushet, madje ndërkohë që ne ftohemi të ndihmojmë që ta bëjmë atë të ndodhë.
Vëllezër dhe motra, kudo në botë, secili prej nesh që merr pjesë në këtë konferencë të përgjithshme të tetorit 2020, është mes kombeve, fiseve, gjuhëve për të cilat flitet në atë profeci.
Sot, anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme jetojnë në 196 kombe dhe territore, me 3 446 kunje të Kishës në 90 prej tyre.15 Ne përfaqësojmë si gjerësinë gjeografike ashtu vendet ku Kisha është fort e pranishme.
Në vitin 1823, kush do ta kishte përfytyruar që në vitin 2020 do të kishte tri vende, secili me më shumë se një milion anëtarë të kësaj Kishe – Shtetet e Bashkuara, Meksika dhe Brazili?
Ose 23 vende, secili me më shumë se 100 000 anëtarë të Kishës – tre në Amerikën e Veriut, katërmbëdhjetë në Amerikën Qendrore dhe Jugore, një në Europë, katër në Azi dhe një në Afrikë?16
Presidenti Rasëll M. Nelson e quan Librin e Mormonit një “mrekulli mrekullibërëse”17. Dëshmitarët e këtij libri dëshmojnë: “Le t’u bëhet e njohur të gjitha kombeve, fiseve, gjuhëve dhe popujve”18. Sot, konferenca e përgjithshme është në dispozicion në 100 gjuhë. Presidenti Nelson ka dëshmuar për Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij të rivendosur në 138 vende dhe numri ende po rritet.
Duke filluar me 5 000 kopje të shtypura të botimit të parë të Librit të Mormonit në vitin 1830, rreth 192 milionë kopje të të gjithë Librit të Mormonit ose një pjese të tij janë botuar në 112 gjuhë. Përkthime të Librit të Mormonit janë gjithashtu gjerësisht në dispozicion në mënyrë elektronike. Përkthimet e tanishme të Librit të Mormonit përfshijnë pjesën më të madhe të 23 gjuhëve botërore të folura nga 50 milionë njerëz ose më shumë, kolektivisht gjuha amtare e rreth 4,1 miliardë njerëzve.19
Nëpërmjet gjërave të vogla dhe të thjeshta – në të cilat secili prej nesh ftohet të marrë pjesë – gjëra të mëdha bëhen.
Për shembull, në një konferencë kunji në Monro të Jutës, me popullsi 2 200 banorë, pyeta se sa njerëz kishin shërbyer në misione. Pothuajse çdo dorë u ngrit lart. Në vitet e fundit, nga ai kunj, 564 misionarë kanë shërbyer në të gjitha 50 shtetet e Shteteve të Bashkuara dhe në 53 vende – në çdo kontinent përveç Antarktikës.
Meqë përmenda Antarktikën, edhe në Ushuaia, në cepin jugor të Argjentinës, unë pashë që profecia po përmbushej kur misionarët tanë e përhapën ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit në një vend që quhet “skaj[i i] tokës”20.
Pamja që formohet nga kapakët e katër vëllimeve tona të librit Saints [Shenjtorët]21, portretizon një tapiceri mbarëbotërore të fryteve të të jetuarit të ungjillit që u vijnë shenjtorëve besnikë kudo ku janë. Historia e Kishës sonë është e ankoruar në dëshminë e jetuar dhe udhëtimin ungjillor të çdo anëtari, përfshirë Meri Uitmerin, motrën besnike së cilës Moroni i tregoi fletët e Librit të Mormonit.22
Duke ardhur në janar të vitit 2021, tri revistat tona të reja mbarëbotërore të Kishës – Miku, Për Forcën e Rinisë dhe Liahona – i ftojnë të gjithë njerëzit të përkasin në komunitetin tonë mbarëbotëror të besimit dhe të tregojnë atje përvojat dhe dëshminë e tyre.23
Vëllezër dhe motra, ndërsa e rritim besimin tonë tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti, marrim bekimet që gjenden në të jetuarin e të vërtetave të ungjillit të rivendosur dhe të besëlidhjeve të shenjta, dhe studiojmë, përsiatim e flasim në lidhje me Rivendosjen e vazhdueshme, ne marrim pjesë në përmbushjen e profecisë.
