2012
Den Xhons (1810–1862)
Tetor 2012


Kujtohen Jetë të Shkëlqyera

Den Xhons (1810–1862)

Më shumë se një milion misionarë janë thirrur që prej organizimit të Kishës, por Den Xhonsi ishte më shumë se thjesht një në një milion. Për misionarin e Uellsit, Presidenti Gordon B. Hinkli (1910–2008) tha: “Në kuadër të numrit të të kthyerve në besim, Den Xhonsi duhet të përfshihet me siguri në rreth gjysmë duzinën e misionarëve më frytdhënës në historinë e Kishës”1.

Përpara se të ishte misionar, Deni emigroi nga Uellsi në Shtetet e Bashkuara dhe punoi si kapiten i një anijeje me avull të quajtur Maid of Iowa, në Lumin Misisipi që solli shumë shenjtorë të ditëve të mëvonshme në Nauvu në Illinois. Ai u bashkua me Kishën në vitin 1843 dhe u bë mik i ngushtë me Profetin Jozef Smith.

Misionet e Denit përmbushën profecinë e fundit të shënuar të Jozef Smithit. Natën përpara se Profeti Jozef Smith të vritej, ai dëgjoi të shtëna armësh jashtë dritares së burgut Karthixh, ndaj zgjodhi të flinte në dysheme. Pranë tij qe Den Xhonsi. Profeti e pyeti Denin nëse kishte frikë nga vdekja. Ai u përgjigj: “Mendon se ka ardhur ai çast? I përfshirë në një kauzë të tillë nuk mendoj se vdekja do të ishte shumë e tmerrshme.” Atëherë Profeti profetizoi: “Ti do ta shohësh sërish Uellsin dhe do të përmbushësh misionin që të është caktuar përpara se të vdesësh”2.

Premtimi i Profetit u përmbush në vitin 1845 kur Deni dhe e shoqja, Xhejni, u thirrën për të shërbyer në Uells. Deni e përdori talentin e tij në të folur për ta dhënë mësim ungjillin me bindje të madhe. Ai e fliste rrjedhshëm gjuhën e Uellsit dhe gjuhën angleze dhe dëshmitarët shënuan se ai foli në mënyrë aq magjepsëse sa mund të mbante vëmendjen e auditorit të tij në secilën prej gjuhëve për orë të tëra.

Ndërkohë që ishte në Uells, Deni botoi gazeta periodike, broshura dhe libra të shenjtorëve të ditëve të mëvonshme në gjuhën e Uellsit. Nën drejtimin e Den Xhonsit, misionarët në Uells themeluan 29 degë dhe pagëzuan afro 1.000 njerëz për çdo vit të misionit të tij të parë. Ai u thirr në një mision të dytë në Uells në vitin 1852 dhe pavarësisht shtimit të përndjekjeve ndaj Kishës, u pagëzuan afro 2.000 njerëz në katër vjet.

Pas kthimit të tij në Juta, Deni ndihmoi për të sjellë shumë të kthyer në besim nga Uellsi në Juta. Kur ai vdiq në moshën 51 vjeçare, ai kishte ndihmuar duke sjellë 5.000 njerëz në perëndim të Shteteve të Bashkuara.

Shënime

  1. Gordon B. Hinckley, “The Thing of Most Worth”, Tambuli, mars 1994, f. 8; Ensign, shtator 1993, f. 7.

  2. Joseph Smith, në History of the Church, 6:601.

Nga e majta: Portret i misionarit nga Uellsi Den Xhons. Një anije me avull, e ngjashme me atë që drejtoi Den Xhonsi si kapiten, që po afron drejt zbarkimit në Nauvu në Illinois. Den Xhonsi ndihmon emigrantët nga Uellsi.