Jini i Urtë dhe Jini një Mik
Mësoni dhe fitoni njohuri e urtësi në rininë tuaj. Dhe ngrijini e forcojini njerëzit përreth jush.
Nëse vërtet doni që të keni mundësi për të pasur një jetë të mirë, ju do të dëshironi të ndiqni këshillën që gjendet në shkrimet e shenjta: “Mëso urtësi në rininë tënde; po, mëso në rininë tënde të zbatosh urdhërimet e Perëndisë” (Alma 37:35). Procesi i të mësuarit mund të përmblidhet në mënyrën e mëposhtme:
Ne të gjithë fillojmë me inteligjencë bazë. Ne i shtojmë njohuri asaj nëpërmjet mësimit që marrim në klasë dhe gjatë leximit. Ne i shtojmë përvoja të jetës. Dhe pastaj ne shkojmë te hapi i katërt: urtësia. Atje është vendi ku procesi i të mësuarit të botës ndalet. Por ne kemi diçka që bota nuk e ka. Me pagëzimin dhe konfirmimin, neve na jepet dhurata e Frymës së Shenjtë. Bazuar te besnikëria jonë ndaj ligjeve, ordinancave dhe besëlidhjeve që marrim përsipër në pagëzim, në zotimet e rregullta dhe të vazhdueshme në mbledhjet e sakramentit dhe në besëlidhjet e priftërisë e të tempullit, ne do të kemi gjithmonë dhuratën e Frymës së Shenjtë që do të na mësojë dhe do të na drejtojë. Shpirti na udhëheq për të vepruar dhe për të bërë. Ne të gjithë kemi dhurata shpirtërore dhe talente (shih DeB 46).
Urtësia plus dhuratat shpirtërore çojnë në një kuptueshmëri në zemër. “Dituria është gjëja më e rëndësishme; prandaj fito diturinë. Edhe sikur të humbasësh ato që ke, fito diturinë” (Fjalët e Urta 4:7). Është e rëndësishme të kultivoni urtësi dhe kuptueshmëri në rininë tuaj.
Një përvojë nga rinia ime më mësoi diçka rreth urtësisë. Unë isha një djalë qyteti, kështu që babai im më dërgoi të punoja në fermën e burrit të tezes në Jutan perëndimore. Ndërsa ndodhesha atje, unë nuk mundesha kurrë të kuptoja përse bagëtitë, duke pasur me mijëra hektarë nga të cilët mund të zgjidhnin, e futnin kokën nëpër telat me gjemba për të ngrënë bar në anën tjetër të gardhit. A keni menduar ndonjëherë rreth faktit se sa shumë ngjajmë ne me ta? Ne gjithmonë do të shtyhemi të shohim cilët janë caqet e jashtme, sidomos në rininë tonë. Si qenie njerëzore – njerëz të natyrshëm – ne priremi të shtyhemi te telat me gjemba dhe e nxjerrim kokën përmes tyre. Përse e bëjmë atë?
Ne mund të kemi aq shumë gëzim në jetë pa i shtyrë caqet. Kujtoni: “Dituria është gjëja më e rëndësishme” dhe, me atë urtësi, “mos hy[ni] në shtegun e të pabesëve dhe mos ec[ni] në rrugën e njerëzve të këqij; evitoje[ni] atë, mos kalo[ni] nëpër të; largoju[ni] prej saj dhe shko[ni] tutje” (Fjalët e Urta 4:14–15). Mos u afroni. Mos e fusni kokën përmes gardhit me tela e me gjemba.
A Keni Miq të Mirë?
Ju do të vini re se, së bashku me këto mësime mbi urtësinë, libri i Fjalëve të Urta na mëson edhe rreth zgjedhjes së miqve të mirë: “Mos hyr në shtegun e të pabesëve dhe mos ec në rrugën e njerëzve të këqij” (Fjalët e Urta 4:14). “Biri im, mos shko me ta në po atë rrugë, ndale hapin nga shtegu i tyre, sepse këmbët e tyre turren drejt së keqes” (Fjalët e Urta 1:15–16).
Si e dini nëse keni miq të mirë? Unë do t’ju jap dy prova. Nëse i zbatoni këto prova, ju kurrë nuk do të shkoni në shtigje të huaja dhe të dilni nga “shteg[u] [i] ngushtë dhe [i] ngushtuar që të çon në jetën e përjetshme” (2 Nefi 31:18).
