Plani i Madh i Shëlbimit
Unë e di se, kur ne pendohemi me sinqeritet për mëkatet tona, ato me të vërtetë zhduken – pa lënë asnjë gjurmë!
Pak muaj përpara se Presidenti Bojd K. Paker të ndërronte jetë, udhëheqësit e përgjithshëm të priftërisë dhe të organizatave ndihmëse patën mundësinë e çmuar që ta ftonin atë për të na folur neve. Nuk kam mundur të resht së menduari për atë që ai tha. Ai tregoi se kishte rrëmuar në të kaluarën gjatë gjithë jetës së tij, duke kërkuar prova të mëkateve që kishte kryer e për të cilat ishte penduar, dhe nuk mundi të gjente asnjë gjurmë të tyre. Për shkak të flijimit shlyes të Shpëtimtarit tonë të dashur, Jezu Krishtit, dhe nëpërmjet pendimit të sinqertë, mëkatet e tij ishin zhdukur plotësisht, sikur të mos kishin ndodhur kurrë. Më pas Presidenti Paker na porositi atë ditë ne si udhëheqës, që të dëshmonim se kjo është e vërtetë për secilin prej nesh që pendohet me sinqeritet.
Jam në dijeni të një burri që ishte i përfshirë në shkelje morale disa vite më parë. Për njëfarë kohe, ky burrë ndihej shumë i turpëruar dhe shumë i shqetësuar që të fliste me bashkëshorten e tij dhe udhëheqësit e priftërisë. Ai donte të pendohej plotësisht, por faktikisht shprehu se ishte i gatshëm të hiqte dorë nga shpëtimi i tij i përjetshëm në vend që t’i shkaktonte bashkëshortes dhe fëmijëve të tij pikëllim, turpërim apo pasoja të tjera që mund të vinin prej rrëfimit të tij.
Kur ne kemi mëkatuar, Satani shpesh përpiqet të na bindë se gjëja vetëmohuese që duhet bërë, është që t’i mbrojmë të tjerët nga rrënimi prej njohurisë së mëkateve tona, që përfshin rrëfimin te peshkopi ynë, i cili mund të na e bekojë jetën nëpërmjet çelësave të tij të priftërisë si një gjykatës i përbashkët në Izrael. Sidoqoftë, e vërteta është se gjëja vetëmohuese dhe si e Krishtit që duhet bërë, është të rrëfehemi dhe të pendohemi. Ky është plani i madh i Atit Qiellor për shëlbimin.
Së fundi, ky burrë i dashur u rrëfye te bashkëshortja e tij besnike dhe udhëheqësit e tij të Kishës, duke shprehur keqardhje të thellë. Ndonëse ishte gjëja më e vështirë që kishte bërë ndonjëherë, ndjenjat e çlirimit, paqes, mirënjohjes, dashurisë për Shpëtimtarin tonë dhe një njohuri se Zoti po e ngrinte barrën e tij të rëndë dhe po e mbartte atë, shkaktoi gëzim sa nuk thuhet, pavarësisht pasojës dhe të ardhmes së tij.
Ai qe i sigurt se bashkëshortja dhe fëmijët e tij do të shkatërroheshin – dhe ashtu ndodhi; e se do të kishte një veprim disiplinor dhe lirim nga thirrja e tij – dhe ndodhi që pati. Ai qe i sigurt se bashkëshortes së tij do t’i thyhej zemra, do të lëndohej dhe zemërohej – dhe ashtu ndodhi. Dhe ai qe i bindur se ajo do të largohej, duke i marrë fëmijët me vete – por ajo nuk e bëri.
Nganjëherë shkeljet e rënda shpien në divorc dhe, në varësi të rrethanave, ai mund të jetë i nevojshëm. Por, për habinë e këtij burri, bashkëshortja e tij e përqafoi atë dhe ia kushtoi tërësisht veten atij duke e ndihmuar atë në çfarëdo mënyre që ajo mundej. Me kalimin e kohës, ajo qe në gjendje ta falte atë plotësisht. Ajo kishte ndier fuqinë shëruese të Shlyerjes së Shpëtimtarit ndaj saj. Vite më vonë, ky çift dhe tre fëmijët e tyre janë të fortë dhe besnikë. Bashkëshorti dhe bashkëshortja shërbejnë në tempull dhe kanë një martesë të mrekullueshme dhe me dashuri. Thellësia e dëshmisë së këtij burri dhe dashuria e mirënjohja e tij për Shpëtimtarin janë kaq të dukshme në jetën e tij.
