2012
Organizohet Kunji i Parë në Indi
Tetor 2012


Organizohet Kunji i Parë në Indi

Kishte një ndjesi të prekshme emocioni dhe mirënjohjeje ndërkohë që më shumë se 1.500 anëtarë dhe miq u mblodhën në Qendrën e Kuvendeve në Novotel në Hajderabad të Indisë, për krijimin e Kunjit të Hajderabadit në Indi, kunji i parë në vend, më 27 maj 2012. Kryesoi Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe u shoqërua nga Plaku Donald L. Hallstrom, i Presidencës së Të Shtatëdhjetëve, dhe Plaku Entoni D. Perkins, i Të Shtatëdhjetëve, që shërben si President i Zonës së Azisë. Në konferencë, morën pjesë gjithashtu bashkëshortet e të gjithë këtyre udhëheqësve.

Xhon Guti u mbështet si president i kunjit me Suresh Nataraxhan si këshilltar të parë dhe Raxharatnam Bushi si këshilltar të dytë. Patriarku i parë i Indisë është ish-presidenti i distriktit, Prashad Rao Gudei.

Duke iu drejtuar mbledhjes më të madhe absolute të shenjtorëve në Indi, Rendi D. Fank, president i Misionit të Indisë, Bangalore, tha: “Kjo është një pamje e lavdishme në këtë ditë historike, një ditë që do ta kujtojmë gjithmonë. Do ta kujtojmë gjithmonë se një Apostull i Zotit qe këtu.”

Plaku Perkins u shprehu dashurinë nga Presidenca e Zonës së Azisë anëtarëve në Indi dhe tha: “Ne po shohim fillimet e një pune të mrekullueshme në këtë tokë. Rritja e Kishës dhe formimi i kunjit po bëhen në përputhje me parimet e ungjillit të përjetshëm dhe modeleve të krijuara të priftërisë.”

Duke treguar se ai ishte një dëshmitar i dytë në thirrjen e presidencës së re të kunjit, Plaku Hallstrom shpjegoi procesin zbulues të përzgjedhjes së udhëheqjes së re të kunjit. Si anëtar i Të Shtatëdhjetëve, atij i jepet detyra dhe vjen pa anësi ose paragjykim, tha ai. Ai erdhi sipas mënyrës së Zotit, i varur nga Shpirti i Tij për të marrë zbulesë. “Vullneti i Zotit është që Presidenti Guti të jetë presidenti i kunjit”, tha Plaku Hallstrom.

Kristen Ouks, që shoqëroi bashkëshortin, foli për t’u mësuar fëmijëve që ata të besojnë “që nënat [e tyre] e dinin atë” (shih Alma 56:48).

Si folësi i fundit në mbledhje, Plaku Ouks i shprehu mirënjohje kombit të Indisë, një vend me liri fetare që lejon që anëtarët e Kishës “të mblidhen e të shprehin parimet e besimit tonë”.

Plaku Ouks dëshmoi se kishte pasur një dëshmi të Shpirtit se Zoti i kishte përgatitur dhe zgjedhur udhëheqësit që u thirrën. Plaku Ouks foli gjithashtu për përgjegjësitë e reja të një kunji.

Në Dhiatën e Vjetër, profeti Isaia e krahasoi Izraelin me një çadër që strehoi fëmijët e Izraelit, tha ai. “Kisha sot është çadra. Të gjithë ne e dimë se një çadër duhet të mbështetet me kunja. Tani që Hajderabadi është një kunj i Sionit, do të pritet prej jush që të ecni përpara dhe të siguroni mbështetje më të madhe në lidhje me të dhjetat dhe misionarët.”

Si rezultat i formimit të një kunji, anëtarët në Hajderabad do të jenë në gjendje të marrin bekime patriarkale. Plaku Ouks shpjegoi se çfarë përmbahet në një bekim patriarkal, duke iu referuar bekimeve si “shkrime të shenjta private”.

“Një bekim patriarkal deklaron prejardhjen tuaj familjare në fiset e Izraelit, përmes së cilës merren bekime të mëdha”, tha Plaku Ouks. “Një bekim patriarkal deklaron gjithashtu bekime dhe premtime që mund t’i pretendojmë nëse jemi besnikë.”

“Ndërsa Kisha në Indi rritet, do të vijë koha kur profeti do të frymëzohet për të ndërtuar një tempull në Indi”, vazhdoi ai. “Çdo kunj i krijuar përmirëson mundësinë që do të ekzistojë një tempull. Ndërsa njerëzit tregojnë denjësi dhe angazhim, një tempull vijon.”

Në mbyllje, Plaku Ouks kërkoi një bekim: “Në këtë kunj të parë në vendin e madh të Indisë, unë ju bekoj të kujtoni mësimet e këtij momenti. Unë ju bekoj të kujtoni besëlidhjet që keni bërë kur jeni pagëzuar. Unë ju bekoj me një kujtesë dhe vendosmëri për të mbajtur urdhërimet e Perëndisë, që ju të mund të gëzoni bekimet e Tij.”

Presidenca e kunjit të sapoformuar në Hajderabad në Indi (nga e majta në të djathtë): Suresh Nataraxhan, këshilltar i parë; Xhon Guti, president; Raxharatnam Bushi, këshilltar i dytë.

Afërsisht 600 të rinj në moshë madhore beqarë nga India, Nepali dhe Sri-Lanka, u mblodhën për një konferencë përpara krijimit të kunjit të parë në Indi.

Me mirësinë e

Ndërsa po vizitonin Hajderabadin në Indi, Plaku Ouks dhe udhëheqës të tjerë të Kishës u takuan me qindra anëtarë nga India, Nepali dhe Sri-Lanka.

Me mirësinë e

Fotografi nga James Dalrymple