2012
Na Trego rreth Kishës Sate
Tetor 2012


Na Trego rreth Kishës Sate

Shauna Mur, Virxhinia, SHBA

Në një udhëtim për të vizituar vëllanë tim, isha ulur nga fundi i avionit ku ulen punonjësit e shërbimit të fluturimeve. Dy rreshtat e ndenjëseve në atë zonë shohin nga njëra-tjetra.

U prezantova me njerëzit që qenë ulur rreth meje, dhe pastaj përmenda se do të frekuentoja Universitetin “Brigam Jang”. Një burrë që qe ulur përballë meje, tha se e bija kishte një shoqe të ngushtë që sapo ishte nisur në një mision me kohë të plotë. Bija e tij dinte pak për Kishën, por ai nuk dinte pothuajse asgjë. Punonjësja e shërbimit të fluturimit tha menjëherë se ajo nuk do të dëshironte t’i përkiste “asaj kishe” sepse ajo [kishë] u kundërvihej grave. Burri tha se ai kishte dëgjuar diçka të ngjashme – se gratë shenjtore të ditëve të mëvonshme konsideroheshin më të ulëta se burrat, që ato nuk mund të mbanin priftërinë apo të kryesonin në mbledhje dhe se Kisha mbizotërohej nga meshkujt.

Pastaj duke u kthyer nga unë, më pyeti: “Si ndiheni ju rreth kësaj?” Të shtatë njerëzit u kthyen nga unë dhe pritën.

Zemra filloi të më rrihte fort. Kur isha fëmijë i kisha mësuar përmendsh Nenet e Besimit pikërisht për një takim të tillë dhe kur isha adoleshente dhe e re kisha praktikuar dhënien e dëshmisë për vegimin e Jozef Smithit dhe për Librin e Mormonit. Por nuk kisha as idenë më të vogël se si t’i përgjigjesha pyetjes së burrit. U luta në heshtje që Ati Qiellor të më udhëzonte.

Pastaj thashë fjalët e para që më erdhën në mendje: “Ju thjesht nuk dini gjë për Shoqatën e Ndihmës”. Shprehia e fytyrave të tyre tregonte se nuk dinin gjë.

“Priftëria funksionon në ndërthurje me gratë, të cilat të gjitha janë anëtare të Shoqatës së Ndihmës”, u shpjegova. “Ne kemi një presidente grua të Shoqatës së Ndihmës që drejton aktivitetet e grave në Kishë në mbarë botën. Përgjegjësia e grave është që të sjellin dhembshuri dhe dashuri hyjnore në jetën e anëtarëve dhe veçanërisht në jetën e familjeve të tyre.”

Njerëzit rreth meje dëgjuan me vëmendje.

“Ne jetojmë në një kohë të çuditshme kur disa gra dëshirojnë që gratë të veprojnë dhe të mendojnë e të jenë si burrat. Por ne besojmë se Perëndia i ndan detyrat. Ne presim që gratë të jenë udhëheqëse mes grave dhe bashkëudhëheqëse në shtëpitë e tyre. Burrat në këto sfera, mbështeten shumë te ne për këshillë. Është një ekuilibër i drejtë. I bën organizatat tona të Kishës dhe shtëpitë tona të suksesshme. Dhe ne vërtet besojmë se burri nuk është pa gruan, as gruaja nuk është pa burrin në Zotin (shih 1 Korintasve 11:11). Ne besojmë se nuk jemi të plotë pa njëri-tjetrin. Ne nuk besojmë se u krijuam për të konkurruar me njëri-tjetrin, por për ta plotësuar njëri-tjetrin.”

U ndieva e bekuar kur mbarova. E dija se fjalët që kisha thënë, qenë nga Shpirti. Të gjithë dukeshin të kënaqur nga shpjegimi im. Më pas burri tha: “Na trego më shumë rreth kishës sate”.

Pastaj, për dy orët në vijim, unë pata mundësinë e gëzueshme që të flisja për Rivendosjen, t’u përgjigjesha pyetjeve dhe të jepja dëshmi për ungjillin që dua.