Duhet të Zgjedh Punën apo Kishën?
Keniu Ishi, Japoni
Bashkëshortja ime dhe unë u martuam në vitin 1981 në Tempullin e Tokios në Japoni. Jeta jonë pas martese nuk qe e lehtë në fillim. Isha mirënjohës që kisha një punë, por kishim probleme me mbulimin e shpenzimeve tona. Ne i kërkuam ndihmë Atit Qiellor dhe bëmë gjithçka që mundeshim, që të mbulonim nevojat dhe të paguanim të dhjetën. E dinim se po t’i mirëbesonim Zotit, Ai do të kujdesej për ne.
Një javë, si gruaja edhe miku im më sollën të njëjtën copë të vogël të prerë gazete. Ishte një njoftim për një mësues anglishteje me kohë të plotë.
Ia dërgova kompanisë dokumentin e të dhënave të mia dhe m’u kërkua të shkoja për një intervistë. Në fund të intervistës, intervistuesi tha: “Ju shkruani në dokumentin e të dhënave tuaja se jeni përfshirë në një punë vullnetare si misionar për Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Kjo do të thotë që ju shkoni në kishë të dielave, apo jo? Nëse do t’ju duhej të zgjidhnit mes shkuarjes në kishë apo në punë të dielave, cilën do të zgjidhnit?”
Qe një pyetje e vështirë [për t’iu përgjigjur] sepse më duhej një punë më e mirë. Por pasi u mendova thellë, u përgjigja: “Unë do të shkoja në kishë”.
Me një buzëqeshje të vagullt, intervistuesi tha: “Oh, kuptoj”. Më pas ai më la të shkoja me premtimin se kompania do të merrte një vendim deri në mbrëmje dhe se unë duhej të telefonoja për të marrë vesh rezultatet. Ndërsa largohesha nga dhoma, mendova se kisha dështuar.
Më vonë atë mbrëmje, kur erdhi koha për të telefonuar, unë i rashë numrit të telefonit të kompanisë me frikë të madhe.
“Si janë rezultatet e intervistës?” pyeta sekretaren. “Dështova, apo jo?”
Mbeta i shtangur, por i lumtur nga përgjigjja e saj.
“Do të na pëlqente t’ju kërkonim të punoni për ne”, tha ajo.
Rreth një muaj më vonë, mësova pse e fitova punën. Sekretarja më shpjegoi se intervistuesi jetonte në derën ngjitur me misionarë me kohë të plotë shenjtorë të ditëve të mëvonshme. Ai i kishte parë shpesh misionarët që i ngisnin me gjallëri biçikletat e tyre për në punë në mëngjes.
“Ai besoi se ju, duke qenë nga e njëjta kishë, do të punonit për ne po aq fort sa punonin misionarët për kishën e tyre”, tha ajo. “Lum si ju!”
Që nga ajo kohë, familja jonë ka pasur gjithmonë atë që na është nevojitur.
Kurdoherë që mendoj për këtë përvojë të veçantë, marr kurajë dhe ngushëllim. E di se Perëndia përdor shpesh njerëz të tjerë për të bekuar fëmijët e Tij. Unë nuk mund ta shpreh siç duhet sa mirënjohës ndihem për bashkëshorten time dhe mikun tim, për frymëzimin e tyre kur më sollën atë njoftim në gazetë, për ata misionarë që punonin fort, dhe shembullin e tyre të shkëlqyer dhe për Atin tonë Qiellor të mëshirshëm, të dashur e përkujdesës, që ka fuqi të mrekullueshme për t’i përkushtuar përvojat tona për të mirën tonë.