Amuleku dëshmoi: “Unë do të doja që ju të vini dhe të mos ngurtësoni më zemrat tuaja; … në qoftë se ju do të pendoheni … , plani i madh i shëlbimit do të realizohet menjëherë për ju”1.
Kur shërbeva me bashkëshortin tim ndërkohë që ai kryesonte në një mision, ne shkuam në aeroport një mëngjes për të marrë një grup të madh misionarësh. Një djalë i ri në veçanti na tërhoqi vëmendjen. Ai dukej i trishtuar, i rënë moralisht, pothuajse i trallisur. Ne e vëzhguam atë me vëmendje atë pasdite. Në mbrëmje, ky i ri bëri një rrëfim të vonuar dhe udhëheqësit e tij vendosën se ai duhej të kthehej në shtëpi. Ndonëse ishim shumë të trishtuar që ai nuk kishte qenë i ndershëm dhe nuk ishte penduar përpara se të vinte në mision, gjatë rrugës për në aeroport ne e përgëzuam atë me sinqeritet dhe dashuri ngaqë pati kurajën ta pranonte gabimin, dhe i premtuam se do të qëndronim në komunikim të ngushtë me të.
Ky i ri i mrekullueshëm ishte i bekuar që kishte prindër të jashtëzakonshëm, udhëheqës të mrekullueshëm priftërie dhe një lagje përkrahëse dhe të dashur. Pas një viti pune të madhe për t’u penduar plotësisht dhe për të marrë nga Shlyerja e Shpëtimtarit, ai qe në gjendje të rikthehej në misionin tonë. Është e vështirë për mua t’i përshkruaj ndjenjat e gëzimit që patëm kur e morëm këtë të ri në aeroport. Ai ishte i mbushur plot me Shpirt, i gëzuar, me vetëbesim përpara Zotit dhe plot dëshirë për të përmbushur një mision besnik. Ai u bë një misionar i jashtëzakonshëm dhe më vonë unë dhe bashkëshorti im patëm privilegjin të merrnim pjesë në vulosjen e tij në tempull.
Ndryshe nga më lart, unë jam në dijeni për një tjetër misionare, e cila e dinte që mëkati i saj i parrëfyer përpara misionit të vet padyshim do të bënte që ajo të largohej më herët nga misioni, [dhe] bëri planin e saj që të punonte shumë më fort gjatë misionit të saj dhe të rrëfehej te presidenti i misionit pak ditë përpara se të përfundonte misionin. Asaj i mungonte trishtimi sipas Perëndisë dhe u përpoq t’i shmangej planit që Shpëtimtari ynë i dashur i ka ofruar secilit prej nesh.
Gjatë misionit tonë, një herë e shoqërova bashkëshortin tim kur ai shkoi për të intervistuar një burrë për t’u pagëzuar. Ndërkohë që bashkëshorti im drejtonte intervistën, unë prita jashtë me motrat misionare që e kishin mësuar këtë burrë. Kur intervista përfundoi, bashkëshorti im i njoftoi misionaret se burri do të ishte në gjendje të pagëzohej. Ky burrë i dashur qau pa pushim teksa shpjegoi që kishte qenë i sigurt se mëkatet e rënda që kishte kryer në jetën e tij, do ta pengonin atë nga mundësia për t’u pagëzuar. Unë rrallë herë e kam dëshmuar gëzimin dhe lumturinë e dikujt që del nga errësira në dritë, në të njëjtën mënyrë me çfarë dëshmova atë ditë.
Plaku D. Tod Kristoferson dëshmoi:
“Me besim te Shëlbuesi [ynë] i mëshirshëm dhe fuqia e Tij, dëshpërimi i mundshëm kthehet në shpresë. Ndryshojnë pikërisht zemra dhe dëshirat e dikujt dhe, mëkati dikur tërheqës, bëhet gjithnjë e më i neveritshëm. …
… Cilido qoftë çmimi i pendimit, ai përpihet në gëzimin e faljes.”2
Këto përvoja më kujtojnë Enosin në Librin e Mormonit, i cili “iu përgjër[ua] [Zotit] në lutje të fuqishme”, dhe më pas dëgjoi një zë të thoshte: “Enos, mëkatet e tua të janë falur. …
Dhe unë, Enosi, e dija se Perëndia nuk mund të gënjente, prandaj fajësia ime u fshi.