Ne po e ndryshojmë veten tonë dhe botën në një model ungjillor që e bekon jetën e njerëzve kudo.
Një motër afrikane thotë: “Shërbimi në priftëri i bashkëshortit tim e bën atë më të duruar e më të sjellshëm. Dhe unë po bëhem një bashkëshorte dhe nënë më e mirë.”
Një këshillues ndërkombëtar biznesi tashmë i respektuar në Amerikën Qendrore thotë që, përpara se të zbulonte ungjillin e rivendosur të Perëndisë, ai jetonte pa qëllim në rrugë. Tani ai dhe familja e tij kanë gjetur identitet, qëllim e forcë.
Një djalosh në Amerikën e Jugut rrit pula dhe i shet vezët për të ndihmuar në blerjen e dritareve për shtëpinë që po ndërton familja e tij. Ai paguan fillimisht të dhjetën e vet. Me plot kuptimin e fjalës ai do t’i shohë pragjet e qiellit të hapen.
Në rajonin Katër Këndet, një komunitet në pjesën jugperëndimore të Shteteve të Bashkuara, një familje nga indianët vendas të Amerikës rrit një shkurre të bukur trëndafili që lulëzon në shkretëtirë, simbol i besimit në ungjill dhe i mbështetjes te vetja.
Një i mbijetuar i luftës së hidhur civile, një vëlla në Azinë Juglindore, ishte i dëshpëruar se jeta nuk kishte asnjë kuptim. Ai gjeti shpresë në një ëndërr në të cilën një ish‑shok klase mbante një tabaka sakramenti dhe dëshmoi për ordinancat shpëtuese dhe Shlyerjen e Jezu Krishtit.
Ati Qiellor na fton kudo që ta ndiejmë dashurinë e Tij, që të mësojmë e të rritemi nëpërmjet arsimimit, punës së ndershme, shërbimit të mbështetur te vetja dhe modeleve të mirësisë e lumturisë që gjejmë në Kishën e Tij të rivendosur.
Kur arrijmë t’i mirëbesojmë Perëndisë, nganjëherë nëpërmjet përgjërimit në çastet tona më të errëta, më të vetmuara, më të pasigurta, ne mësojmë se Ai na njeh më mirë dhe na do më shumë sesa e njohim apo e duam veten tonë.
Kjo është arsyeja pse kemi nevojë për ndihmën e Perëndisë, që të vendosim drejtësi, barazi, paanshmëri dhe paqe afatgjatë në shtëpitë dhe komunitetet tona. Historia, vendi dhe përkatësia jonë më e vërtetë, më e thellë, më e mirëfilltë vjen kur e ndiejmë dashurinë shëlbuese të Perëndisë, kërkojmë hirin dhe mrekullitë nëpërmjet Shlyerjes së Birit të Tij dhe krijojmë marrëdhënie të qëndrueshme me anë të besëlidhjeve të shenjta.
Mirësia dhe urtësia fetare janë të nevojshme në botën e sotme të rrëmujshme, të zhurmshme e të ndotur. Në ç’mënyrë tjetër mund ta gjallërojmë, frymëzojmë dhe lartësojmë shpirtin njerëzor?24
Mbjellja e pemëve në Haiti është vetëm një nga qindra shembuj të njerëzve që mblidhen së bashku për të bërë mirë. Anëtarët e komunitetit vendor, përfshirë 1 800 anëtarë të Kishës sonë, të cilët i dhuruan pemët, u mblodhën për të mbjellë gati 25 000 pemë.25 Nga ky projekt shumëvjeçar i ripyllëzimit tashmë janë mbjellë mbi 121 000 pemë. Parashikohet mbjellja e dhjetëra mijërave më shumë.
