2012
Dëlirësia në një Botë të Papërkorë
Tetor 2012


Dëlirësia në një Botë të Papërkorë

Personeli i revistave të Kishës u takua me një grup të rinjsh në moshë madhore nga vende të ndryshme të botës për të diskutuar mbi sfidat dhe bekimet e të qëndruarit të dëlirë në një botë që nuk e vlerëson – dhe madje e përqesh – dëlirësinë. Diskutimi i tyre i hapur, i sinqertë dhe i përzemërt, na u duk lartësues e frymëzues dhe shpresojmë se edhe ju mund të zbuloni në fjalët e tyre diçka që t’ju ndihmojë ta vlerësoni shenjtërinë e martesës dhe intimitetit fizik.

Me kaq shumë njerëz që e justifikojnë sjelljen e pamoralshme, cilat të vërteta të ungjillit ju ndihmojnë të qëndroni seksualisht të pastër?

Martin Isaksen, Norvegji: Në shkrimet e shenjta thuhet se duhet të jesh i dëlirë. Kjo është një arsye më se e mjaftueshme për mua.

Lizi Xhenkins, Kaliforni, SHBA: Dëlirësia është një zotim. Ti e jeton atë. Është një mënyrë jetese.

Liza Uest, Angli: Të kuptuarit se cila jam, të kuptuarit se ka më shumë në jetë sesa e tanishmja dhe sesa një natë e vetme më ndihmon shumë. Plani i shpëtimit – megjithëse kur isha adoleshente nuk do të kisha mundur ta shpjegoja në mënyrë të hollësishme – është shumë i dobishëm. Koncepti i martesës së përjetshme është i mrekullueshëm! Kur njerëzit e kuptojnë këtë zotim, ata e kuptojnë se sa e jashtëzakonshme është që Perëndia na ka vendosur në familje këtu në tokë dhe na ka dhënë urdhërime, kështu që jo vetëm do të jemi të sigurt, por që [edhe] do të jemi të lumtur. Ndërsa i jetoj këto parime dhe i ndaj ato me miqtë e mi, duke thënë “Nuk do të pi”, ose “Nuk do të shkoj në këtë festë”, ose “Nuk do ta bëj këtë”, ata më respektojnë. Në fakt, ata më dalin në krah në fund. Të kuptuarit se kam vlerë si fëmijë i Perëndisë dhe se Ati Qiellor e di se kush jam dhe vërtet kujdeset për mua është një forcë e madhe.

Ana (Ania) Vlashova, Rusi: Më ndihmon shumë kur mendoj rreth të qenit pjesë e një familjeje qiellore. Unë e dua dhe e respektoj Perëndinë dhe nuk dua që Ai të ndihet i turpëruar për zgjedhjet që bëj.

Kejli Uajtimor, Florida, SHBA: Pa dyshim, unë mendoj se të kuptuarit e shenjtërisë së familjeve më ka dhënë një vendosmëri të fortë për ta jetuar ligjin e dëlirësisë. Një gjë tjetër është të kuptuarit se kur i shkelim urdhërimet, ka pasoja të këqija që unë nuk dëshiroj t’i përjetoj.

Falande (Fae) Tomas, Haiti: Unë kam menduar vërtet rreth asaj se si njerëzit thonë: “Përse të presësh kur mund të kesh gjithçka tani?” Por kam pyetur veten se sa do të zgjaste ajo lloj lumturie. Parapëlqej të jetoj ligjin e dëlirësisë dhe, si rezultat, të kem paqe.

Hipoliti (Hip) Koudio, Bregu i Fildishtë: Një nga gjërat që më ndihmon shumë, është proklamata për familjen: “Ne … deklarojmë se Perëndia ka urdhëruar që fuqitë e shenjta të krijimit të jetës duhet të përdoren vetëm midis burrit dhe gruas, ligjërisht të martuar si bashkëshort e bashkëshorte”1.

Gjëja tjetër që më ndihmon, është mënyra se si Vëllezërit na e shpjegojnë dëlirësinë. Ata na paralajmërojnë për mënyrën se si fillon imoraliteti dhe na mësojnë se, kur abuzojmë me trupin, ne abuzojmë me shpirtin. Plaku Xhefri R. Holland dha mësim se Shpëtimtari pagoi një çmim për ne që një ditë të kemi një trup të ringjallur. Mënyra se si mund të jemi mirënjohës për çmimin që pagoi Ai, është t’i mbajmë trupat tanë të pastër.2

Liza: Më kujtohet një bisedë shumë e veçantë që bëra me dikë kur isha 15 vjeçe. Ne folëm rreth faktit që unë nuk besoj tek intimiteti përpara martesës dhe më kujtohet se ajo tha: “Po, por po sikur thjesht të ndodhë?” Po sikur një natë, ti thjesht … ?” Por unë e dija se kisha një zgjedhje. Asgjë nuk ndodh ashtu thjesht.