Dhe unë thashë: Zot, si u bë ajo?
Dhe ai më tha: Për shkak të besimit tënd në Krishtin. … Shko, besimi yt të ka bërë ty të shëruar.”3
Gjatë përgatitjes së kësaj bisede, doja të kisha një ide se si e kuptojnë pendimin nipërit dhe mbesat tona dhe se si ndihen ata për Shpëtimtarin tonë, kështu që u kërkova fëmijëve tanë t’u bënin atyre pyetjet vijuese. U mallëngjeva nga përgjigjet e nipërve dhe mbesave të mia.
Çfarë është pendimi? “Kur e godet dikë, mund të thuash ‘më fal’ dhe e ndihmon atë të ngrihet.”
Si ndihesh kur pendohesh? “Mund ta ndjesh Atë; mund ta ndjesh ngrohtësinë e Tij dhe ndjenja e keqe largohet.”
Si ndihesh për Jezusin dhe Atin Qiellor kur pendohesh? “Unë mendoj se Jezusi ndien se ia vlente që ta bënte Shlyerjen dhe Ai është i gëzuar që ne mund të jetojmë përsëri me Të.”
Përse Jezusi dhe Ati Qiellor do që unë të pendohem? Me fjalët e nipit tim adoleshent: “Sepse Ata më duan! Me qëllim që të përparoj dhe të bëhem si Ata, unë duhet të pendohem. Unë dua edhe që Shpirti të jetë me mua, ndaj duhet të pendohem çdo ditë për ta pasur shoqërimin e Tij të mrekullueshëm. Unë nuk do të jem kurrë në gjendje t’i falënderoj Ata sa duhet.”
Kur Brinli katër vjeçe i dëgjoi këto pyetje, ajo tha: “S’e di, babi. Ma mëso ti.”
Në një konferencë të përgjithshme të kaluar, Plaku Xhefri R. Holland shpalli: “Sado vonë që të mendoni se jeni, pavarësisht shumë shanseve që mendoni se keni humbur, pavarësisht gabimeve të shumta që ndieni se keni bërë … , ose distancës nga shtëpia dhe familja, dhe Perëndia që mendoni se jeni larguar, ju dëshmoj se nuk keni shkuar përtej shtrirjes së dashurisë hyjnore. Nuk është e mundur që ju të zhyteni më poshtë se drita e pafundme e Shlyerjes së Krishtit që shkëlqen.”4
O, sa shumë dua që secili nga fëmijët, nipërit dhe mbesat e mia dhe secili nga ju, vëllezërit dhe motrat e mia, të ndiejë gëzimin dhe afërsinë me Atin Qiellor dhe Shpëtimtarin tonë teksa pendohemi përditë për mëkatet dhe dobësitë tona. Çdo fëmije të përgjegjshëm të Atit Qiellor i duhet pendimi. Merrni parasysh se për cilat mëkate duhet të pendohemi. Çfarë po na pengon? Në çfarë mënyrash duhet të përmirësohemi?
Unë e di, sikurse Presidenti Paker përjetoi dhe dëshmoi, se, kur ne pendohemi me sinqeritet për mëkatet tona, ato me të vërtetë zhduken – pa lënë asnjë gjurmë! Unë personalisht e kam ndier dashurinë, gëzimin, çlirimin dhe vetëbesimin përpara Zotit kur jam penduar me sinqeritet.
Për mua, mrekullitë më të mëdha në jetë nuk janë hapja e Detit të Kuq, lëvizja e maleve apo madje shërimi i trupit. Mrekullia më e madhe ndodh kur ne i afrohemi me përulësi Atit tonë në Qiell me lutje, i përgjërohemi me zjarr që të falemi dhe më pas të pastrohemi nga ato mëkate nëpërmjet flijimit shlyes të Shpëtimtarit tonë. Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.