2012
Ndihma për Rininë që të Ketë Përvoja Shpirtërore
Tetor 2012


Ndihma për Rininë që të Ketë Përvoja Shpirtërore

Askush nuk mund t’i detyrojë të rinjtë të kenë përvoja shpirtërore, por ashtu si zbuluan këta prindër dhe udhëheqës, ka shumë mënyra për të ushqyer përvoja që çojnë drejt kthimit në besim.

Kur Vjaçeslav dhe Zoja Gulko nga Ukraina filluan të kërkonin për Kishën, vajza e tyre 13-vjeçare, Kira, nuk u ngazëllye. Ajo refuzoi që të merrte pjesë në mësimet e misionarëve dhe, kur mori vesh që misionarët po vinin në shtëpinë e tyre, ajo “në mënyrë demonstrative mbylli derën e dhomës së saj”, kujton e ëma.

Vëllai dhe Motra Gulko, të cilët vendosën të bashkoheshin me Kishën, menduan se nëse ata thjesht mund të siguronin një mundësi për Kiran që të ndiente Shpirtin, zemra e saj do të mund të prekej. Për shkak se dëshmia vetjake e Motrës Gulko filloi kur ajo mori pjesë në pagëzimin e një personi tjetër, ajo i kërkoi Kiras të vinte në pagëzimin e saj – thjesht për ta ndihmuar atë të ndërronte rrobat e lagura më vonë. Për habi të Motrës Gulko, Kira pranoi.

“Ajo ndodhi!” kujton Motra Gulko. “Ati Qiellor po punonte në një mënyrë shumë të mrekullueshme.” Kira vërtet e ndieu Shpirtin dhe, një javë pas pagëzimit të prindërve të saj, ajo ra dakord që të takohej me misionarët. Ajo nisi të lexonte Librin e Mormonit. Pak javë më vonë, Motra Gulko vuri re një copë letre të varur mbi tavolinën e Kiras; mbi të qenë shkruar fjalët e 2 Nefit 2:25. Dy muaj e gjysmë pas pagëzimit të tyre, çifti Gulko mori pjesë në pagëzimin e së bijës. Tani, 20 vite më vonë, Kira është martuar. Ajo dhe bashkëshorti i saj, Dejvi, janë vulosur në tempull dhe po rrisin në ungjill dy djemtë e tyre. Ajo ka shërbyer besnikërisht në shumë thirrje dhe ka qëndruar aktive në Kishë.

Përmes asaj përvoje, Zoja thotë se ajo mori një mësim vendimtar që është po aq i zbatueshëm për prindërit që janë anëtarë të Kishës gjithë jetën, sikurse ishte për atë dhe bashkëshortin e saj si anëtarë të rinj: prindërit dhe udhëheqësit nuk mund t’i detyrojnë fëmijët e tyre në ungjill, por mund t’i ftojnë ata në vende dhe të krijojnë përvoja ku të rinjtë mund të kenë përvojat e tyre shpirtërore. Më pas, ato përvoja mund t’i çojnë drejt kthimit në besim.

Por, cila është mënyra më e mirë për t’i krijuar këto lloj përvojash? Prindërit dhe udhëheqësit nga e gjitha bota tregojnë atë që ka funksionuar për ta.

Jepuni të Rinjve Mundësi për të Shërbyer

Lagjja Granja-Viana në Kunjin e San-Paolos, Kotia në Brazil kishte një përqindje të lartë aktivizimi midis të rinjve të saj. Por udhëheqësit e tyre vunë re se disa prej tyre po përballeshin me sfida vetjake dhe kishin vështirësi për të përmbushur detyrat e tyre të priftërisë.

Pasi peshkopata dhe udhëheqësit e Të Rinjve u këshilluan së bashku, ata vendosën t’i përqendronin më shumë aktivitetet e tyre te shërbimi dhe jo aq shumë te argëtimi ose dëfrimi. Kjo përfshiu vizita tek anëtarët më pak aktivë të kuorumit, marrjen pjesë në kthimin në besim me misionarët kohëplotë dhe administrimin e sakramentit te anëtarët e lagjes të kufizuar nga sëmundja. Këto aktivitete iu ofruan të rinjve një mundësi për të vepruar sipas parimeve që ata po mësonin në seminar dhe të dielave (shih 2 Nefi 2:26).

Me kalimin e kohës, “këto aktivitete shpirtërore patën një ndikim të madh për mirë”, raportoi një udhëheqës i priftërisë.

