Libri i Almës: Mësime për të Sotmen
Nefitët i duruan besnikërisht sprovat e kohës së tyre dhe janë dëshmitarë se Zoti do të sigurojë bekimet dhe mbrojtjen që na duhen, për të përballuar me sukses sfidat e kohës sonë.
Në përfundim të mbretërimit të tij, Mbreti Mosia propozoi që monarkia të zëvendësohej me një sistem gjykatësish të zgjedhur nga populli. Sistemi i propozuar do të bazohej mbi ligjet e dhëna nga Perëndia që do të administroheshin nga gjykatës të cilët do të zgjidheshin nga populli.
Parimi i lirisë së zgjedhjes qe themeli i sistemit të propozuar – në vend të një mbreti, përgjegjësia dhe përgjegjshmëria për të vepruar në përputhje me ligjin do të pranohej nga individë. Për shkak se “nuk është e zakonshme që zëri i popullit të dëshirojë diçka që është kundër asaj që është e drejtë” (Mosia 29:26), ky sistem do të siguronte mbrojtje më të mëdha të të drejtave të individëve dhe drejtësisë së përbashkët të shoqërisë.
Në përgjigje të propozimit të Mosias njerëzit “po pritnin me padurim që çdo njeri të kishte të njëjtat të drejta në tërë vendin; po, dhe çdo njeri shprehu gatishmëri të përgjigjej për mëkatet e tij” (Mosia 29:38).
Libri i Almës përmban historinë e popullit gjatë periudhës 40-vjeçare pasi u përvetësua nga njerëzit sistemi i propozuar. Kapitujt e fundit të analit të Almës, kapitujt 43 deri në 62, tregojnë për një periudhë me sfida dhe prova të mëdha. Gjatë kësaj periudhe të shkurtër 19-vjeçare, populli hasi sfida të brendshme politike, kërcënime të jashtme dhe pothuajse një konflikt të armatosur e të pandërprerë.
Sistemi qeverisës u kërcënua dy herë së brendshmi nga njerëz që kërkonin të vendoseshin mbretër vetë dhe t’u privonin njerëzve të drejtën për t’i zgjedhur udhëheqësit e tyre dhe për të adhuruar lirisht. Në të njëjtën kohë, njerëzve iu desh ta mbronin veten prej sulmeve të jashtme të shumëfishta nga lamanitët që qenë të vendosur për ta shkatërruar qeverinë nefite dhe t’i nënshtronin nefitët në robëri.
Përçarja ekonomike e këtyre sfidave të shumëfishta, edhe pse nuk përmenden veçanërisht, qe me gjasë një sfidë e madhe për popullin. Mormoni, në përpilimin e analit të shenjtë, ndieu nxitjen për të siguruar një rrëfim të hollësishëm të kësaj periudhe. Në fakt, po të kishte siguruar hollësi të ngjashme për pjesën tjetër të historisë 1000-vjeçare të nefitëve, Libri i Mormonit do të përmbante më shumë se 2500 faqe!
Presidenti Ezra Taft Benson (1899–1994) dha mësim:
“Libri i Mormonit … u shkrua për kohën tonë. Nefitët nuk e patën kurrë librin; as lamanitët e kohëve të lashta. Ai u bë për ne. … Nën frymëzimin e Perëndisë, që i sheh të gjitha gjërat që nga fillimi, [Mormoni] përmblodhi anale shekujsh, duke zgjedhur historitë, fjalimet dhe ngjarjet që do të ishin më të dobishme për ne. …
Ne duhet ta pyesim veten vazhdimisht: ‘Përse e frymëzoi Zoti Mormonin (ose Moronin apo Almën) që ta përfshinte këtë në analin e tij? Çfarë mësimi mund të mësoj nga kjo që të më ndihmojë të jetoj në këtë kohë dhe periudhë?’”1
Sot, shenjtorët e ditëve të mëvonshme anembanë botës e gjejnë veten duke u përballur me shumë prej të njëjtave sfida me të cilat u përballën nefitët gjatë kësaj periudhe të historisë së tyre, përfshirë përpjekjet për t’u privuar anëtarëve të drejtën për të adhuruar dhe për të folur haptas mbi probleme të rëndësishme të shoqërive në të cilat jetojmë. Disa shenjtorë të ditëve të mëvonshme kanë ndier kërcënimin e sulmit të jashtëm dhe të konfliktit me forca të zotuara për shkatërrimin e vendeve dhe lirive të tyre.
Fatmirësisht, nefitët qenë në gjendje t’i kapërcenin sfidat e tyre nëpërmjet përpjekjes, sakrificës dhe ndihmës më të madhe nga Zoti. Disa mësime mbi mënyrën se si ata iu përgjigjën me sukses sfidave të tyre mund të na japin drejtim dhe guxim për t’u përballur me sfidat tona sot.
