2016
Gjykatësi i Drejtë
Nëntor  2016


Gjykatësi i Drejtë

Ka vetëm një mënyrë për të gjykuar me gjykim të drejtë, siç bën Jezu Krishti, dhe ajo është të jemi siç është Ai.

Në jetën e Tij në vdekshmëri, Jezu Krishti ishte një gjykatës i dashur, jashtëzakonisht i urtë dhe i duruar. Ai njihet në shkrimet e shenjta si “gjykatësi i drejtë” (2 Timoteut 4:8; Moisiu 6:57) dhe këshilla e Tij për ne është që gjithashtu të “gjyko[jmë] me gjykim të drejtë” (shih Përkthimi prej Joseph Smith-it, Mateu 7:1–2 [ose në Biblën në anglisht Matthew 7:1, shënimi a në fund të faqes]) dhe ta “vë[më] besimin [tonë] në atë Shpirt që drejton për të bërë mirë … [dhe] për të gjykuar me drejtësi” (DeB 11:12).

Kjo këshillë drejtuar Dymbëdhjetë Nefitëve do të na ndihmojë të gjykojmë ashtu siç gjykon Zoti: “Ju do të jeni gjykatësit e këtij populli, sipas gjykimit që do t’ju jap unë, i cili do të jetë i drejtë. Prandaj, çfarë lloj njerëzish duhet të jeni? Në të vërtetë, unë ju them juve, madje siç jam unë” (3 Nefi 27:27; theksimi i shtuar). Nganjëherë ne harrojmë që, kur Ai dha këshillën që të jemi siç është Ai, ajo ishte në kontekstin e mënyrës se si të gjykojmë me drejtësi.

Gjykimi i Padrejtë

Shpëtimtari me farisenjtë dhe skribët

Një shembull i turpshëm i gjykimit të padrejtë vjen nga shëmbëlltyra e deles së humbur, kur farisenjtë dhe skribët i gjykuan padrejtësisht si Shpëtimtarin ashtu edhe grupin me të cilin Ai po hante, duke thënë: “Ky i pranon mëkatarët dhe ha bashkë me ta” (Lluka 15:2) – ata ishin të pavëmendshëm ndaj faktit që ata vetë ishin mëkatarë. Të pushtuar nga zemra dënuese, skribët dhe farisenjtë kurrë nuk e njohën gëzimin e shpëtimit të deleve të humbura.

Shpëtimtari me gruan që ishte kapur duke shkelur kurorën

Ishin gjithashtu “farisenjtë dhe skribët” që sollën “një grua që ishte kapur duke shkelur kurorën” (Gjoni 8:3) te Shpëtimtari për të parë nëse Ai do ta gjykonte atë sipas ligjit të Moisiut (shih vargun 5). Ju e dini vazhdimin e historisë, se si Ai i përuli ata për gjykimin e tyre të padrejtë dhe se si ata u “bind[ën] nga ndërgjegjja [e vet]” dhe u larguan “një nga një” (vargu 9; theksimi i shtuar). Atëherë Ai i tha gruas se as Ai nuk e dënonte dhe ajo duhej të shkonte dhe të mos mëkatonte më. Dhe gruaja e përlëvdoi Perëndinë që nga ajo kohë, dhe besoi në emrin e Tij (shih Joseph Smith Translation, John 8:11 [në Biblën në anglisht John 8:11, shënimi c në fund të faqes]).

Shpëtimtari duke i folur gruas që kishte shkelur kurorën

Burri dhe gruaja natyrore brenda secilit prej nesh kanë prirje që t’i dënojnë të tjerët dhe të gjykojnë padrejtësisht apo sipas drejtësisë së vet. Kjo madje i ndodhi Jakobit e Gjonit, dy prej Apostujve të Shpëtimtarit. Ata u zemëruan kur njerëzit e një fshati samaritan e trajtuan pa respekt Shpëtimtarin (shih Lluka 9:51–54):

Shpëtimtari me pasuesit

“Kur e panë këtë gjë, [ata] thanë: ‘Zot, a do ti që të themi të zbresë zjarr nga qielli dhe t’i përvëlojë, ashtu si bëri edhe Elia?’.

