2012
Rinia Braziliane Lidh Historinë e Familjes dhe Punën në Tempull
Tetor 2012


Rinia Braziliane Lidh Historinë e Familjes dhe Punën në Tempull

Zhozé A. Moskão po vinte re një prirje: të rinjtë që po vinin në Tempullin e Kampinas në Brazil po shpenzonin mjaft kohë në pritje.

Vëllai Moskão, drejtori i qendrës së historisë familjare të ndodhur ngjitur me tempullin, e dinte se, për shkak të rrugës që të rinjtë duhet të bënin për të shkuar në tempull, shumica vinte në grupe dhe qëndronin për disa ditë. Nuk mund të shmangej koha e pritjes mes sesioneve në pagëzimore, vakteve ushqimore dhe pritjes për prindërit e udhëheqësit e tyre që po merrnin pjesë në ordinanca të tjera tempulli.

Por ndoshta, mendoi ai, mund t’u ofronte të rinjve një alternativë për të shëtitur në terrenin e tempullit kurdoherë që ata të kishin pak kohë të lirë.

Ashtu bëri.

Një Ftesë

Ai filloi të ftonte të rinj në qendër dhe ofroi t’u mësonte se si të bënin indeksim për FamilySearch.

Në fillim, disa qenë të turpshëm ose ngurrues. Por Vëllai Moskão tha se, kur u foli atyre për shpëtimin e njerëzve nga errësira dhe sjelljen e emrave të tyre në dritë, në bindje ndaj fjalëve të një profeti të gjallë, të rinjtë u prekën (shih Dejvid A. Bednar, “Zemrat e Fëmijëve Do të Kthehen”, Liahona dhe Ensign, nëntor 2011, f. 24–27).

Fakti që tempulli dhe qendra e historisë familjare ndodhen brenda të njëjtës ndërtesë, është kuptimplotë; ai nënvizon në një mënyrë fizike se tempulli dhe puna e historisë familjare janë dy pjesë të një përpjekjeje të madhe. Kjo, tha Xhorxh A. Ouks, president i Tempullit të Kampinas në Brazil, është diçka që po fillojnë të mësojnë të rinjtë në distriktin e tempullit.

“Përpara theksimit për t’i përfshirë ata në historinë familjare dhe indeksimin, udhëtimi i tyre për në tempull ishte kryesisht për qëllimin e pagëzimit për të vdekurit. Tani, përvojat me indeksimin po bëhen pjesë e punës së tyre”, tha ai.

Një Paraqitje

Kur të rinjtë vijnë në qendër, Vëllai Moskão dhe misionarët që punojnë vullnetarisht në qendër, trajtojnë parimet vijuese në një orientim të shkurtër e të thjeshtë:

  • Ata po bëhen çlirimtarë në malin e Sionit (shih Abdia 1:21).

  • Ata po ia vënë veshin thirrjes së një profeti (shih “Zemrat e Fëmijëve Do të Kthehen”).

  • Ata po shpëtojnë njerëz nga errësira – errësira e filmave të harruar prej kohësh dhe e librave të pluhurosur të zyrave të regjistrimit e kishave. Indeksimi i nxjerr në dritë ata emra dhe i bën të gjurmueshëm që familjet e tyre të mund t’i gjejnë.

  • Duke u bashkuar me këtë punë, ata do të marrin pjesë në një aspekt tjetër të “më të lavdishme[s së] të gjitha çështjeve që i përkasin ungjillit të përjetshëm, domethënë pagëzimin për të vdekurit” (DeB 128:17).

  • Ata do ta përdorin kohën e tyre në punën e madhe të shëlbimit të të vdekurve, që bekon familjet.

  • Të gjithë ne jemi pjesë e familjes së Perëndisë, kështu që, me indeksimin e emrave të njerëzve që nuk i njohin, ata ende po ndihmojnë familjen e tyre.

  • Pasi kuptojnë se si të marrin pjesë në indeksim, ata kanë mundësi t’u mësojnë pjesëtarëve të familjes së tyre dhe të rinjve të tjerë në lagjet e degët e tyre që të marrin pjesë gjithashtu.

Vëllai Moskão dhe misionarët i përdorin pastaj kompjuterat e qendrës që t’u tregojnë adoleshentëve se si të fillojnë të indeksojnë dhe se si të instalojnë e të përdorin programin kompjuterik kur të shkojnë në shtëpi. Pasi e kuptojnë, tha Vëllai Moskão, ata “fillojnë të indeksojnë me një forcë si askush tjetër”.

Një Entuziazëm për Punën

Shifrat e pasqyrojnë atë entuziazëm. Gjatë dy muajve të parë të vitit 2012, vizitorët indeksuan 6.370 emra; 3.305 prej tyre u indeksuan nga të rinj të moshave 12 deri 18 vjeç. Në fakt, për t’iu përshtatur interesit në rritje për indeksimin, qendra e historisë familjare në Kampinas shpesh i zgjat oraret e rregullta të punës nga ora 08:00 deri në 18:00 dhe qëndron e hapur vonë deri në orën 22:00.

Por të rinjtë nuk e lënë pas indeksimin kur largohen nga tempulli. Kur shkojnë në shtëpi, ata e vazhdojnë rolin e tyre në atë që Vëllai Moskão e quan “ushtria e më shumë se 170.000 indeksuesve aktivë që ka Kisha sot”. Shumë po realizojnë qëllime të Detyrës ndaj Perëndisë dhe Përparimit Personal me punën e tyre të indeksimit.

Një Ndikim për Mirë

Nga fillimi i këtij viti, Izabela A. 16 vjeçe nga Vila-Velha, Espírito-Santo, Brazil, shkoi në tempull me nënën dhe motrën; dita e fundit e udhëtimit ishte përvjetori i parë i vdekjes së gjyshes së saj. Izabela u pagëzua për gjyshen dhe nëna e saj kreu ordinancat e tjera të tempullit për të.

“E ndieva gjatë këtij udhëtimi se duhej të bëja diçka të mirë”, shpjegoi Izabela. “Dëshiroja të mësoja të indeksoja dhe Vëllai Zhozé Moskão më ndihmoi.

Pastaj, kur po pagëzohesha për gjyshen time, Shpirti më preku thellë. Kuptova se kishte shumë njerëz përtej velit që po presin pafundësisht dhe se atyre u nevojitej ndihma ime. Kuptova se mund të jepja pak nga koha ime për të shërbyer dhe se mund të bëja shumë për këta njerëz. Indeksimi është një punë dashurie.”

Gjatë udhëtimeve për në tempull, të rinjtë në distriktin e Tempullit të Kampinas në Brazil marrin pjesë në indeksimin për Family Search mes sesioneve në pagëzimore.

Fotografi nga José A. Moscão