1. Kini dëshirat dhe arsyet e duhura.
Gjatë të gjitha sfidave të tyre, nefitët e drejtë mundën të merrnin forcë nga fakti se ata po vepronin me arsyet e duhura. Qëllimi i tyre i vetëm ishte “që të mbronin veten dhe familjet e tyre dhe tokat e tyre, atdheun e tyre dhe të drejtat e tyre dhe fenë e tyre” (Alma 43:47). Dëshira e tyre ishte që të ruanin lirinë e tyre të zgjedhjes – të drejtën për të vepruar në drejtësi dhe për t’u përgjigjur vetë për sjelljen e tyre – në vend që të kishin një mbret që t’u diktonte si të silleshin. Arsyeja e tyre ishte që të ruanin barazinë para ligjit, veçanërisht lirinë e tyre për të adhuruar Perëndinë dhe për të ruajtur kishën e tyre (shih Alma 43:9, 45).
Në shoqëri ka dhe do të ketë gjithmonë forca që kërkojnë të manipulojnë opinionin publik për të marrë pushtet për përfitim vetjak. Ka një tundim për t’i përvetësuar arsyet e tyre dhe për ta kthyer konfliktin në një luftë për pushtet. Mënyra e Zotit është që të veprohet gjithnjë bazuar vetëm mbi dëshira dhe arsye të kulluara, ashtu siç bënë nefitët. Të vepruarit kështu i mundësoi ata që të merrnin fuqitë e qiellit për të kapërcyer sfidat e tyre “në fuqinë e Zotit” (Alma 46:20; shih edhe Alma 60:16; 61:18).
Në mënyrë të ngjashme, në reagimet tona ndaj sfidave me të cilat përballemi sot, ne duhet t’i kontrollojmë vazhdimisht zemrat tona për t’u siguruar se dëshirat dhe arsyet tona janë të kulluara dhe të bazuara mbi parimet e ungjillit të Jezu Krishtit. Nëse veprojmë (ose i manipulojmë të tjerët që të veprojnë) nisur nga egoizmi, për përfitim vetjak, ose për të poshtëruar të tjerët, ne nuk do të kemi ndihmën e nevojshme qiellore për t’u rezistuar sfidave tona.
2. Jini të sjellshëm dhe bujarë me njerëzit më pak fatlumë.
Kur armiqtë e tyre të mëparshëm, populli i anti-nefi-lehit, u kërcënuan me shkatërrim, nefitët ranë dakord që t’u jepnin atyre një vend për të jetuar dhe për të ndërtuar një jetë të re dhe u siguruan mbrojtje atyre (shih Alma 27:21–22; 43:11–12). Për shkak se anti-nefi-lehitët kishin bërë një betim që të mos i përdornin kurrë më armët e luftës, në vend të kësaj ata siguruan “një pjesë të madhe të pasurisë së tyre për të mbajtur” (Alma 43:13) ushtritë nefite gjatë kësaj kohe vendimtare. Megjithatë, nuk ka dokumente që nefitët i trajtuan këta imigrantë me ndonjë mënyrë tjetër përveçse me respekt dhe dashuri, edhe pse ata duhet të kenë qenë një shënjestër e lehtë politike për ata që dëshironin të nxitnin mosmarrëveshje.
Trajtimi i mirë që nefitët i bënë popullit të Amonit, ndërsa erdhën për t’u thirrur, iu kthye në mënyrë reciproke dhe përfundimisht kontribuoi në krijimin e njërës prej brigadave më frymëzuese ushtarake në historinë e dokumentuar – 2000 luftëtarët e rinj. Në mënyrë ironike, shërbimi i këtyre të rinjve mund të ketë qenë çelësi për ta mbrojtur shoqërinë nefite nga një shkatërrim i hershëm.
Në kohë mosmarrëveshjesh të brendshme, sulmi të jashtëm dhe sfidash ekonomike, ka një prirje për t’u bërë keqdashës ndaj atyre që “nuk janë si ne”. Ndodh lehtë të bëhesh kritikues ndaj tyre dhe të japësh gjykime. Dikush mund të vërë në dyshim besnikërinë e tyre ndaj shoqërisë dhe vlerën e tyre në të dhe ndikimin e tyre në mirëqenien tonë ekonomike. Këto përgjigje negative nuk përputhen me detyrën nga Shpëtimtari për t’i dashur të afërmit tanë si veten; dhe ato krijojnë ndasi, grindje dhe veçim. Po të mos ishte mirëpritur populli i Amonit në shoqërinë nefite, ndofta do të kishte krijuar mëri në vend të mirënjohjes në brezin që po rritej. Në vend që të krijonte 2000 luftëtarë besnikë, brezi i ri mund të ishte larguar dhe të ishte ribashkuar me lamanitët.