“Ne u mahnitëm kur në një të diel të veçantë agjërimi, të gjithë të rinjtë tanë ndanë dëshmitë e tyre”, tha ai. “Ndërsa e bënë këtë, shumë prej tyre kujtuan me lot frymën e mirë që ata kishin ndier në ato raste. Një i ri tregoi përvojën e administrimit të sakramentit te një anëtar më i moshuar i lagjes sonë, i cili ishte dergjur në shtrat për tre vite. Bashkëshortja e tij, një motër besnike, e pranoi të riun tonë me gëzim dhe shpresë. Pas ordinancës, ajo ndau me ta lumturinë që ndiente në jetën e saj për shkak të ungjillit, pavarësisht problemeve dhe sfidave të mëdha që ajo po haste. Ata e ndien Shpirtin dhe e kuptuan ndryshimin që ungjilli bën në jetën e njerëzve. Kjo përvojë ishte aq e fuqishme saqë ata do ta kujtojnë për vitet që do të vijnë – ndoshta për gjithë jetën e tyre.”

Ai vë në dukje se nuk e ka parë kurrë atë lloj përgjigjeje nga asnjë “lojë futbolli ose Aktivitet të Përbashkët argëtues”. Përkundrazi, thotë ai, përvoja i mësoi atij rëndësinë e nxitjes së atyre lloj përvojash në të cilat rinia mund të ndiejë Shpirtin.

“Aktivitetet sociale janë të rëndësishme”, vazhdon ai. “Por përvojat shpirtërore janë vendimtare për të ndihmuar të rinjtë të ndërtojnë dëshmitë e tyre vetjake.”

Çdo të diel në Lagjen Rene, Kunjin Anzher në Francë, Motra Delfin Letort, si presidente e Të Rejave, i jepte një kartolinë çdo të reje pjesëmarrëse dhe i kërkonte të zgjidhte një bashkëmoshatare që nuk ishte në Kishë dhe t’i shkruante asaj. Të rejat shkruanin rreth mësimit të asaj jave – atë që kishin mësuar ose atë që i kishte frymëzuar – si dhe një shënim miqësor e personal. Më pas, Motra Letort ose një nga këshilltaret e saj i dërgonin kartolinat me postë tek vajzat që nuk ishin në Kishë.

Aktiviteti ishte i thjeshtë por i efektshëm, thotë ajo, jo vetëm si një mënyrë për ato që nuk po merrnin pjesë, që ta dinin se po i kujtonin, por gjithashtu edhe për ato që po i shkruanin shënimet që ta kujtonin më shpesh njëra-tjetrën.

“Nëpërmjet gjërave të vogla dhe të thjeshta gjëra të mëdha bëhen”, tha ajo (shih Alma 37:6). “Ne e kemi parë atë të manifestohet. Të rejat janë inkurajuar dhe kjo përvojë ka kontribuar në rritjen e dëshmive të tyre.”

Lidheni Rininë me Fjalën e Perëndisë

Alma dha mësim se predikimi i fjalës së Perëndisë ka një ndikim të fuqishëm (shih Alma 31:5). Dejvid Elmer, udhëheqës i Të Rinjve në Teksas, SHBA, e dinte këtë dhe dëshironte që t’u siguronte të rinjve që ai udhëhiqte, një udhëtim bojskauti aventuresk me një përvojë kuptimplote, që do t’i ndihmonte ata të përgatiteshin për të ardhmen.

Vëllai Elmer me lutje mendoi se çfarë mund të ndante dhe u ndie i drejtuar te një bisedë nga Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Gjatë udhëtimit, Vëllai Elmer dha mësim nga ai mesazh, përfshirë historinë që Plaku Andersen tregoi për Sidni Going, një yll regbie në Zelandën e Re, i cili la mënjanë karrierën në sport për të shërbyer një mision. “Misioni juaj do të jetë një mundësi e shenjtë për të sjellë të tjerët te Krishti dhe për të ndihmuar në përgatitjen për Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit”, tha Plaku Andersen.1

Përvoja ishte e fuqishme, thotë Vëllai Elmer, sepse ai dha mësim nga fjalët e një profeti të gjallë. Në fund të takimit shpirtëror, të gjithë të rinjtë dhe udhëheqësit nënshkruan emrat e tyre mbi topat e regbisë si një zotim për të shërbyer në misione dhe si një kujtues i prekshëm i asaj që kishin mësuar dhe ndier. Atë natë, shumë nga baballarët dhe udhëheqësit qëndruan pa gjumë duke folur me të rinjtë për mënyrën se si misionet ndikuan në jetën e tyre.

“I yni është Perëndi i veçantë; Ai e njeh rininë e Tij”, thotë Vëllai Elmer. “Ai është i vetëdijshëm për jetën dhe sfidat e tyre dhe për atë që po ndodh me këta fëmijë. Ju kurrë nuk e dini se si po punon Ai në jetën e tyre. Ndaj, ne si udhëheqës përgatisim dhe sigurojmë atmosferën për ta që të ndiejnë Shpirtin. Ju mund ta bëni këtë përmes shkrimeve të shenjta dhe përmes fjalëve të profetëve, por është Zoti, jo ne, që po punon në zemrat e tyre.”