Por ai u kthye nga ata dhe i qortoi duke thënë: ‘Ju nuk e dini nga cili frymë jeni;

sepse Biri i njeriut nuk erdhi për të shkatërruar shpirtërat e njerëzve, po për t’i shpëtuar’” (vargjet 54–56).

“Gjykatës[it e] përbashkët” (DeB 107:74) në kohën tonë, peshkopët dhe presidentët e degëve tona, duhet të shmangin ndonjë impuls të ngjashëm për të dënuar, siç bënë Jakobi e Gjoni në atë rast. Një gjykatës i drejtë duhet t’u përgjigjet rrëfimeve me dhembshuri e kuptueshmëri. Për shembull, një i ri që ka gabuar, duhet të largohet nga zyra e peshkopit duke ndier dashurinë e Shpëtimtarit nëpërmjet peshkopit dhe i mbushur me gëzimin dhe fuqinë shëruese të Shlyerjes – kurrë i turpëruar apo i përçmuar. Përndryshe, peshkopi pa dashur mund ta shtyjë delen e humbur më tej nëpër shkretëtirë (shih Lluka 15:4).

Disiplina

Megjithëkëtë, dhembshuria nuk e asgjëson nevojën për disiplinë. Fjala disiplinë rrjedh nga fjala latine discere, “të mësosh” ose discipulus, “i mësuari”, ta bësh një dishepull një nxënës dhe pasues.1 Të disiplinosh sipas mënyrës së Zotit është t’i mësosh të tjerët me dashuri e durim. Në shkrimet e shenjta Zoti shpesh përdor fjalën qortoj kur flet për disiplinën (shih, për shembull, Mosia 23:21; DeB 95:1). Fjala qortoj rrjedh nga fjala latine castus, që do të thotë “i dëlirë ose i pastër” dhe qortoj do të thotë “të pastrosh”2.

Në botë, ka një gjykatës tokësor që e ndëshkon një njeri dhe e mbyll atë në burg. Në dallim, Libri i Mormonit na mëson se, kur mëkatojmë me paramendim, ne bëhemi “gjykatësit e vetvetes” (Alma 41:7) dhe dorëzohemi vetë në burgun shpirtëror. Për ironi, gjykatësi i përbashkët në këtë rast mban çelësat që hapin portat e burgut; “sepse me ndëshkimin unë përgatis një udhë për çlirimin e tyre nga të gjitha gjërat e tundimit” (DeB 95:1; theksimi i shtuar). Vendimet e një gjykatësi të drejtë janë të mëshirshme, të dashura dhe shpëtuese, jo ndëshkuese.

I riu Jozef Smith u disiplinua me një kohë prove katërvjeçare përpara se të merrte fletët e arta, “ngaqë nuk i [kishte] zbatuar urdhërimet e Zotit”3. Më vonë, kur Jozefi i humbi 116 faqet e dorëshkrimit, ai u disiplinua sërish. Edhe pse Jozefi ishte vërtet plot keqardhje, Zoti ende ia largoi privilegjet për një kohë të shkurtër, sepse “ata që unë i dua, gjithashtu i ndëshkoj që mëkatet e tyre të mund t’u falen” (DeB 95:1).

Jozefi tha: “Engjëlli gëzonte kur më dha përsëri Urimin dhe Thumimin dhe tha se Perëndia ishte i kënaqur nga besnikëria e përulësia ime dhe se më donte për pendesën e zellin tim në lutje”4. Ngaqë Zoti dëshironte t’i jepte Jozefit një mësim zemërndryshues, Ai kërkoi një sakrificë zemërcopëtuese prej tij – një sakrificë që ishte një pjesë thelbësore e disiplinës.