Është e mrekullueshme për mua që Ati Qiellor na ka dhënë lirinë e zgjedhjes dhe urdhërime për të na bërë të lirë dhe që Satani bën gjithçka që mundet, për të na lidhur ose kufizuar. Çastet për të cilat po fliste shoqja ime, kur diçka thjesht mund të ndodhte, ishin në festa ku njerëzit kanë pirë dhe janë ndarë në çifte. Kështu që unë nuk e vë veten në ato situata. Zgjedhja nuk duhet bërë në fund kur ti thua po ose jo. Zgjedhja bëhet që më parë, kur ti e pyet veten: “A të shkoj në festë?”

Shumë njerëz, nëse nuk i shqyrtojnë imtësisht gjërat që më përpara dhe nuk mendojnë për pasojat, do të bëjnë çfarëdo që të dëshirojnë në moment. Por nëse thua: “Unë dëshiroj këtë si rezultat përfundimtar; prandaj do të bëj këto zgjedhje”, atëherë do të shmangësh shumë telashe.

Ju përmendët lirinë e zgjedhjes dhe urdhërimet. Por a ju ndihmojnë besëlidhjet – besëlidhjet e pagëzimit apo besëlidhjet e tempullit – për t’i jetuar standardet tuaja?

Fae: Mendoj për jetën time para se të pagëzohesha dhe se sa kuptim më të madh ka jeta tani që kam bërë besëlidhje. Është mahnitëse se si mund të marrim falje për shkak të Shlyerjes. Kur kujtoj besëlidhjet e mia, mendoj rreth mënyrës se si mund të pendohem, të përmirësohem dhe të vazhdoj të shkoj përpara.

Ania: Veçanërisht në tempull e kupton këndvështrimin e përjetshëm. Tempulli të ndihmon të mendosh për përjetësinë tënde dhe jo vetëm për të sotmen, kështu që bën zgjedhje më të mençura.

Lizi: Shumë shpesh ne besojmë se intimiteti është i keq, por nuk është. Ai thjesht duhet të miratohet nga autoriteti i duhur, në kohën e duhur dhe me personin e duhur. Kjo është përse kemi besëlidhje. Ti bën zotime. Ti thua: “Jam vërtet gati për këtë hap në jetën time”. Besëlidhjet më ndihmojnë sepse e di se po bëj gjëra në mënyrën që duhet. Dhe e di se, nëse bëj atë që dëshiron Ati Qiellor, do të jem më e lumtur.

Xhonatan Tomazini, Francë: Nuk do të isha i sinqertë me veten dhe nuk do të isha i sinqertë me Perëndinë po t’i shkelja besëlidhjet e mia. Besëlidhjet martesore më ndihmojnë të kuptoj se dëshiroj të jem në gjendje t’i jap bashkëshortes sime dikë që ka vetëkontroll, që e ka përgatitur veten për të qenë një bashkëshort i mirë dhe që e ka mbajtur veten të pastër.

Ka shumë argumente në botë – shumë prej tyre duken bindëse dhe të ndërlikuara – rreth arsyes përse ligji i dëlirësisë është i dalë mode. Çfarë argumentesh keni dëgjuar dhe si u jeni përgjigjur atyre që i sfidojnë standardet tuaja?

Lizi: Në vitin tim të fundit në shkollë të mesme, më kujtohet një mësuese që na jepte disa “këshilla”. Ajo qe martuar menjëherë pas shkollës së mesme dhe [martesa] kishte përfunduar keq, kështu që ajo pak a shumë na tha se “ka shumë peshq në det”. Ajo nënkuptoi se ka shumë gjëra për t’u provuar nga ne, shumë kandidatë për t’u provuar. Më kujtohet se u trondita që mësuesja ime mund ta thoshte atë. Që nga ajo kohë, kam menduar që, po, ka shumë njerëz, por unë nuk dëshiroj shumë njerëz!

