2012
Rreth Kishës
Tetor 2012


Rreth Kishës

Apostulli Përkushton QTM-në e Re në Filipine

Qendra e Trajnimit të Misionarëve në Filipine, të cilën Plaku Rasëll M. Nelson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, e përkushtoi më 20 maj 2012, mund të strehojë deri në 144 misionarë nga Filipinet, Kamboxhia, Hong-Kongu, India, Indonezia, Mongolia, Pakistani, Sri-Lanka, Tajvani dhe Tajlanda. Këta misionarë trajnohen në gjuhët e vendeve të tyre amtare.

Dy ndërtesat e qendrës së re përmbajnë një sallë leksionesh, kabina përkthimi, një laborator kompjuterash, një zonë lavanderie, dhoma për mësimdhënie me pajisje audiovizive të montuara, fjetore për misionarët, klasa mësimi dhe zyra.

Kur dha lutjen për të përkushtuar godinën e re, Plaku Nelson shprehu mirënjohje për Shlyerjen e Jezu Krishtit dhe për misionarët besnikë e anëtarët e Kishës në mbarë botën që e duan dhe i shërbejnë Zotit. Ai kërkoi një bekim për Republikën e Filipineve që “të mbajë dyer të hapura të mikpritjes” ndaj të gjithë shërbëtorëve të Zotit dhe u lut që njerëzit e kombit të bekohen me “liri dhe përgjegjshmëri për t’u rritur në drejtësi, si fizikisht ashtu edhe shpirtërisht”.

Tempulli i Manausit në Brazil Është Tempulli i 138-të i Kishës në Mbarë Botën dhe i Gjashti në Brazil

Presidenti Diter F. Uhtdorf, Këshilltar i Dytë në Presidencën e Parë, përkushtoi Tempullin e Manausit në Brazil – tempulli i 138-të i Kishës në mbarë botën dhe i gjashti në Brazil – më 10 qershor 2012.

Besimi dhe angazhimi i shenjtorëve të ditëve të mëvonshme që jetojnë në Brazil, ku ka më shumë se një milion anëtarë, mund të përngjasohen me lumin e Amazonës, tha Presidenti Uhtdorf – që të dy palët rrjedhin të thellë e të fortë.

Për thuajse 20 vite, anëtarët e Kishës nga Manausi, një qytet i veçuar nga lumenj dhe pyje tropikalë të mëdhenj, kanë udhëtuar me grupe për të marrë pjesë në tempullin e San-Paolos në Brazil – një udhëtim 15-ditor vajtje-ardhje, me barkë dhe autobus – dhe më vonë në tempullin e Karakasit, në Venezuelë – një udhëtim 8-ditor me autobus.

Plaku Klaudio R. M. Kosta, i Të Shtatëdhjetëve, shërbeu si president i Misionit të Brazilit, Manaus, kur ai u hap në vitin 1990.

“Kam besim se Tempulli i Manausit do të jetë shumë i zënë me punë, për cilëndo ditë, sepse këta njerëz e duan tempullin”, tha Plaku Kosta. “Ata i mësojnë fëmijët e tyre që ta duan tempullin. Tempulli është shumë i çmuar për ta.”

Anëtarë të Kishës nga Samoa Festojnë 50-Vjetorin e Pavarësisë dhe të Kunjit të Parë

Të premten, më 1 qershor 2012, rreth 350 shenjtorë të ditëve të mëvonshme në Samoa u bashkuan me samoas të tjerë për të marshuar në një paradë të festimit të pavarësisë nëpër rrugët e Apias. Pesëdhjetë vite më parë, në 1962-shin, vendi fitoi pavarësinë e tij nga Zelanda e Re.

Morën pjesë organizata, shkolla, kisha vendore dhe organizata ndërkombëtare. Studentë shenjtorë të ditëve të mëvonshme zbavitën dhjetëra mijëra shikues me bandën e tyre marshuese.

Por fundjava përfshiu një tjetër pikë festimi për shenjtorët samoas të ditëve të mëvonshme; 50 vite më parë u organizua gjithashtu kunji i parë në vend, në Apia.

Të dielën, më 3 qershor, Plaku Xhejms J. Hamula dhe Plaku Kevin W. Pirson, të Të Shtatëdhjetëve, të dy anëtarë të Presidencës së Zonës së Paqësorit, u folën shenjtorëve të ditëve të mëvonshme dhe të ftuarve në një mbledhje të veçantë që iu transmetua shtëpive të mbledhjeve SHDM në mbarë vendin.

Duke vështruar përpara, shenjtorët e ditëve të mëvonshme në Samoa synojnë të vazhdojnë të shërbejnë e t’i forcojnë familjet, fshatrat dhe kombin e tyre, tha Plaku Hamula, që shërben si President i Zonës. “Ne po rritemi shkëlqyeshëm si Kishë këtu dhe ne po rritemi në familjet tona dhe jetën personale, ndërsa përpiqemi të ndjekim mësimet dhe shembullin e Jezu Krishtit”, tha ai.

Në Qendrën e re të Trajnimit të Misionarëve në Filipine, trajnohen në gjuhën e vendeve të tyre amtare deri në 144 misionarë nga Filipinet, Kamboxhia, Hong-Kongu, India, Indonezia, Mongolia, Pakistani, Sri-Lanka, Tajvani dhe Tajlanda.

PFOTOGRAFI NGA NOEL MAGLAQUE