Mesazhi i Presidencës së Parë
Një Çelës për një Familje të Lumtur
Autori i madh rus, Leon Tolstoi, e filloi romanin e tij Ana Karenina me këto fjalë: “Familjet e lumtura janë të gjitha njëlloj; secila familje e trishtuar është e trishtuar në mënyrën e vet”1. Ndonëse nuk e kam sigurinë e Tolstoit se familjet e lumtura janë të gjitha njëlloj, kam zbuluar një gjë që e kanë të përbashkët shumica e tyre: ato kanë një mënyrë për t’i falur e harruar papërsosmëritë e të tjerëve dhe për të kërkuar të mirën.
Njerëzit në familjet e trishtuara, nga ana tjetër, shpesh gjejnë gabim, mbajnë mëri dhe nuk duket t’i harrojnë fyerjet e shkuara.
“Po, por …” fillojnë ata që janë të trishtuar. “Po, por ti nuk e di se sa keq më ka lënduar ajo”, thotë njëri. “Po, por ti nuk e di sa i tmerrshëm është ai”, thotë një tjetër.
Ndoshta të dy kanë të drejtë, ndoshta asnjëri.
Ka shumë shkallë të fyerjes. Ka shumë shkallë të lëndimit. Por ajo që unë kam vënë re, është se shpesh ne e justifikojmë inatin tonë dhe e kënaqim ndërgjegjen tonë duke i treguar vetes histori për shkaqet e të tjerëve që i dënojnë veprimet e tyre si të pafalshme dhe egoiste ndërkohë që, në të njëjtën kohë, shohim vetë shkaqet tona si të kulluara dhe të pafajshme.
Qeni i Princit
Ekziston një rrëfenjë e lashtë uellsiane nga shekulli i 13-të për një princ që u kthye në shtëpi dhe e gjeti qenin e tij duke i pikuar gjak në fytyrë. Burri u turr brenda dhe, për tmerrin e tij, pa se i biri i tij foshnjë ishte zhdukur dhe djepi ishte përmbysur. Në zemërim e sipër, princi nxori shpatën dhe e vrau qenin. Menjëherë pas kësaj, ai dëgjoi të qarën e të birit të tij – foshnja ishte gjallë! Pranë foshnjës dergjej një ujk i ngordhur. Në të vërtetë, qeni e kishte mbrojtur foshnjën e princit nga një ujk vrasës.
Edhe pse kjo rrëfenjë është dramatike, ajo tregon një argument. Ajo tregon mundësinë se historia që i tregojmë vetes mbi arsyet pse të tjerët sillen në një mënyrë të caktuar, nuk përputhet gjithmonë me faktet – nganjëherë ne as që duam t’i njohim faktet. Ne më mirë do të ndihemi të vetëjustifikuar në zemërimin tonë duke u kapur pas hidhërimit dhe fyerjes sonë. Nganjëherë këto mëri mund të zgjasin për muaj ose vite. Nganjëherë mund të zgjasin për të gjithë jetën.
Një Familje e Ndarë
Një baba nuk mund ta falte birin e tij që ishte larguar nga rruga që ai i kishte mësuar. Djali kishte miq të cilët babai nuk ia pëlqente, dhe ai bëri shumë gjëra në kundërshtim me atë që babai i tij mendonte se ai duhet të bënte. Kjo krijoi një të çarë mes babait e birit dhe, sapo mundi, djali u largua nga shtëpia dhe nuk u kthye më kurrë. Ata folën shumë rrallë.
A u ndie i justifikuar babai? Ndoshta.
A u ndie i justifikuar biri? Ndoshta.
Gjithçka që unë di është se kjo familje ishte e ndarë dhe e trishtuar sepse as babai dhe as biri nuk mund ta falnin njëri-tjetrin. Ata nuk mund t’i kapërcenin kujtimet e hidhura që kishin për njëri-tjetrin. Ata i mbushën zemrat me inat në vend të dashurisë dhe faljes. Secili i grabiti vetvetes mundësinë për ta ndikuar për mirë jetën e tjetrit. Ndarja midis tyre dukej aq e thellë dhe aq e gjerë saqë secili u bë një i burgosur shpirtëror në ishullin e vet emocional.