Xhonatani: Dikush që njoh tha se kur ajo ka një lidhje, ajo dëshiron të shohë nëse përputhet seksualisht me atë njeri. Ajo më dha shembullin se kishte dalë në takime me një djalë që i pëlqente dhe pasi kishin kaluar në intimitet, ajo nuk ndieu se përputheshin dhe lidhja nuk funksionoi. Ajo e përdori atë përvojë për të vënë në dukje argumentin e saj dhe dukej mjaft bindës. Si përfundim, i shpjegova asaj se unë besoj se njerëzit mund të arrijnë ta njohin njëri-tjetrin shumë mirë në mënyra të tjera dhe nëse e bëjnë këtë dhe krijojnë mirëbesim ndërsa e jetojnë ligjin e dëlirësisë, do të ketë më shumë përputhje kur të martohen.

Ania: Argumenti më i zakonshëm që dëgjoj përherë është se, kur dy njerëz e dashurojnë njëri-tjetrin, s’ka asgjë të keqe, intimiteti është thjesht shprehje e dashurisë.

Martini: Diçka që më vjen në mendje kur dëgjoj justifikimin “Ne e duam njëri-tjetrin” është një citim nga Presidenti Spenser W. Kimball. Ai thotë se tepër shpesh epshi futet tinëz në derë kur njerëzit mendojnë se kanë rënë në dashuri.3 Kështu ndodh me shumë njerëz kur ata kalojnë në intimitet përpara martesës: është epsh megjithëse ata mendojnë se e duan njëri-tjetrin. Nëse ata vërtet do ta donin njëri-tjetrin, ata do ta respektonin njëri-tjetrin më shumë, do ta mbështesnin njëri-tjetrin dhe do ta kuptonin se ka një kohë të caktuar për intimitetin. Dhe, për mua, intimiteti përpara martese tregon se ata nuk do ta mbështesnin njëri-tjetrin aq shumë sa mendojnë se do ta bëjnë. Sepse, nëse nuk janë në gjendje ta ndihmojnë njëri-tjetrin në të jetuarin e standardeve tani, atëherë si do ta mbështesin njëri-tjetrin më vonë?

Kejli: Disa njerëz që nuk besojnë në Perëndi, ndiejnë se Bibla dhe ligji i dëlirësisë janë të dala mode. Kisha disa shokë në shkollë që qenë pak a shumë ateistë ose agnosticistë – dhe kisha një shoqe që nuk besonte me të vërtetë te mësimet e fesë së saj. Ajo jetonte thjesht sipas asaj që ajo dëshironte, asaj që ajo ndiente se ishte e drejtë për të. Intimiteti fizik, nga pikëpamja e saj, është vetëpërmbushës dhe çdo gjë që do ta kufizonte atë përmbushje, është e padëshirueshme.

Mendoj se shoqja ime u habit që unë besoja në Bibël dhe te urdhërimet e Perëndisë, por u përpoqa ta ndihmoja atë të kuptonte se unë nuk i shoh urdhërimet si kufizime; i jetoj ato sepse më bëjnë më të lumtur. Megjithëse nuk qemë dakord, ajo më respektoi dhe ne mbetëm mikesha të mira.

Liza: Të gjitha këto argumente gjejnë përgjigje në parimet themelore të ungjillit. Kur besoni se ka një Perëndi, kur besoni se ka një plan më të madh, kur besoni se ka përgjegjshmëri, kur besoni se është dikush që ju do dhe kujdeset për ju dhe kur besoni se keni vlerë të brendshme sepse jeni fëmijë i Perëndisë – atëherë ka më shumë gjasa që ta konsideroni veten me vlerë dhe ta respektoni trupin tuaj. Kur njerëzit nuk i dinë apo nuk i besojnë këto parime, ata shohin nga njerëzit dhe vendet e tjera për të kuptuar se sa vlejnë [vetë].

Çfarë ndikimesh apo shembujsh ju kanë ndihmuar të zotoheni që të jetoni ligjin e dëlirësisë?

Hipi: Unë kisha një shok dhome që qe i fejuar. Një ditë, po flisnim për martesën e tij të afërt dhe dikush pyeti: “Cilat janë zotimet që ju të dy mendoni se do t’ju ndihmojnë të qëndroni të fortë?” Përgjigjja e tij qe: “Mosmbajtja e ligjit të dëlirësisë mund ta shkatërrojë lidhjen tonë. Kështu që ne vendosëm se nuk do të bënim asgjë për të cilën nuk do të ndiheshim rehat po ta bënim përpara peshkopit ose prindërve tanë.” Kjo ende ka një ndikim tek unë.

