2016
Emisarë për Kishën
Nëntor  2016


Emisarë për Kishën

Ne po ju kërkojmë si mësues të shtëpisë që të jeni emisarë të Perëndisë te fëmijët e Tij, që t’i doni, të përkujdeseni e të luteni për njerëzit që ju caktohen.

Jo shumë kohë më parë një motër beqare, të cilën do ta quaj Molli, u kthye nga puna dhe veç kur gjeti 5 cm ujë që mbulonin tërë dyshemenë e katit të saj nëntokësor. Menjëherë e kuptoi se fqinjët e saj, me të cilët kishte të përbashkëta kanalet e shkarkimit, duhej të kishin bërë një sasi të stërmadhe larjeje rrobash e njerëzish ngaqë asaj i doli uji i pashkarkuar.

Pasi Molli thirri një shoqe që të vinte e ta ndihmonte, të dyja filluan ta largonin ujin me kova e shtupa lecke. Pikërisht atëherë ra zilja e derës. Shoqja e saj bërtiti: “Do të jenë mësuesit e tu të shtëpisë!”

Molli qeshi. “Është dita e fundit e muajit”, u përgjigj ajo, “por mund të të siguroj që nuk janë mësuesit e mi të shtëpisë.”

Me këmbë të zbathura, pantallona të lagura, flokët të mbledhura lart me një shami dhe me një palë dorashka llastiku shumë të modës, Molli shkoi të hapte derën. Por pamja e saj e pazakontë nuk krahasohej me pamjen e pazakontë që qëndronte përpara syve të saj. Ishin mësuesit e saj të shtëpisë!

“Mund të më kishe rrëzuar përtokë me një pompë lavamani!”, më tha ajo më vonë. “Kjo ishte një mrekulli e mësimit të shtëpisë – e llojit që Vëllezërit tregojnë në bisedat e konferencave të përgjithshme!” Ajo vazhdoi: “Por pikërisht ndërsa po përpiqesha të vendosja nëse t’iu jepja një të puthur apo një shtupë, ata thanë: ‘O Molli, na vjen keq. E shohim që je e zënë. Nuk duam të të shqetësojmë; do të vijmë një herë tjetër.’ Dhe ata u larguan.”

“Kush ishte?” thirri shoqja e saj nga kati nëntokësor.

“Doja të thoja: ‘Sigurisht nuk ishin Tre Nefitët’”, pranoi Molli, “por u përmbajta dhe thashë me shumë qetësi: ‘Ishin mësuesit e mi të shtëpisë, por ata menduan se kjo nuk ishte një kohë e përshtatshme për të lënë mesazhin e tyre’.”1

Vëllezër, le të shqyrtojmë shkurtimisht detyrën e priftërisë që është përshkruar si “burimi i parë i Kishës për t’i ndihmuar” individët dhe familjet e saj.2 Pyje të tëra janë sakrifikuar duke siguruar letrën për ta organizuar [mësimin e shtëpisë] e më pas riorganizuar atë. Mijëra biseda inkurajuese janë dhënë duke u përpjekur që ta nxitin atë. Sigurisht, asnjë zyrë frojdiane askund nuk do të mund t’i merrte përsipër ndërgjegjet e vrara që ka shkaktuar kjo temë. Prapëseprapë ne ende hasim vështirësi për të arritur qoftë edhe pranë një standardi të pranueshëm të realizimit lidhur me urdhërimin e Zotit që të “vëzhgoj[më] mbi kishën gjithmonë”3 nëpërmjet mësimit të shtëpisë nga ana e priftërisë.

Pjesë e sfidës që hasim, është demografia në ndryshim e Kishës. Ne e dimë se me anëtarësinë tonë tani të shpërndarë në më shumë se 30.000 lagje e degë, të vendosura në rreth 188 kombe e territore, është shumë më tepër sfiduese që të vizitohen shtëpitë e vëllezërve dhe motrave tona sesa ishte në ditët e hershme të Kishës kur fqinji i jepte mësim fqinjit në diçka të quajtur “mësimi brenda bllokut”.

Për më tepër, në shumë njësi të Kishës, ka numër të kufizuar të mbajtësve të mundshëm të priftërisë për të bërë mësimin e shtëpisë, duke i ngarkuar ata që mund të shërbejnë, me rreth 18 ose 20 familje – ose më shumë – për t’u kujdesur. Mund të ketë edhe probleme të largësisë së madhe për të udhëtuar, kostos së lartë e mundësisë së paktë për transportim dhe kohëzgjatjes së shtuar të ditës së punës dhe të javës së punës në vend. Shtojuni këtyre edhe disa tabu kulturore kundër vizitave të paftuara në shtëpi dhe çështjeve të sigurisë që ekzistojnë në shumë prej lagjeve të banimit nëpër botë – pra, ne fillojmë ta kuptojmë ndërlikimin e problemit.