Sakrifica

“Në ditët e lashta, flijimi [sakrifica] do të thoshte t[a] bëje diçka ose dikë të shenjtë”5, gjë që e lidh atë, në një mënyrë të ndërthurur, me përkufizimin e fjalës qortoj – “të pastrosh”. Po ashtu, në Izraelin e lashtë, falja vinte nëpërmjet një flijimi, ose sakrifice, të mëkatit apo të shkeljes.6 Sakrifica jo vetëm që e “[vuri] në dukje atë flijim të madh dhe të fundit” (Alma 34:14), por gjithashtu ndihmoi për të shkaktuar një ndjenjë më të thellë mirënjohjeje për Shlyerjen e Shpëtimtarit. Një mungesë e gatishmërisë për të sakrifikuar si pjesë e pendesës sonë, e përqesh ose përçmon sakrificën më të madhe të Krishtit për të njëjtin mëkat dhe e pakëson rëndësinë e vuajtjes së Tij – një shenjë e pashpirt e mosmirënjohjes.

Nga ana tjetër, për shkak të ironisë së ëmbël të sakrificës, ne me të vërtetë fitojmë diçka me vlerë të përjetshme – mëshirën dhe faljen e Tij dhe më së fundi “gjithçka që Ati … ka” (DeB 84:38). Si pjesë e procesit të pendesës, sakrifica gjithashtu vepron si një balsam shërues që ndihmon për ta zëvendësuar “brejtje[n e] ndërgjegjes” (Alma 42:18) me “paqe[n e] ndërgjegjes” (Mosia 4:3). Pa sakrificën, një njeriu mund t’i duket e vështirë që ta falë vetveten, për shkak të vetëdijes së vazhdueshme për diçka që e ka fshehur.7

Prindi si një Gjykatës i Drejtë

Ndërkohë që pak prej nesh do të thirren që të jenë gjykatës të përbashkët, parimet e gjykimit të drejtë gjejnë zbatim për ne të gjithë, veçanërisht për prindërit që kanë mundësi të përditshme për t’i përdorur këto parime me fëmijët e tyre. T’i jepet mësim me efektshmëri një fëmije është pikërisht thelbi i të qenit një prind i mirë dhe të disiplinohet një fëmijë me dashuri është pikërisht thelbi i të qenit një gjykatës i drejtë.

Presidenti Jozef F. Smith dha mësim: “Nëse fëmijët janë kundërshtues dhe të vështirë për t’u kontrolluar, jini të durueshëm me ta deri sa të mund t’i fitoni nëpërmjet dashurisë, … dhe ju më pas mund t’u [jepni formë] karaktereve të tyre si të dëshironi”8.

Është domethënëse që, në mësimdhënien se si të jepet disiplina, profetët duket se gjithmonë u drejtohen tipareve si të Krishtit. Doktrina e Besëlidhje na jep këtë këshillë të mirënjohur mbi disiplinën:

“Asnjë fuqi apo ndikim nuk mund ose nuk duhet të mbahet me anë të priftërisë, veçse nëpërmjet bindjes, nëpërmjet durimit, nëpërmjet mirësjelljes e zemërbutësisë dhe nëpërmjet dashurisë së pashtirur;

Nëpërmjet mirësisë dhe diturisë së pastër, të cilat do ta zgjerojnë shumë shpirtin, pa hipokrizi dhe pa mashtrim –

Duke qortuar në kohën e duhur me mprehtësi, kur u nxite nga Fryma e Shenjtë; dhe atëherë duke treguar më pas rritje të dashurisë” (DeB 121:41–43).

Ky shkrim i shenjtë na mëson që të qortojmë “kur … nxite[mi] nga Fryma e Shenjtë”, jo kur nxitemi nga zemërimi. Fryma e Shenjtë dhe zemërimi janë të papërputhshëm pasi “ai që ka shpirtin e grindjes nuk është i imi, por është i djallit i cili është ati i grindjes dhe ai nxit zemrat e njerëzve, që të grinden me zemërim” (3 Nefi 11:29). Presidenti Xhorxh Albert Smith dha mësim se “gjërat e pakëndshme nuk thuhen zakonisht nën frymëzimin e Zotit. Shpirti i Zotit është shpirti i mirësisë, ai është shpirti i durimit, është një shpirt i dashurisë hyjnore dhe i dashurisë, dhe i vetëpërmbajtjes, dhe i durimit të madh. …

… Por nëse ne kemi shpirtin e gjetjes së gabimit, … me një mënyrë të dëmshme, ai kurrë nuk vjen si rezultat i shoqërimit nga Shpirti i Atit tonë Qiellor dhe është gjithnjë i dëmshëm.

