2012
U Luta për Guxim
Tetor 2012


U Luta për Guxim

Fai Tianarivelo, Madagaskar

Prindërit e mi janë anëtarë të Kishës, por nuk janë shumë aktivë. Kjo ndonjëherë çon në konflikte sepse ata besojnë se koha për familjen duhet të jetë përpara çdo gjëje tjetër – përpara të shkuarit në kishë, lartësimit të thirrjeve të mia në Kishë dhe bërjes së aktiviteteve të tjera.

Duke qenë se jam udhëheqëse në Fillore dhe anëtare e korit të lagjes, mbledhjet e mia të Kishës ndonjëherë bien ndesh me detyrat familjare. Një ditë, kur po përgatitesha për të ndjekur transmetimin e konferencës së përgjithshme në shtëpinë tonë të mbledhjes në Antananarivo, prindërit më kujtuan se kishim mysafirë në shtëpi.

“Duhet të zgjedhësh midis familjes dhe Kishës”, më tha nëna. “Ose do të rrish këtu me ne dhe do të humbasësh konferencën, ose do të shkosh në konferencë dhe të përballesh me ndëshkimin.”

Vendosa të mos nisja një grindje me nënën time. Në vend të kësaj, gjeta një çast për t’i kërkuar Atit Qiellor që të më jepte guxim dhe forcë. I kërkova Atij edhe që të më ndihmonte të dija se çfarë të bëja. Duhej të rrija në shtëpi me familjen apo të shkoja në kishë dhe të dëgjoja zërin e profetit?

Sapo mbarova lutjen, unë munda të ndieja Frymën e Shenjtë. Mund ta ndieja Shpirtin duke më nxitur që t’i tregoja nënës sime se sa e rëndësishme qe për mua të shkoja e të dëgjoja profetin. Ndieva se duhej t’i thosha asaj se do të merrja këshillë të urtë jo vetëm për jetën time sot, por edhe për të ardhmen time.

Perëndia mund të bëjë mrekulli dhe Ai ua zbuti zemrën prindërve të mi, kështu që ata më lanë të shkoja në konferencën e përgjithshme pa marrë ndëshkim. Kjo qe një përvojë e mrekullueshme në jetën time. Ajo më pohoi vërtetësinë e shkrimit ku thuhet: “Nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë, [ne] mund të [dimë] të vërtetën e të gjitha gjërave” (Moroni 10:5).

E di se, nëse i bazojmë veprimet tona mbi parimet e ungjillit dhe e dëgjojmë Shpirtin, ne mund të jemi përherë të lumtur me zgjedhjet tona. Kjo përvojë e forcoi dëshminë time se Perëndia është pranë nesh dhe se Fryma e Shenjtë na ndihmon në jetën tonë.