2012
Gjëra të Mira Vazhdojnë të Vijnë
Tetor 2012


Kur Prapë të Takohemi

Gjëra të Mira Vazhdojnë të Vijnë

Si një person që ndien keqardhje për të tashmen e cila shndërrohet kaq shpejt në të shkuar, isha mirënjohëse për kujtuesin që thjesht të shijoja çastin dhe të shikoja nga e ardhmja.

Ishte një mbrëmje të premteje pak a shumë si të tjerat. Mikeshat e mia të ngushta dhe unë ishim ulur në apartamentin tim pasi kishim ndjekur një film, duke biseduar qetësisht dhe pastaj duke qeshur fort herë pas here. Një ndjenjë kënaqësie e çiltër mbushte ajrin, dhe unë nuk mund të mos buzëqeshja teksa historitë dhe mendimet shtilleshin nëpër dhomë. Disa prej personave i kisha takuar vetëm një muaj më parë; disa i kisha njohur për gjatë gjithë 25 viteve të mia.

Në një pikë të caktuar, një prej këtyre mikeshave afatgjata dhe unë arritëm te ndarja e kujtimeve rreth disa prej miqve tanë të kolegjit të pak viteve më parë. Teksa flisnim, mendova se sa më kishte marrë malli për këta miq, se sa shumë ishim argëtuar dhe se sa të afërt kishim qenë. Tashmë ishim diplomuar dhe ishim zhvendosur nëpër vende kudo në botë, duke u gjendur në situata që kurrë nuk mund t’i kishim parashikuar. Psherëtiva nga ndjenjat kalimtare të humbjes, pastaj pashë qark dhomës fytyrat e qeshura që më rrethonin në atë moment, dhe u befasova nga mendimi i papritur: gjëra të mira vazhdojnë të vijnë.

Ai mendim i thjeshtë qe në fakt shumë i thellë për mua, veçanërisht meqenëse gjithmonë e kam pasur të vështirë të përballesha me ndryshimin dhe jam ngurruese që t’i lë gjërat e mira të shkojnë. Më merr malli për të shkuarën edhe kur është akoma në të tashmen, e dëshpëruar për të shijuar plotësisht çastet në të cilat jetoj në mënyrë të ndërgjegjshme dhe të përcaktuar. E di kur kam një gjë të mirë, dhe dëshiroj të kapem pas saj dhe të mos e lë kurrë; kjo mbrëmje të premteje e plogësht dhe e gëzuar ishte një prej atyre çasteve të mira. Zakonisht, kur e kuptoj se si janë gjërat e mira, menjëherë filloj të mendoj se si çdo gjë po fluturon, dhe që në fund do të humbasë me kohën apo rrethanat.

Por këtë mbrëmje, keqardhja e brendshme nuk erdhi. Ulur qetësisht, e rrethuar nga njerëz që i doja, e dija që, megjithëse disa gjërave të mira natyrisht duhet t’u vijë fundi dhe se pa dyshim do të kishte shumë gjëra të vështira në të ardhmen, gjërat e mira do të vazhdonin të vinin. Dhe gjithmonë do të vinin – për sa kohë i lejoja unë. Ashtu si bëjnë përpara ata që dua, zbrazëtitë do të mbusheshin me njerëz e përvoja të reja dhe mahnitëse që as nuk i kisha përfytyruar ndonjëherë.

Ndonjëherë është e vështirë të bësh përpara, por duhet ta bëjmë. Dhe të bësh përpara nuk do të thotë të harrosh miqësi, [apo] t’i detyrosh kujtimet të fshihen. Do të thotë ta hapim zemrën tonë ndaj një lumturie edhe më të madhe dhe ndaj më shumë përvojave.

Disa javë pas asaj të premteje, u lirua presidenca e degës sime të të rinjve në moshë madhore. Ashtu siç mund ta vërtetojë çdokush nga një degë e vogël, qe e vështirë të mendoje për atë që do të ndodhte nëse dega jonë nuk do të qe në gjendje të kishte besim tek këta burra dhe gratë e tyre, të cilët kishim arritur t’i donim dhe t’i mirëbesonim. Por mbylla sytë dhe i përsërita vetes fjalët që më kishin befasuar atë të premte: gjëra të mira vazhdojnë të vijnë. Isha e qetësuar dhe gati për ndryshimin.

Ndryshimi është rruga e Zotit. Ai dëshiron që ne të jemi të lumtur dhe të rritemi, të jemi të emocionuar për të bërë përpara në jetën tonë. Jeta është një udhëtim dhe, teksa ende gëzojmë të tashmen dhe përgatitemi për sfida të pashmangshme, ne duhet të shkojmë përpara, duke mbetur optimistë, me zemrat tona të hapura para përvojave dhe gjërave të mira që pa dyshim janë rrugës.

Fotoilustrim nga Matthew Reier