Fatmirësisht, Ati ynë i dashur, i mençur dhe i Amshuar në Qiell i ka siguruar mjetet për të kapërcyer këtë hendek krenarie. Shlyerja e mrekullueshme dhe e pafundme është akti suprem i faljes dhe i pajtimit. Madhësia e saj është përtej kuptueshmërisë sime, por unë dëshmoj me të gjithë zemrën dhe shpirtin tim për vërtetësinë e saj dhe fuqinë absolute. Shpëtimtari e ofroi Veten si shpërblesë për mëkatet tona. Nëpërmjet Tij ne marrim falje.
Asnjë Familje nuk Është e Përkryer
Asnjë prej nesh nuk është pa mëkat. Secili prej nesh bën gabime, përfshirë ju dhe mua. Të gjithë ne na kanë plagosur. Të gjithë ne kemi plagosur të tjerë.
Pikërisht nëpërmjet sakrificës së Shpëtimtarit ne mund të marrim ekzaltim dhe jetë të përjetshme. Kur i pranojmë mënyrat e Tij dhe e kapërcejmë krenarinë tonë duke i zbutur zemrat, mund të sjellim pajtim dhe falje në familjet tona dhe jetën tonë personale. Perëndia do të na ndihmojë të jemi më falës, të jemi më të gatshëm që të përshkojmë edhe miljen e dytë, të jemi të parët që të kërkojmë falje edhe nëse diçka nuk qe gabimi ynë, t’i lëmë mënjanë mëritë e vjetra e të mos i ushqejmë më ato. Falë i qoftë Perëndisë, që dha Birin e Tij të Vetëmlindur, dhe Birit, që dha jetën e Tij për ne.
Ne mund ta ndiejmë çdo ditë dashurinë e Perëndisë për ne. A nuk duhet të jemi në gjendje që t’u japim pak më shumë nga vetja bashkënjerëzve tanë, siç jepet mësim në himnin tonë të dashur “Because I Have Been Given Much” [“Sepse Shumë Më Është Dhënë”]2? Zoti ka hapur derën që ne të falemi. A nuk do të ishte thjesht e drejtë që t’i lëmë mënjanë egotizmin e krenarinë tonë dhe të fillojmë t’ua hapim atë derë të bekuar të faljes atyre me të cilët kemi probleme – veçanërisht të gjithë pjesëtarëve të vetë familjeve tona?
Në fund, lumturia nuk buron nga përsosja por nga zbatimi i parimeve hyjnore, qoftë edhe në hapa të vegjël. Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve kanë deklaruar: “Lumturia në jetën familjare është e mundur të arrihet më mirë kur bazohet në mësimet e Zotit Jezu Krisht. Martesat dhe familjet e suksesshme ngrihen dhe ruhen me parimet e besimit, lutjes, pendimit, faljes, respektit, dashurisë, dhembshurisë, punës dhe aktiviteteve të shëndosha argëtuese.”3
Falja gjendet mu në mes të këtyre të vërtetave të thjeshta, mbështetur në planin e lumturisë së Atit tonë Qiellor. Për shkak se falja lidh parime, ajo lidh njerëz. Ajo është një çelës, ajo hap dyert e mbyllura, ajo është fillimi i një shtegu të ndershëm dhe është një nga shpresat tona më të mira për një familje të lumtur.
Perëndia na ndihmoftë që të jemi pak më shumë falës në familjet tona, më shumë falës ndaj njëri-tjetrit dhe ndoshta më shumë falës, madje me veten tonë. Unë lutem që ne të mund të përjetojmë falje, si një mënyrë e mrekullueshme sipas së cilës janë të ngjashme shumica e familjeve të lumtura.