A Jam Mjaftueshëm i Mirë? A do t’ia Dal?
Nëse me të vërtetë do të përpiqeni dhe nuk do të përligjeni ose ngrini krye – duke u penduar shpesh dhe duke u lutur për hirin – ju me siguri do të jeni “mjaftueshëm [të] mirë”.
Motra e vëllezër të dashur, çfarë bekimi është për ne që të mblidhemi për të marrë mësim nga shërbëtorët e Zotit! A nuk është e mrekullueshme se në sa mënyra Ati ynë i dashur Qiellor na drejton dhe na bekon? Ai dëshiron vërtet që ne të kthehemi në shtëpi.
Nëpërmjet një sërë mëshirash të dhembshura kur isha një mjek i ri që vjen nga shkolla e mjekësisë, unë u pranova për trajnim në pavijonin e pediatrisë, në një program të ngjeshur e konkurrues. Kur i takova praktikantët e tjerë, u ndjeva si më pak inteligjenti dhe më pak i përgatituri nga të gjithë ata. Mendova se nuk kishte asnjë mundësi që të mund të matesha me pjesën tjetër të grupit.
Në fillim të muajit tonë të tretë, isha ulur në sektorin e infermierisë në spital një natë vonë, duke kaluar nga ngashërimi me vete te dremitja ndërsa përpiqesha të shkruaja fletën e shtrimit për një djalë të vogël me pneumoni. Nuk isha ndjerë kurrë aq i shkurajuar në jetën time. Nuk e kisha fare idenë se si ta trajtoja pneumoninë te një 10-vjeçar. Nisa të pyetja veten se çfarë po bëja atje.
Pikërisht në atë çast, një nga specializantët e vitit të fundit vendosi dorën mbi shpatullën time. Më pyeti se si po ia kaloja dhe unë i zbraza gjithë zemërimin dhe frikën time. Përgjigjja e tij më ndryshoi jetën. Ai më tha se sa krenar ishte ai dhe të gjithë specializantët e tjerë të vitit të fundit për mua dhe se si ata mendonin se unë do të bëhesha një mjek i shkëlqyer. Me pak fjalë, ai besoi tek unë në një kohë kur unë madje as që besoja te vetja.
Sikurse me vetë përvojën time, anëtarët tanë shpesh pyetin: “A jam mjaftueshëm i mirë si person?” ose “A do t’ia dal vërtet për në mbretërinë çelestiale?” Sigurisht që nuk ka gjëra të tilla si “të qenit mjaftueshëm i mirë”. Asnjëri prej nesh nuk mund ta “fitojë” ose “meritojë” ndonjëherë shpëtimin e vet, por është diçka e zakonshme të vrasim mendjen nëse pranohemi përpara Zotit, që është mënyra se si unë i kuptoj këto pyetje.
Ndonjëherë, kur marrim pjesë në Kishë, ne shkurajohemi madje edhe nga ftesat e sinqerta për t’u përmirësuar. Në heshtje mendojmë: “Nuk mund t’i bëj të gjitha këto gjëra” ose “Asnjëherë nuk do të jem aq i mirë sa të gjithë këta njerëz”. Ndoshta ndihemi njëlloj siç u ndjeva unë në spital atë natë.
Ju lutem, vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, ne duhet të reshtim së krahasuari veten tonë me të tjerët. Ne e stërmundojmë veten tonë pa qenë nevoja duke konkurruar dhe duke u krahasuar. Në mënyrë të gabuar ne e gjykojmë denjësinë vetjake nëpërmjet gjërave që vërtet i kemi ose nuk i kemi, dhe nëpërmjet opinioneve të të tjerëve. Nëse duhet të krahasohemi, le të krahasojmë mënyrën se si ishim në të kaluarën me mënyrën se si jemi sot – dhe madje me mënyrën se si duam të jemi në të ardhmen. Opinioni i vetëm që ka rëndësi për ne, është ai që Ati ynë Qiellor mendon për ne. Ju lutem, kërkojini Atij me sinqeritet se çfarë mendon për ju. Ai do të na dojë dhe qortojë por kurrë nuk do të na shkurajojë; kjo është dredhia e Satanit.