Kjo përpjekje e bashkuar siguron hije, ruan dheun, pakëson përmbytjet e ardhshme. Ajo zbukuron lagjet, ndërton unitet, kënaq shijen dhe ushqen shpirtin. Nëse i pyetni haitianët se kush do t’i vjelë frutat nga këto pemë, ata thonë: “Kushdo që është i uritur”.
Rreth 80 përqind e popullsisë në botë i është bashkuar një feje.26 Komunitetet fetare i përgjigjen me gatishmëri nevojave të menjëhershme pas fatkeqësive natyrore, si dhe nevojave të vazhdueshme për ushqim, strehim, arsimim, shkrim e këndim dhe trajnim për punësim. Anembanë botës, anëtarët, miqtë dhe Kisha jonë i ndihmojnë komunitetet t’i përkrahin refugjatët dhe të sigurojnë ujë, higjienë publike, pajisje për lëvizjen e njerëzve me aftësi të kufizuara, kujdes për shikimin – një njeri, një fshat, një pemë, një e nga një.27 Kudo, ne përpiqemi të jemi prindër të mirë dhe qytetarë të mirë, të japim ndihmesë në lagjet dhe shoqëritë tona, përfshirë ndihmesën e dhënë nëpërmjet Latter-day Saint Charities [Organizatës Bamirëse të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme].28
Perëndia na jep liri morale të zgjedhjes – dhe përgjegjësi morale. Zoti shpall: “Unë, Zoti Perëndi, ju bëj të lirë, si rrjedhim, ju jeni të lirë vërtet”29. Kur shpall “çlirimin e atyre që janë në robëri”30, Zoti premton se Shlyerja e Tij dhe shtegu i ungjillit mund t’i këputë rripat materialë dhe shpirtërorë.31 Plot mëshirë, kjo liri shëlbuese shtrihet tek ata që janë larguar nga jeta në vdekshmëri.
Disa vjet më parë, një prift në Amerikën Qendrore më tha se po studionte doktrinën e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme mbi “pagëzimin për të vdekurit”. “Duket e drejtë”, tha prifti, “që Perëndia do t’i ofronte çdo personi mundësi për ta pranuar pagëzimin, pa marrë parasysh se kur dhe ku jetoi ai, përveçse fëmijëve të vegjël, të cilët ‘janë gjallë në Krisht’32. Apostulli Pal”, vërejti prifti, “flet për të vdekurit që presin pagëzimin dhe ringjalljen.”33 Ordinancat mëkëmbëse në tempull u premtojnë të gjitha kombeve, fiseve dhe gjuhëve se asnjë njeri nuk do të “jet’ n’skllav’ri të vdekjes, ferrit o varrit”34.
Ndërsa zbulojmë Perëndinë, ndonjëherë përgjigjet e papritura të lutjeve na marrin nga rruga, na sjellin në komunitet, e largojnë errësirën nga shpirtrat tanë dhe na udhërrëfejnë për të gjetur strehë shpirtërore dhe përkatësi në mirësinë e besëlidhjeve dhe në dashurinë e Tij të qëndrueshme.
Gjërat e mëdha shpesh fillojnë të vogla, por mrekullitë e Perëndisë shfaqen çdo ditë. Sa mirënjohës jemi për dhuratën hyjnore të Frymës së Shenjtë, Shlyerjen e Jezu Krishtit dhe doktrinën, ordinancat dhe besëlidhjet e zbuluara që gjenden në Kishën e Tij të rivendosur, e cila mban emrin e Tij.
E pranofshim me gëzim ftesën e Perëndisë për të marrë dhe për të ndihmuar në përmbushjen e bekimeve të Tij të premtuara dhe të profetizuara në të gjitha kombet, fiset dhe gjuhët, lutem, në emrin e shenjtëruar dhe të shenjtë të Jezu Krishtit, amen.