Miqtë e mirë e bëjnë të lehtë që t’i jetoni urdhërimet kur jeni me ta. Një mik i vërtetë ju forcon dhe ju ndihmon t’i jetoni parimet e ungjillit që do t’ju ndihmojnë të duroni deri në fund.
Një mik i vërtetë nuk do t’ju bëjë të zgjidhni midis mënyrave të tij apo të saj dhe mënyrave të Zotit, duke ju larguar kështu nga shtegu i ngushtë dhe i ngushtuar. Kundërshtari i bie kryq e tërthor kësaj toke dhe dëshiron aq shumë që ta rrëzojë secilin prej nesh. Nëse miqtë tuaj po ju çojnë në shtigjet e ligësisë, largohuni prej tyre tani. Zgjidhini miqtë tuaj me mençuri.
Çfarë Lloj Miku Jeni Ju?
Tani unë po ju bëj një pyetje të vështirë: çfarë lloj miku jeni ju?
Ka më shumë në jetë se të shpëtuarit e vetes. Ne jemi porositur t’i ngremë dhe t’i forcojmë të gjithë njerëzit përreth nesh. Zoti na do të gjithëve përsëri tek Ai së bashku.
Ju jeni një far dhe nuk ka asgjë më të rrezikshme sesa një far i prishur. Kujtohuni cilët jeni: ju jeni dritë për botën, për miqtë tuaj, për vëllezërit dhe motrat tuaja. Ju jeni ai tek i cili ata vështrojnë.
Libri Fjalët e Urta 4 vazhdon:
“Por shtegu i të drejtëve është si drita e agimit, që shkëlqen gjithnjë e më mirë deri sa të bëhet ditë e plotë.
Rruga e të pabesëve është si terri; ata nuk shohin atë që do t’i rrëzojë” (vargjet 18–19).
Ata vërtet nuk dinë përse po pengohen. Ata nuk kanë as dritë, as drejtim.
A e dini se si është të mbështetesh te një far kur ai nuk ka dritë? Errësira vjen dhe ne humbasim.
Kur një pilot humbet energjinë elektrike, ai nuk ka tregues përveç atyre gjërave që punojnë pa elektricitet. Ai ndihet tërësisht i pashpresë kur është në një aeroplan luftarak njëvendësh 12.200 metra lart në ajër i mbështjellë nga re dhe gjëra të tilla. Ai nuk ka ndonjë drejtim. Unë i mbijetova një përvoje si ajo dhe jam i gëzuar që jam këtu. Është një përvojë që nuk do ta harroj kurrë. Ju gjithashtu mund ta gjeni veten në një pozitë të tillë një ditë. Nuk ka asgjë aq të rrezikshme sa një far i prishur, veçanërisht kur jeni duke u mbështetur te drita.
A është ndokush duke u mbështetur te drita juaj që ta drejtojë? Jini një shembull i mirë. Jini dritë për botën dhe udhëhiqini e udhëzojini njerëzit përreth jush në shtigjet e drejtësisë. Ata po mbështeten te ju si një far besnik. Jini atje kur dikush ka nevojë për ju.
Shpirti është drita udhëzuese që sjell gëzim dhe lumturi. Mos na u mohoftë kurrë prania e Shpirtit për shkak të sjelljes sonë. Oh, sa lutem që ne të mos jemi kurrë vetëm dhe të dëshpëruar në këtë botë “të errët dhe të zymtë” (1 Nefi 8:4).
Qofshin bekimet e Zotit me ju ndërsa përpiqeni të mësoni dhe të fitoni dituri dhe urtësi në rininë tuaj. Fitofshi gjithashtu urtësi dhe kuptueshmëri në zemrën tuaj për të vërtetat e Ungjillit me anë të bindjes dhe gjithashtu me anë të dritës së Shpirtit, Frymës së Shenjtë. Jini një mik i mirë. Ngrijini e forcojini njerëzit përreth jush. Bëjeni botën një vend më të mirë për shkak të pranisë suaj këtu. Ndihmojini miqtë të qëndrojnë në shtegun e ngushtë dhe të ngushtuar, të durojnë deri në fund dhe të kthehen me nder.