Një gatishmëri për të qenë të mirë dhe bujarë me nevojtarin qe një faktor i rëndësishëm në mbrojtjen e kombit nefit dhe u dha nefitëve të drejtën për bekimet e qiellit gjatë kohës së vështirësive të mëdha. Njerëzit e Perëndisë kanë nevojë për të tilla bekime sot.
3. Dëgjojini dhe ndiqini udhëheqësit e frymëzuar.
Zoti i njihte sfidat me të cilat do të përballeshin nefitët dhe Ai nxori udhëheqës të frymëzuar që t’i ndihmonte ata t’i kapërcenin ato sfida. Kapiten Moroni qe një luftëtar, por u frymëzua që të përgatiste parzmore, mburoja krahësh, përkrenare dhe veshje të trasha për të mbrojtur popullin e tij (shih Alma 43:19). Si rezultat, nefitët ia dolën shumë më mirë në betejë sesa lamanitët (shih Alma 43:37–38). Më vonë, Moroni i drejtoi njerëzit që të gërmonin dhe të ngrinin bregore dheu përreth qyteteve të tyre dhe të vinin në majë të atyre bregoreve prej dheu lëndë druri dhe ndërtim piketash (shih Alma 50:1–3). Këto përgatitje të frymëzuara ndihmuan në mbrojtjen e nefitëve nga shkatërrimi.
Ndërsa Moroni po përgatitej për luftë, Helamani dhe vëllezërit e tij po predikonin fjalën e Perëndisë dhe po e nxisnin popullin drejt drejtësisë në mënyrë që Shpirti i Zotit të mund t’i udhëzonte dhe t’i mbronte ata. Nefitët u shpëtuan sepse dëgjuan drejtimin tokësor dhe shpirtëror të udhëheqësve të frymëzuar. Vetëm kur ngriheshin mosmarrëveshje të brendshme dhe populli nuk pranonte t’i mbante vesh paralajmërimet e frymëzuara, vinin si rezultat pengesa dhe vuajtje.
Ne jemi të bekuar që jetojmë në një ditë kur Zoti ka thirrur profetë, shikues dhe zbulues të gjallë për të na paralajmëruar dhe udhëzuar që të përgatitemi për sfidat e të sotmes. Në vitin 1998, Presidenti Gordon B. Hinkli (1910–2008) u dha udhëzim e paralajmërim të frymëzuar anëtarëve të Kishës:
“Ka ardhur koha që të vëmë rregull në shtëpitë tona.
Kaq shumë prej njerëzve tanë po jetojnë në kufirin e fundit të të ardhurave të tyre. Në fakt disa po jetojnë me hua. …
Ekonomia është një gjë e brishtë. … Ka një paralajmërim për mot të stuhishëm në të ardhmen të cilit do ishte mirë t’ia vinim veshin.”2
Së fundi, fola me një burrë që i dëgjoi fjalët e Presidentit Hinkli dhe nxitjet e Shpirtit. Ai dhe gruaja e tij vendosën që t’i shlyenin investimet e tyre, të paguanin për shtëpinë dhe të dilnin nga borxhi.
Sot ai burrë mbështetet te vetja. Rënia ekonomike që pasoi, pati ndikim minimal në familjen e tij. Në fakt, mbështetja e tij te vetja bëri të mundur për të dhe gruan e tij që të shërbenin në një mision.
Presidenti Tomas S. Monson është thirrur për kohën tonë. Jeta dhe mësimet e tij janë mesazhi që Perëndia ka dërguar për të na mbrojtur e për të na bekuar ne sot. Në një kohë kur shumë shqetësohen për atë që nuk kanë, Presidenti Monson na mëson të jemi mirënjohës për bekimet e shumta që Zoti na ka dhënë. Dhe në një kohë kur shumë njerëz përqendrohen te problemet e tyre vetjake, Presidenti Monson na nxit që të shtrijmë dorën e të shpëtojmë, duke harruar vetveten në bekimin e të tjerëve. Mbajtja vesh e drejtimit të Presidentit Monson do t’u sigurojë familjeve tona mbrojtjen shpirtërore dhe bekimet që nevojiten në kohën tonë.
Unë jam mirënjohës që jetoj në një kohë kur ungjilli është rivendosur. Jam mirënjohës që Zoti e përgatiti Librin e Mormonit për kohën tonë. Nefitët i duruan besnikërisht sprovat e kohës së tyre dhe janë dëshmitarë se Zoti do të sigurojë bekimet dhe mbrojtjen që na duhen për të përballuar me sukses sfidat e kohës sonë.