Jini Konsekuentë

Vëllai Elmer thotë se ai dëshiron që të rinjtë të kujtojnë diçka tjetër rreth udhëtimit: studimi i tyre për ungjillin ishte konsekuent.

“Unë ndieva se pjesë e përgjegjësisë sime ishte t’u ofroja atyre përvoja që të ndienin Shpirtin dhe, nëse dëshiroja që ajo të ndodhte, unë duhet të bëja pjesën time që ta planifikoja”, thotë ai. “Plaku Dejvid A. Bednar ka dhënë mësim rreth krijimit të modeleve shpirtërore në jetën tonë, modele si studimi i shkrimeve të shenjta, lutja dhe mbrëmja familjare.2 Dhe ndërsa u larguam atë javë, ne i ruajtëm modelet tona shpirtërore. Ne u lutëm si një grup. Ne caktuam të rinj që të drejtonin një takim shpirtëror prej 10 minutash në mëngjes, dhe udhëheqësit e baballarët e tyre përgatitën takimet shpirtërore për mbrëmjen.

Çështja ishte se, edhe pse ne ishim larg shtëpive dhe aktivitetet tona ishin të ndryshme nga ç’janë zakonisht, modelet tona shpirtërore nuk u ndërprenë. Të rinjtë mund të kujtojnë ose jo mësime të veçanta, por unë shpresoj se ata do ta kujtojnë modelin që ne ruajtëm për të pasur takime shpirtërore, lutje dhe studim të shkrimeve të shenjta.”

Mira Bokobo Garsia nga Filipinet gjithashtu e di vlerën e konsekuencës dhe ajo e di se të mësuarit e saj fillon në shtëpi. Motra Garsia dhe bashkëshorti i saj, Eduin, kanë tre djem dhe gjashtë vajza nga mosha 8 deri në 22 vjeç, secili i përfshirë në aktivitete të ndryshme e të dobishme. Ndërsa kjo mund të nënkuptojë shumë njerëz të përfshirë në aktivitete të ndryshme, familja punon shumë për të ngrënë darkë vazhdimisht së bashku.

“Gatimi dhe përgatitja e ushqimit me lumturi e të ngrënit së bashku është një nga mënyrat më të mira se si ne i mbledhim fëmijët tanë”, thotë Motra Garsia. Ajo vëren se vakti është një kohë për t’u çlodhur, për t’u lidhur me njëri-tjetrin dhe për të njohur bekimet e Zotit.

Përdorni Mundësitë Ekzistuese për të Dhënë Mësim dhe për të Nxënë

Xhoslin Filden nga Nova-Skocia, Kanada, thotë se mësimet më vendimtare që ajo mësoi nga rritja e gjashtë fëmijëve, që tani janë të moshave 20 deri në 30 vjeç, kanë të bëjnë jo vetëm me mësimdhënien e drejtpërdrejtë por edhe me “krijimin e një mjedisi ku fëmijët mund të mësojnë të vërtetat për veten e tyre”.

“Mos u nxitoni që t’i bëni të gjitha zgjedhjet e tyre apo t’u përgjigjeni të gjitha pyetjeve të tyre”, thotë ajo. Përkundrazi, ajo rekomandon t’i drejtoni fëmijët te “shkrimet e shenjta ose këshilla nga profeti ynë për drejtim dhe përgjigje”. Ajo shton: “Dhe jini të gatshëm të diskutoni konkluzionet e tyre”. Veç kësaj, kur fëmijët e saj e pyesin, ndonjëherë përgjigjet duke i bërë një pyetje vetes: “Ç’mendon se duhet të bësh?”

“Kini mirëbesim se ata do të bëjnë zgjedhje të drejta”, thotë ajo. “Kur ne i ndihmojmë fëmijët tanë të mësojnë të njohin Shpirtin në jetën e tyre gjatë shumë momenteve të mësimdhënies që kemi çdo ditë me ta, dhe kur ata e dinë se si mund ta dallojnë Shpirtin, për ta do të jetë një katalizator për të kërkuar më shumë përvoja shpirtërore, duke forcuar si rrjedhim dëshmitë e tyre për realitetin e Atit tonë Qiellor dhe të Birit të Tij, Jezu Krishtit. Kjo shkakton një efekt vale: sa më shumë e ndiejnë dritën dhe ngushëllimin që sjell Shpirti, aq më shumë do ta dëshirojnë atë dhe do përpiqen fort të bëjnë gjërat që do ta bëjnë Shpirtin më të bollshëm në jetën e tyre.”