Xhonatani: Tani që jam i ri në moshë madhore, është më e lehtë t’i dëgjoj profetët dhe të meditoj për gjërat që thonë udhëheqësit e Kishës. Megjithatë, përpara kësaj, mendoj se shumë prej përgjegjësisë u mbetet prindërve dhe familjeve tona. Kisha mund të sigurojë informacion dhe shumë gjëra të mrekullueshme, por shembujt nga familja ime më ndihmuan vërtet që ta kuptoj se ungjilli është diçka e mirë dhe se më bën të lumtur.

Liza: Ndërsa po rritesha, anëtari i Kishës më i afërt me moshën time jetonte një orë e gjysmë larg, kështu që nuk kishte anëtarë të tjerë në shkollë. Por diçka të cilën e vlerësova vërtet ishte që, edhe pse isha vetëm unë, udhëheqësit e mi vinin gjithmonë në Aktivitetet e Përbashkëta; ata gjithmonë vinin në seminar; ata gjithmonë vinin të më jepnin mësim – çdo herë të vetme. Ata nuk thanë kurrë: “Mirë, ne kemi vetëm një student kështu që nuk do të bëjmë mësim sot”. Jam e sigurt se kam mësuar shumë, por ajo që kujtoj vërtet është që udhëheqësit e mi qenë të qëndrueshëm. Dhe për shkak të tyre, unë pata mundësi të ndieja Shpirtin.

Mendoj se kurrë nuk mund ta vlerësoj plotësisht dhuratën e Frymës së Shenjtë. Edhe pse kisha prindërit e mi, familjen time dhe udhëheqësit e mi, kur isha në shkollë, isha vetëm. Por Shpirti ishte me mua. Kështu që çdo gjë që e sjell Shpirtin në jetën e dikujt, do të jetë një ndikim i madh në të ndihmuarin e atij personi për të mbajtur ligjin e dëlirësisë.

Lizi: Një nga ndikimet e mia më të mëdha qe marrja e një dëshmie për veten time. Nëse nuk rrënjosemi fort në ungjill, është shumë e lehtë që të marrim një shteg tjetër. Por nëse filloni duke u siguruar se keni një themel të fortë në ungjill, gjithçka tjetër do të vijë.

Hipi: Kur dëshiron të jesh i fortë fizikisht, stërvitesh dhe kur stërvitesh, merr rezultate. Nëse e zbatojmë këtë në një mënyrë shpirtërore, ne duhet të stërvitemi shpirtërisht. Ka shumë gjëra që duhet të bëjmë për një stërvitje shpirtërore, të tilla si leximi i shkrimeve të shenjta dhe bërja e gjithçkaje që mundemi për të pasur Shpirtin. Ne gjithashtu duhet të vendosim synime të drejta dhe të punojmë drejt atyre synimeve. Por që t’i arrijmë ato synime, ne nuk mund t’ia dalim vetëm. Na duhet të kemi Zotin me vete. Nga Ai ne marrim forcën dhe Shpirtin për t’i kapërcyer sfidat tona. Më pas ne mund të ndjekim lutjen e Presidentit Tomas S. Monson:

“Mos i lejoni pasionet t’ju shkatërrojnë ëndrrat. Bëjini ballë tundimit.

Kujtoni fjalët nga Libri i Mormonit: ‘Ligësia kurrë nuk ka qenë lumturi’”4.

Shënime

  1. “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Liahona, nëntor 2010, f. 129.

  2. Shih Jeffrey R. Holland, “Of Souls, Symbols, and Sacraments”, në Devotional and Fireside Speeches të vitit 1987–1988 në Universitetin “Brigam Jang” (1988), f. 77–79.

  3. “Në kohën e mëkatit, dashuria e pastër del nga një derë ndërkohë që epshi hyn tinëz nga një derë tjetër. Ngrohtësia është zëvendësuar atëherë me dëshirën e mishit dhe pasionin e pakontrolluar. Është pranuar doktrina që djalli mezi pret ta themelojë, se marrëdhëniet e palejueshme seksuale janë të justifikueshme” (Teachings of Spencer W. Kimball, red. Edward L. Kimball [1982], f. 279).

  4. Tomas S. Monson, “Be Thou an Example”, Liahona, maj 2005, f. 113; Konferenca e Përgjithshme, prill 2005, “Bëhu Shembull”, f. 135 (nr. artikulli 00074 101).

Fotografitë nga Craig Dimond