2012
Njuëll K. Uitni (1795–1850)
Tetor 2012


Kujtohen Jetë të Shkëlqyera

Njuëll K. Uitni (1795–1850)

Njuëll Kimball Uitni lindi në Vermont të SHBA-së, më 5 shkurt 1795. Ai ishte një biznesmen i talentuar dhe nisi një miqësi dhe një ortakëri biznesi me Sidni Xhilbertin. Në fillimet e biznesit të tyre, ata udhëtonin shpesh. Në njërin prej këtyre udhëtimeve të punës, Njuëlli takoi Elizabeta En Smithin në Kirtland të Ohajos. Njuëlli dhe Eni dolën në takime për tre vjet dhe u martuan në vitin 1823.

Së bashku Njuëlli dhe Eni kërkuan të vërtetën dhe për një kohë, morën pjesë në lëvizjen Kampbelajt, që pretendonte se kishte rivendosur krishtërimin e lashtë. Një natë Njuëlli dhe Eni u lutën “për të ditur nga Zoti se si mund ta merrnin dhuratën e Frymës së Shenjtë”. Eni e përshkroi vegimin që morën në përgjigje të lutjes së tyre: “Shpirti qëndroi mbi ne dhe një re e mbuloi shtëpinë. … Pastaj ne dëgjuam një zë nga reja duke thënë: ‘Përgatituni për ta marrë fjalën e Zotit, sepse është duke ardhur’.”1

Pak pas kësaj përgjigjeje të lutjes, në tetor të vitit 1830, misionarët shenjtorë të ditëve të mëvonshme erdhën në Kirtland. Në nëntor Njuëlli dhe Eni u pagëzuan. Vetëm pak muaj më vonë, Jozef dhe Ema Smithi erdhën të trokisnin në derën e çiftit Uitni. Kur Jozefi e përshëndeti Njuëllin në emër, Njuëlli nuk mund te thoshte se e dinte emrin e Profetit, ndaj Jozefi u përgjigj: “Unë jam Jozefi, Profeti; ti je lutur që të më kesh këtu, tani çfarë dëshiron prej meje?”2 Çifti Uitni më pas e strehoi çiftin Smith për disa javë dhe u gjeti atyre një shtëpi në shtator të vitit 1832.

Përveç sigurimit të një shtëpie për çiftin Smith, Njuëlli i dha Kishës përdorim të plotë të hapësirës në katin e sipërm të dyqanit të tij. Në dyqanin Uitni, udhëheqësit e Kishës mbanin mbledhjet dhe Shkollën e Profetëve.

Në dhjetor të vitit 1831, Njuëlli u thirr si peshkopi i dytë i Kishës dhe më pas shërbeu si administrator i veprimeve financiare të Kishës, duke e ndihmuar Kishën që të administronte fondet e saj dhe të dilte nga borxhi. Në vjeshtën e vitin 1838, çifti Uitni u shpërngul për në Far Uest, Misuri, ku Njuëlli u thirr sërish si peshkop dhe 10 vjet më vonë, ai dhe familja e tij kaluan rrafshinat për në Solt-Lejk-Siti, ku ai shërbeu si Peshkop Kryesues i Kishës.

Njuëlli vdiq më 24 shtator 1850, në Solt-Lejk-Siti nga një sëmundje në aparatin e frymëmarrjes.

Shënime

  1. Elizabeth Ann Whitney, cituar në Edward W. Tullidge, The Women of Mormondom (1877) f. 41–42.

  2. Joseph Smith, cituar në Elizabeth Ann Whitney, “A Leaf from an Autobiography”, Woman’s Exponent, 15 gusht 1878, f. 51.

Poshtë, fotografia majtas: Një portret i gdhendur i Njuëll K. Uitnit. Poshtë, fotografia djathtas: Kati i sipërm i dyqanit të Njuëll K. Uitnit në Kirtland të Ohajos, ku mbaheshin Shkolla e Profetëve dhe mbledhjet e Kishës. Në fund: Dyqani Uitni