Ajo menjëherë nxjerr në pah se parimet që kanë qenë të dobishme në jetën e saj familjare, janë ato që udhëheqësit e Kishës kanë dhënë mësim në mënyrë të përsëritur. Për shembull, ajo thotë se ndërsa disa mësime mund të ndodhin gjatë diskutimeve formale si ato që ndodhin në mbrëmjen familjare, studimin familjar të shkrimeve të shenjta dhe lutjen familjare, prindërit mund të udhëhiqen nga Shpirti për të gjetur momente të mësimdhënies.3

“Dalja xhiro, ngarja e makinës për në aktivitete, bërja kosh [luajtja basketboll], mbajtja e vakteve me familjen, të punuarit së bashku, të kënduarit dhe shërbimi ndaj të tjerëve janë thjesht disa aktivitete ku mësimdhënia e ungjillit ka ndodhur në familjen tonë”, thotë ajo. “Të folurit rreth temave të ungjillit shpesh ndodh natyrshëm kur ne angazhohemi me aktivitete të tjera.”

Punoni së Bashku drejt një Qëllimi të Përbashkët

Pak pas diplomimit nga Universiteti “Brigam Jang” – Havai, KaJan Danise Mok u kthye në shtëpi në Hong-Kong dhe pranoi thirrjen si presidente e Të Rejave. Ndërsa po përshtatej me të qenit në shtëpi, për të filluar një karrierë dhe për të vazhduar studimet pasuniversitare, ajo u lut me zell për frymëzim për t’i ndihmuar të rejat me të cilat punonte, të zhvillonin dëshmi për t’i përgatitur ato për të ardhmen.

Një të diel, teksa po jepte mësim për perspektivën e përjetshme, Motra Mok ndieu nxitjen për të lexuar Librin e Mormonit me një të re të veçantë, që ndodhi të ishte e vetmja anëtare në Kishë atë ditë.

“Këshilltarja ime dhe unë iu përgjigjëm shpejt [nxitjes], duke vendosur qëllime për ta përfunduar Librin e Mormonit si një grup me të renë”, thotë Motra Mok. “Ajo e pranoi sfidën pa hezitim meqënëse ne do ta përmbushnim qëllimin së bashku.”

Që nga ajo kohë, Motra Mok, këshilltarja e saj dhe kjo e re krijuan një “sistem për miqtë” në Facebook dhe nëpërmjet dërgimit të mesazheve kujtojnë njëra-tjetrën që të lexojnë dhe ndajnë me njëra-tjetrën atë që po mësojnë.

Motra Mok thotë se ajo pa shenja të një ndryshimi të mahnitshëm në jetën e kësaj të reje për shkak të studimit të saj të shkrimeve të shenjta. Dhe ndërsa Motra Mok i lexoi shkrimet e shenjta në udhëtimin e saj të përditshëm me tren, ajo gjithashtu mori bekime për veten e saj. “Unë gjithashtu e ndieva Shpirtin dhe mora përgjigje për lutjet e mia ndërsa vazhdova të ecja përpara në jetë”, thotë ajo.

“Nga përvoja ime, disa të rinj shqetësohen dhe ndihen të pasigurt rreth asaj nëse ata mund të marrin një dëshmi dhe të kenë përvoja shpirtërore sikurse kanë të tjerët”, vazhdon ajo. “Duke punuar së bashku, ne i sigurojmë ata, me veprimin tonë, se kjo funksionon dhe se ne jemi atje për t’i mbështetur ata në çdo hap të udhës.”

Shënime

  1. Nil L. Andersen, “Të Përgatisësh Botën për Ardhjen e Dytë”, Liahona, maj 2011, f. 51.

  2. Shih Dejvid A. Bednar, “Më të Zellshëm dhe më të Përfshirë në Shtëpi”, Liahona, nëntor 2009, f. 17–20.

  3. Shih, për shembull, Robert D. Hejls, “Detyra Jonë ndaj Perëndisë: Misioni i Prindërve dhe Udhëheqësve ndaj Brezit të Ri”, Liahona, maj 2010, f. 95–98; Dejvid A. Bednar, “Më të Zellshëm dhe më të Përfshirë në Shtëpi”, Liahona, nëntor 2009, f. 17–20.

Plan i parë: fotoilustrim nga Robert Casey © IRI; sfondi: fotoilustrim nga John Luke © IRI

Majtas: fotografi e topit © iStockphoto.com/RTimages; sfondi: fotografi nga Bryan Rowland © IRI; djathtas: fotoilustrim © 1998 IRI

Fotoilustrim © IRI