Vëllezër, në më të mirin e të gjitha vendeve dhe në ato rrethana ku mund të bëhet mësimi, një vizitë mujore në secilën shtëpi është ende ideali për të cilin do të përpiqej Kisha. Por duke e kuptuar se në shumë vendndodhje përreth botës arritja e një ideali të tillë është e pamundur dhe ne u shkaktojmë atyre vëllezërve që të ndihen si të dështuar kur u kërkojmë të bëjnë atë që realisht nuk mund të bëhet, Presidenca e Parë u shkroi udhëheqësve të priftërisë të Kishës në dhjetor të vitit 2001, duke dhënë këtë këshillë të frymëzuar dhe shumë ndihmuese: “Ka disa rajone në Kishë”, shkruan ata, “ku … mësimi i shtëpisë tek çdo shtëpi çdo muaj mund të mos jetë i mundur për shkak të numrit të pamjaftueshëm të vëllezërve aktivë të priftërisë dhe sfidave të tjera të larmishme vendore.” I kemi përmendur disa prej tyre. “Kur rrethana të tilla mbizotërojnë”, vazhdojnë ata, “udhëheqësit duhet të bëjnë më të mirën për të përdorur burimet që ata kanë në dispozicion, për ta vëzhguar dhe forcuar çdo anëtar.”4

Vëllezër, nëse në lagjen apo degën time unë do të hasja këto lloj rrethanash të vështira, shoqëruesi im i Priftërisë Aarone dhe unë do ta zbatonim këshillën e Presidencës së Parë (e cila është tani rregullore në manual) në këtë mënyrë: Së pari, pavarësisht se sa muaj do të duheshin për ta arritur atë, ne do ta ndiqnim porosinë e shkrimit të shenjtë që të “vizitoj[më] shtëpinë e çdo anëtari”5, duke krijuar një program që do të na çonte tek ato shtëpi sipas një kalendari që ishte i mundshëm dhe i realizueshëm. E përfshirë në atë program do të jetë përparësia e kohës në dispozicion dhe e shpeshtësisë së takimeve me ata që kanë nevojë për ne më shumë – kërkuesve që po u japin mësim misionarët, të kthyerve në besim të sapopagëzuar, atyre që janë të sëmurë, të vetmuarve, më pak aktivëve, familjeve me një prind të vetëm me fëmijë ende në shtëpi e kështu me radhë.

Ndërkohë që punojmë sipas programit tonë për t’i vizituar të gjitha shtëpitë, i cili mund të kërkojë disa muaj për t’u plotësuar, ne do të kontaktojmë në mënyra të tjera me individët e familjet në listën tonë nëpërmjet ndonjërit prej mjeteve që Zoti i ka siguruar. Sigurisht ne do të vëzhgonim për familjet tona në kishë dhe, sikurse thotë shkrimi i shenjtë, do të “[flisnim] me njëri-tjetrin, në lidhje me mirëqenien e shpirtit të tyre”6. Përveç kësaj, do të bënim telefonata, do të dërgonim mesazhe elektronike dhe sms, madje do të shkruanim një përshëndetje nëpërmjet njërës prej formave të shumta të medias shoqërore që janë të gjindshme për ne. Që të ndihmonim për të trajtuar nevoja të veçanta, ne mund të dërgonim një citim nga shkrimet e shenjta ose një rresht nga një bisedë e konferencave të përgjithshme apo një Mesazh Mormon të nxjerrë nga moria e materialit në LDS.org. Duke përdorur fjalët e Presidencës së Parë, ne do të bënim më të mirën që mundeshim në rrethanat që hasnim, me burimet e gjindshme për ne.

Vëllezër, thirrja që po e bëj sonte, është që ju ta shtoni kuptueshmërinë tuaj për kryerjen e mësimit të shtëpisë. Ju lutem, në mënyra më të reja, më të mira ta shihni veten si emisarë të Zotit te fëmijët e Tij. Kjo nënkupton heqjen dorë nga tradita e një kalendari të çmendur, të ngjashëm me ligjin e Moisiut, në fund të muajit, sipas të cilit ju nxitoni të jepni një mesazh të shkruar nga dikush tjetër në revistat e Kishës, që familja tashmë e ka lexuar. Ne do të shpresonim, në vend të kësaj, që ju do të krijoni një epokë të shqetësimit të çiltër për anëtarët, të drejtuar tek ungjilli, duke e mbrojtur njëri-tjetrin dhe duke u përkujdesur për njëri-tjetrin, duke i trajtuar nevojat shpirtërore e materiale në çfarëdo mënyre që ndihmon.

Tani, për sa i përket asaj që “cilësohet” si mësimi i shtëpisë, “cilësohet” çdo gjë e mirë që bëni, prandaj raportojini të gjitha! Në të vërtetë, raporti që ka më shumë vlerë, është mënyra se si ju i keni bekuar dhe jeni kujdesur për ata që janë brenda kujdestarisë suaj, e cila praktikisht nuk ka asnjë lidhje me një kalendar të veçantë apo një vendndodhje të caktuar. Ajo që është e rëndësishme, është që ju i doni njerëzit tuaj dhe po përmbushni urdhërimin për të “vëzhg[uar] mbi kishën gjithmonë”7.