… Dashamirësia është fuqia që Perëndia na ka dhënë për të hapur zemrat e vështira dhe për të nënshtruar shpirtrat kokëfortë, dhe për t’i bërë ata që të kuptojnë qëllimet e Tij.”9

Identiteti i Vërtetë i Fëmijëve Tanë

Kur Shpëtimtari i vizitoi nefitët, Ai bëri diçka të jashtëzakonshme me fëmijët:

Shpëtimtari me fëmijët nefitë

“Dhe ndodhi që ai i mësoi dhe u shërbeu fëmijëve të turmës … dhe ai i zgjidhi gjuhët e tyre dhe ata u thanë etërve të tyre gjëra të mëdha dhe të mrekullueshme. …

… Dhe ata panë dhe dëgjuan këta fëmijë; po, madje edhe foshnjat hapën gojën dhe shqiptuan gjëra të mrekullueshme” (3 Nefi 26:14, 16).

Ndoshta më shumë se hapjen e gojës së foshnjave, Zoti po hapte sytë dhe veshët e prindërve të tyre të habitur. Atyre prindërve iu ishte dhënë dhurata e jashtëzakonshme e një vështrimi të shpejtë brenda përjetësisë dhe e shikimit të identitetit të vërtetë dhe të shtatit të fëmijëve të tyre para lindjes. A nuk do ta ndryshonte ajo përgjithmonë mënyrën se si prindërit i shihnin dhe i trajtonin fëmijët e tyre? Më pëlqen ky variant i një citimi që i atribuohet Gëtes: “Mënyra se si e shihni [një fëmijë] është mënyra se si i trajtoni ata dhe mënyra se si i trajtoni ata është [se kush] ata [do të] bëhen”10. Të kujtuarit e identitetit të vërtetë të një fëmije është një dhuratë e largpamësisë që në mënyrë hyjnore e frymëzon këndvështrimin e një gjykatësi të drejtë.

Përfundimi

Presidenti Tomas S. Monson na ka dhënë mësim: “Mos lejoni kurrë që zgjidhja e një problemi, të bëhet më e rëndësishme se një person që ka nevojë ta [doni]”11. Sa jetik është ai parim për t’u bërë gjykatës të drejtë, veçanërisht me vetë fëmijët tanë.

Ka vetëm një mënyrë për të gjykuar me gjykim të drejtë, siç bën Jezu Krishti, dhe ajo është të jemi siç është Ai. Prandaj, “çfarë lloj [burrash dhe grash] duhet të jeni? Në të vërtetë, unë ju them juve, madje siç jam unë” (3 Nefi 27:27). Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shih “disciple”, etymonline.com.

  2. Shih Merriam-Webster’s Collegiate Dictionary, bot. i 11-të. (2003), “chasten [qortoj]”.

  3. Karen Lynn Davidson and others, red., Histories, Volume 1: Joseph Smith Histories, 1832–1844, vëll. 1 i serive Histories of The Joseph Smith Papers (2012), f. 83.

  4. Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 74; theksimi i shtuar.

  5. Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Sakrificë”, f. 165, scriptures.lds.org.

  6. Shih Bible Dictionary, “Sacrifices”.

  7. Sakrifica që ofrojmë mbi altarin e tavolinës së sakramentit çdo javë, është një zemër e thyer dhe një shpirt i penduar (shih 2 Nefi 2:7; 3 Nefi 9:20; Doktrina e Besëlidhje 59:8). Një zemër e thyer është një zemër penduese; një shpirt i penduar është një shpirt i bindur (shih D. Todd Christofferson, “When Thou Art Converted”, Liahona, maj 2004, f. 12).

  8. Teachings of Presidents of the Church: Joseph F. Smith (1998), f. 299.

  9. Mësimet e Presidentëve të Kishës: Xhorxh Albert Smith (2011), f. 224–225, 227; theksimi i shtuar.

  10. I atribuohet Johann Wolfgang von Goethe, brainyquote.com.

  11. Tomas S. Monson, “Të Gjejmë Gëzim në Udhëtim”, Liahona, nëntor 2008, f. 86.