Të Forcuar nga Fjala
Adoleshentët dëshmojnë për kohën kur shkrimet e shenjta u dhanë atyre mësim, i ngushëlluan dhe i udhëzuan ata.
Ne u kërkuam të rinjve që të na tregojnë rreth një kohe kur një shkrim i shenjtë që e dinin përmendsh, kishte qenë i dobishëm për ta, siç ishte rasti rreth të cilit foli Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, në konferencën e përgjithshme të tetorit të 2011-ës (shih kolonën anash). Këtu janë disa nga përgjigjet e tyre.
Paqe Shpirtit Tim
“Biri im, paqe i qoftë shpirtit tënd; fatkeqësia jote dhe mjerimet e tua do të jenë veçse një çast i shkurtër” (DeB 121:7).
Shkrimi i shenjtë që më ka dhënë mua ngushëllimin më të madh ndër vite është Doktrina e Besëlidhje 121:7, kur Profeti Jozef Smith ishte në burgun e Libertisë duke i thirrur Atit Qiellor për ndihmë. Unë e mësova përmendsh këtë varg në seminar dhe e kujtoj kur kam nevojë për ngushëllim. Ai më kujton se Ati im në Qiell më do dhe është në dijeni të sprovave të mia. Unë e kam përdorur këtë varg që të më sjellë paqe në kohë zhgënjimi dhe dobësie.
Ky varg më ndihmoi kur isha në një festë që u shndërrua në një mjedis ku e dija se nuk duhej të ndodhesha. Me mirësjellje u thashë miqve të mi ‘jo’ kur më kërkuan të pija alkool apo duhan. Ky varg më dha forcën që më duhej për t’u dalë zot bindjeve të mia.
Ky varg më ndihmoi edhe për të marrë një vendim të vështirë. Mikesha ime dhe unë patëm qenë të pandara për pesë vite. Ne luanim sporte së bashku, shkonim në udhëtime së bashku dhe dilnim çdo fundjavë. Por ajo filloi të rrinte me një grup më të vjetër miqsh me të cilët unë nuk doja të kisha lidhje. Në fund ajo më bëri të zgjedh midis miqësisë me të ose qëndrimit te bindjet e mia lidhur me Fjalën e Urtësisë dhe ligjin e dëlirësisë. Unë u dërrmova. Nuk e kisha menduar kurrë se të ngrihesha për atë që besoja mund të ishte aq e rëndë. Por zgjodha të bëj miq të rinj, duke pasur gjithmonë në mendje premtimin e Atit Qiellor drejtuar Jozef Smithit se çdo gjë do të shkojë mirë.
Asgjë nuk ia vlen që të rrezikoj bindjet e mia, dhe unë përjetova një gëzim të vërtetë dhe të përhershëm kur zgjodha të drejtën. Ky shkrim i shenjtë e ka forcuar dëshminë time dhe më ka ndihmuar kur kam pasur nevojë për të.
Loren J. 16 vjeçe, Arkansas, SHBA
Gjërat e Dobëta të Bëhen të Forta
Muaj përpara hyrjes në provim për në shkollën e mesme, unë nuk ndihesha i përgatitur. Isha i sigurt se do të ishte e pamundur të dilja mirë. Kështu që iu drejtova Atit tim Qiellor në lutje. Ndërsa po lutesha, më erdhën në mendje këto fjalë: “Dhe në qoftë se njerëzit vijnë tek unë, unë do t’u tregoj atyre dobësinë e tyre. Unë u jap njerëzve dobësi, që ata të jenë të përulur dhe hiri im është i mjaftueshëm për të gjithë njerëzit që përulen para meje; pasi në qoftë se ata përulen para meje dhe kanë besim tek unë, atëherë unë do të bëj që gjërat e dobëta, të bëhen të forta në ta” (Ethëri 12:27).
Unë e kuptova se kur unë i lutem Atit Qiellor për forcë që të përballoj sfidat dhe provat, Ai më bekon dhe më ndihmon t’i kapërcej dobësitë e mia. Paraqitja e shqetësimit tim te Zoti ishte vendimi më i mirë që mund të merrja. Ai është mësuesi më i mirë dhe unë e di se Ai më ndihmoi.
Irvin O. 16 vjeç, Salvador
Lutuni Kurdoherë
“Lutu gjithmonë që të mund të dalësh fitues; po, që ti të mund të mposhtësh Satanin dhe që ti të mund t’u shpëtosh duarve të shërbëtorëve të Satanit që vërtet përkrahin veprën e tij” (DeB 10:5).
Ky varg më ndihmon të përballoj tundimet. Kur jam gati duke bërë diçka që e di se është e gabuar, ky varg dhe mesazhi i tij vijnë në mendjen time. Çdo herë të vetme kur unë lutem pasi e kam atë nxitje, unë marr ndihmën që më duhet, për të kapërcyer tundimet me të cilat jam përballur.
Xhezi F. 17 vjeç, Juta, SHBA
Unë Jam me Ty
“Ji i duruar në mundime, sepse do të kesh shumë; por duroji ato, pasi, vër re, unë jam me ty, madje deri në mbarim të ditëve të tua” (DeB 24:8).
Mësimi përmendsh i këtij shkrimi të shenjtë ka qenë një bekim, veçanërisht kur jam ndier e trembur ose e vetmuar. Kurdo që e kujtoj atë, unë marr kurajë dhe ndihem më mirë. Si të rinj dhe të reja, ne kemi nevojë për udhëzim dhe mbështetje, veçanërisht kur përballemi me sprova dhe sfida të vështira. Edhe pse ndonjëherë e ardhmja duket e pasigurt ose shkurajuese, unë e di se mund të besoj te Zoti dhe të marr përqafimin e Tij të ngrohtë.
Kur isha e vogël, më kishin mësuar në shtëpi dhe në Fillore se Zoti do të jetë gjithmonë pranë meje nëse unë do të bëja pjesën time. Në saje të atyre mësimeve dhe gjithashtu të këtij shkrimi të shenjtë, unë e di se mund të mbështetem gjithmonë tek Ai.
Sofia I. 15 vjeçe, Uruguaj