Më lejoni të jem i drejtpërdrejtë dhe i qartë. Përgjigjet për pyetjet: “A jam mjaftueshëm i mirë” dhe “A do t’ia dal?” janë “Po! Ju do të jeni mjaftueshëm të mirë” dhe “Po, ju do t’ia dilni për sa kohë që vazhdoni të pendoheni dhe nuk përligjeni ose ngrini krye”. Perëndia i qiellit nuk është një arbitër i pashpirt që kërkon çdo justifikim për të na nxjerrë jashtë loje. Ai është Ati ynë përsosurisht i dashur, i cili dëshiron më shumë se çdo gjë tjetër që t’i ketë të gjithë fëmijët e Tij sërish në shtëpi dhe të jetojnë me Të si familje përgjithmonë. Ai njëmend dha Birin e Tij të Vetëmlindur që ne të mos humbasim por të kemi jetë të përjetshme!1 Ju lutem besoni dhe ju lutem merrni shpresë e ngushëllim nga kjo e vërtetë e përjetshme. Ati ynë Qiellor synon që ne t’ia dalim! Kjo është vepra e Tij dhe lavdia e Tij.2
Më pëlqen mënyra se si Presidenti Gordon B. Hinkli e jepte mësim këtë parim. Në disa raste e kam dëgjuar të thotë: “Vëllezër e motra, ajo që pret Zoti nga ne, është të përpiqemi, por ju duhet që me të vërtetë të përpiqeni!”3
“Të përpiqesh me të vërtetë” do të thotë të bësh më të mirën që mundesh, duke kuptuar se ku ne kemi nevojë të përmirësohemi dhe pastaj të përpiqesh sërish. Duke e bërë këtë vazhdimisht, ne vijmë edhe më pranë Zotit, ne e ndiejmë Shpirtin e Tij përherë e më shumë4 dhe marrim më shumë nga hiri ose ndihma e Tij.5
Ndonjëherë, mendoj se ne nuk e kuptojmë se sa shumë Zoti do që të na ndihmojë. I pëlqej pa masë fjalët e Plakut Dejvid A. Bednar, i cili tha:
“Shumë prej nesh e kuptojnë qartësisht se Shlyerja është për mëkatarët. Megjithatë, nuk jam aq i sigurt se ne e dimë dhe kuptojmë se Shlyerja është edhe për shenjtorët. …
… Shlyerja na ofron ndihmë për t’i mposhtur dhe shmangur gjërat e këqija dhe për të bërë mirë e për t’u bërë të mirë. …
‘… Është me anë të hirit të Zotit që individët … marrin forcë dhe ndihmë për të bërë vepra të mira që përndryshe nuk do ishin në gjendje t’i [bënin]. … Ky hir është një fuqi ndihmuese …’ [Bible Dictionary, “Grace”; theksimi i shtuar] … ose mbështetja qiellore që i duhet dëshpërimisht secilit prej nesh për t’u kualifikuar për mbretërinë çelestiale.”6
Gjithçka që duhet të bëjmë për ta marrë këtë ndihmë qiellore, është ta kërkojmë atë dhe më pas të veprojmë sipas nxitjeve të drejta që marrim.
Lajmi i mirë është që, nëse jemi penduar me sinqeritet, mëkatet tona të mëparshme nuk do të na pengojnë nga të qenit i ekzaltuar. Moroni na tregon për shkelësit në kohën e tij: “Por, kurdoherë që pendoheshin dhe kërkonin ndjesë me dëshirë të sinqertë, ata faleshin”7.
Dhe Vetë Zoti tha për mëkatarin:
“Në qoftë se i rrëfen mëkatet e tij para teje dhe meje dhe pendohet me çiltërsinë e zemrës së tij, atë do ta falësh; dhe unë do ta fal atë gjithashtu.
Po, dhe kurdo që njerëzit e mi pendohen, unë do t’ua fal shkeljet që kanë bërë kundër meje.”8
Nëse do të pendohemi me sinqeritet, Perëndia njëmend do të na falë edhe kur kemi kryer të njëjtin mëkat vazhdimisht. Ashtu siç tha Plaku Xhefri R. Holland: “Pavarësisht shumë shanseve që mendoni se keni humbur, pavarësisht gabimeve të shumta që ndieni se keni bërë … , ju dëshmoj se nuk keni shkuar përtej shtrirjes së dashurisë hyjnore. Nuk është e mundur që ju të zhyteni më poshtë se drita e pafundme e Shlyerjes së Krishtit që shkëlqen.”9
Kjo nuk do të thotë në asnjë mënyrë se mëkati është i pranueshëm. Mëkati gjithmonë ka pasoja. Mëkati gjithmonë dëmton dhe lëndon si mëkatarin edhe ata që preken prej mëkateve të tij apo të saj. Dhe pendimi i vërtetë nuk është asnjëherë i lehtë.10 Për më tepër, ju lutem kuptojeni se, ndonëse Perëndia e largon fajin dhe njollën e mëkateve tona kur pendohemi me sinqeritet, Ai mund të mos i largojë menjëherë të gjitha pasojat e mëkateve tona. Ndonjëherë ato qëndrojnë me ne për gjithë jetën tonë. Dhe lloji më i keq i mëkatit është mëkati i paramenduar, kur një person thotë: “Unë mund të mëkatoj tani dhe të pendohem më vonë”. Unë besoj se kjo është një tallje e rëndë me sakrificën dhe vuajtjet e Jezu Krishtit.
