Mesazhi i Vizitave Mësimore
Nderimi i Besëlidhjeve Tona
Studiojeni këtë material plot lutje dhe, si të jetë e përshtatshme, diskutojeni atë me motrat që vizitoni. Përdorini pyetjet për t’ju ndihmuar të forconi motrat tuaja dhe për ta bërë Shoqatën e Ndihmës një pjesë aktive të vetë jetës suaj.
Vizita mësimore është një shprehje e dishepullimit tonë dhe një mënyrë për të nderuar besëlidhjet tona kur i shërbejmë dhe e forcojmë njëra-tjetrën. Një besëlidhje është një premtim i shenjtë dhe i qëndrueshëm midis Perëndisë dhe fëmijëve të Tij. “Kur kuptojmë se jemi fëmijë të besëlidhjes, ne e dimë cilët jemi dhe çfarë pret Perëndia nga ne”, tha Plaku Rasëll M. Nelson i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. “Ne e kemi bërë ligjin e Tij një pjesë tonën. Ai është Perëndia ynë dhe ne jemi populli i Tij.”1
Si mësuese vizitore, ne mund t’i forcojmë ato që vizitojmë në përpjekjet e tyre për të mbajtur besëlidhjet e tyre të shenjta. Duke e bërë këtë, ne i ndihmojmë ato të përgatiten për bekimet e jetës së përjetshme. “Çdo motër në këtë Kishë, që ka bërë besëlidhje me Zotin, ka një urdhërim hyjnor që të ndihmojë për të shpëtuar shpirtra, që të udhëheqë gratë e botës, që të forcojë shtëpitë e Sionit dhe që të ndërtojë mbretërinë e Perëndisë”2, tha Plaku M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve.
Ndërsa bëjmë dhe mbajmë besëlidhje të shenjta, ne bëhemi mjete në duart e Perëndisë. Ne do të jemi në gjendje që të shprehim besimet tona dhe të forcojmë besimin e njëra-tjetrës te Ati Qiellor dhe Jezu Krishti.
Nga Shkrimet e Shenjta
1 Nefi 14:14; Mosia 5:5–7; 18:8–13; Doktrina e Besëlidhje 42:78; 84:106
Nga Historia Jonë
Tempulli është “një vend për falënderim për gjithë shenjtorët” i zbuloi Zoti Profetit Jozef Smith në vitin 1833. Ai është “një vend për udhëzim për të gjithë ata që … thirren për veprën e shërbesës, në gjithë thirrjet dhe detyrat e tyre të ndryshme; që ata të mund të përsosen në të kuptuarin e shërbesës së tyre, në teori, në parim dhe në doktrinë, në të gjitha gjërat që çojnë në mbretërinë e Perëndisë mbi tokë” (DeB 97:13–14).
Motrat e Shoqatës së Ndihmës në Navu të Ilinoisit, në fillim të viteve 1840, e ndihmuan njëra-tjetrën që të përgatiteshin për ordinancat e tempullit. Në ordinancat e priftërisë më të lartë që shenjtorët e ditëve të mëvonshme morën në Tempullin e Navusë, “fuqia e perëndishmërisë [u] manifest[ua]” (DeB 84:20). “Ndërsa shenjtorët mbajtën besëlidhjet e tyre, kjo fuqi u forcua dhe i mbështeti ata nëpër sprovat e tyre në ditët dhe vitet e mëtejshëm.”3
Në Kishë sot, gra e burra besnikë në mbarë botën, shërbejnë në tempull dhe vazhdojnë të gjejnë forcë në bekimet që mund të merren vetëm nëpërmjet besëlidhjeve të tempullit.