Më 30 maj të vitit të kaluar, miku im, Troi Rasëll, e nxori kamionçinën e tij me ngadalë nga garazhi në udhë e sipër për të dhuruar mallra te dyqani vendor i bamirësisë. Ai ndjeu që rrota e pasme kaloi mbi një të ngritur. Duke menduar që një send kishte rënë nga kamionçina, ai zbriti dhe veç kur gjeti birin e tij të shtrenjtë nëntëvjeçar, Ostinin, të shtrirë me fytyrën mbi trotuar. Ulërimat, bekimi i priftërisë, ekipi i urgjencës, punonjësit e spitalit – ata, në këtë rast, nuk patën asnjë vlerë. Ostini ndërroi jetë.

I paaftë për të fjetur, i paaftë për të gjetur paqe, Troi ishte i pangushëllueshëm. Tha se dhembja ishte më shumë nga ç’mund ta duronte dhe se thjesht nuk mund të vazhdonte më të jetonte. Por në atë kohë torturuese erdhën tri forca shëlbuese.

E para ishte dashuria dhe shpirti siguridhënës i Atit tonë në Qiell, një prani e shprehur nëpërmjet Frymës së Shenjtë që e ngushëlloi Troin, e mësoi atë, e deshi atë dhe i pëshpëriti që Perëndia di gjithçka rreth humbjes së një Biri të mrekullueshëm dhe të përsosur. E dyta ishte bashkëshortja e tij, Didra, që e mbajti Troin në krahët e saj, e deshi atë dhe i kujtoi atij se edhe ajo e kishte humbur atë bir dhe ishte e vendosur që të mos e humbte edhe bashkëshortin. I treti në këtë histori është Xhon Meningu, i jashtëzakonshmi mësues i shtëpisë.

Sinqerisht, nuk e di se sipas cilit program Xhoni dhe shoqëruesi i tij i ri i bënin vizitat te familja Rasëll ose çfarë mesazhi jepej kur shkonin atje, apo se si e raportonin përvojën e tyre. Ajo që unë vërtet e di, është që pranverën e shkuar Vëllai Mening u afrua dhe e ngriti Troi Rasëllin nga tragjedia e asaj rrugice përpara garazhit, sikur të ishte duke ngritur vetë Ostinin e vogël. Si mësuesi i shtëpisë ose vëzhguesi, apo vëllai në ungjill që ai pritej të ishte, Xhoni thjesht mori mbi vete përkujdesjen priftërore dhe mbështetjen e Troi Rasëllit. Ai e filloi duke thënë: “Troi, Ostini do që ti ta marrësh sërish veten – duke përfshirë edhe në fushën e basketbollit – kështu që unë do të jem këtu çdo mëngjes në orën 5:15. Të jesh gati pasi nuk më pëlqen të më duhet të hyj brenda që të të zgjoj – dhe e di që as Didra nuk do që unë ta bëj këtë.”

“Nuk doja të shkoja”, më tha Troi më vonë, “ngaqë gjithmonë e kisha marrë Ostinin me vete në ato mëngjese dhe e dija që kujtimet do të ishin tepër të dhimbshme. Por Xhoni këmbënguli, prandaj shkova. Që nga ajo ditë e parë e kthimit, ne flisnim – ose më saktë, unë flisja dhe Xhoni dëgjonte. Flisja gjatë gjithë rrugës me makinë për në kishë dhe më pas gjatë gjithë rrugës për në shtëpi. Nganjëherë flisja ndërkohë që ai parkonte përpara shtëpisë dhe shihnim lindjen e diellit mbi Las Vegas. Fillimisht ishte e vështirë, por, me kalimin e kohës e kuptova se e kisha gjetur forcën time në formën e një lojtari 1,88 metra të gjatë, tepër të ngadaltë të basketbollit në Kishë, me një kërcim tërësisht të mjerueshëm për të shënuar një kosh, që më deshi dhe më dëgjoi derisa më së fundi dielli lindi sërish në jetën time.”8

Vëllezërit e mi të priftërisë së shenjtë, kur flasim për mësimin e shtëpisë apo përkujdesjen ose shërbesën vetjake të priftërisë – quajeni si ta doni – kjo është ajo për të cilën po flasim. Ne po ju kërkojmë si mësues të shtëpisë që të jeni emisarë të Perëndisë te fëmijët e Tij, që t’i doni, të përkujdeseni e të luteni për njerëzit që ju caktohen, sikurse ne ju duam, përkujdesemi dhe lutemi për ju. Qofshi vigjilentë në përkujdesjen për tufën e Perëndisë në mënyra që përputhen me rrethanat tuaja, unë lutem, në emrin e Bariut të Mirë për të gjithë ne, për të cilin unë jam dëshmitar, madje Zotit Jezu Krisht, amen.