Vetë Zoti shpalli: “Sepse unë, Zoti, nuk mund ta shoh mëkatin as me shkallën më të vogël të lejimit”11.
Dhe Alma deklaroi: “Vër re, unë të them se ligësia kurrë nuk ka qenë lumturi”12.
Një nga arsyet pse deklarata e Almës është veçanërisht e vërtetë është se, kur mëkati përsëritet, ne e largojmë veten nga Shpirti, shkurajohemi dhe pastaj reshtim së penduari. Por unë e përsërit, për shkak të Shlyerjes së Shpëtimtarit, ne mund të pendohemi dhe të falemi plotësisht, për sa kohë që pendimi ynë është i sinqertë.
Ajo që nuk mund të bëjmë, është të përligjemi në vend që të pendohemi. Shfajësimi i vetes për mëkatet tona nuk do të funksionojë kur themi: “Perëndia e di që thjesht është shumë e vështirë për mua, ndaj Ai më pranon siç jam”. “Të përpiqesh me të vërtetë” nënkupton që ne vazhdojmë të përpiqemi ndërsa e arrijmë plotësisht standardin e Zotit, i cili përcaktohet qartësisht te pyetjet që na bëhen me qëllim që të marrim një rekomandim tempulli.
Gjëja tjetër që me siguri do të na mbajë larg qiellit dhe do të na veçojë nga ndihma që na duhet tani, është ngritja krye. Nga libri i Moisiut, ne mësojmë se Satani u dëbua nga qielli ngaqë ngriti krye.13 Ne ngremë krye sa herë që themi brenda vetes: “Nuk kam nevojë për Perëndinë dhe nuk kam pse të pendohem”.
Si një pediatër reanimator unë e di se, nëse një njeri e refuzon në mënyrë të papërshtatshme trajtimin për të shpëtuar jetën, kjo mund të çojë në mënyrë të panevojshme drejt vdekjes fizike. Në mënyrë të ngjashme, kur ne ngremë krye kundër Perëndisë, ne refuzojmë ndihmën dhe shpresën tonë të vetme, i cili është Jezu Krishti, gjë që çon drejt vdekjes shpirtërore. Asnjëri nga ne nuk mund ta bëjë këtë me fuqinë vetjake. Asnjëri nga ne nuk do të jetë ndonjëherë “mjaftueshëm i mirë” veçse nëpërmjet meritave dhe mëshirës së Jezu Krishtit14, por, për shkak se Perëndia e respekton lirinë tonë të zgjedhjes, ne gjithashtu nuk mund të shpëtohemi pa u përpjekur vetë. Kjo është mënyra se si funksionon drejtpeshimi midis hirit dhe veprave. Ne mund të kemi shpresë te Krishti sepse Ai dëshiron të na ndihmojë dhe të na ndryshojë. Në fakt, Ai tashmë po ju ndihmon. Thjesht ndaloni e reflektoni dhe dallojeni ndihmën e Tij në jetën tuaj.
Unë ju dëshmoj se, nëse me të vërtetë do të përpiqeni dhe nuk do të përligjeni ose ngrini krye – duke u penduar shpesh dhe duke u lutur për hirin ose ndihmën e Krishtit – ju me siguri do të jeni “mjaftueshëm [të] mirë”, që do të thotë, pranoheni përpara Zotit; ju do t’ia dilni për në mbretërinë çelestiale, duke qenë të përsosur në Krisht; dhe ju do të merrni bekimet, lavdinë dhe gëzimin që Perëndia dëshiron për secilin nga fëmijët e Tij të çmuar – përfshirë në veçanti ju dhe mua. Unë dëshmoj se Perëndia jeton dhe dëshiron që ne të kthehemi në shtëpi. Unë dëshmoj se Jezusi jeton. Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.