Shihni te Libri, Shihni te Zoti
A mund ta shihni Librin e Mormonit si gurthemelin tuaj, qendrën tuaj shpirtërore të forcës?
Meri Elizabet Rollins
Në mendjen time, ju përfytyroj ju të brezit që rritet, duke parë apo dëgjuar këtë sesion të konferencës diku në botë. Do të më pëlqente t’ju tregoja një histori të vërtetë, një histori që mund të jetë edhe shembull edhe mësim. Ajo mund t’ju tregojë se si të afroheni më pranë Zotit dhe të keni qasje te një fuqi më e madhe për t’i rezistuar tundimit.
Kjo është historia e një vajze të re, me banim në Nju-Jork, e cila pa u bërë tri vjeçe humbi babanë e vet kur barka e tij u fundos në një liqen të madh. Ajo, nëna e saj, vëllai më i madh dhe motra më e vogël u shpërngulën në një qytet të ri në një shtet tjetër për të jetuar te tezja dhe i shoqi i saj. Pak pasi familja arriti, misionarë dhe anëtarë të një feje të organizuar rishtas erdhën në qytetin e tyre me lajme të lavdishme për Rivendosjen e ungjillit. Ata treguan një ngjarje të shënuar për një engjëll që i dha një anal të lashtë një të riu që quhej Jozef Smith, një anal që ai e pati përkthyer me anë të fuqisë së Perëndisë. Dy prej vizitorëve, Oliver Kaudëri dhe Xhon Uitmeri, në të vërtetë i patën parë me sytë e tyre fletët metalike të skalitura të analit të lashtë dhe Uitmeri dëshmoi se i pati mbajtur në duart e veta fletët prej ari. Ky anal ishte botuar së fundi dhe Vëllai Uitmer e solli librin me vete. Emri i librit, sigurisht, ishte Libri i Mormonit.
Kur Meri 12-vjeçare i dëgjoi misionarët të flisnin rreth librit, ajo pati një ndjesi të veçantë në zemër. Edhe pse Libri i Mormonit ishte i trashë me shumë faqe, Meri ishte e etur për ta lexuar. Kur u largua, Vëllai Uitmer i dha një kopje të çmuar të librit Vëllait Ajzëk Morli, që ishte mik i bashkëshortit të tezes së Merit dhe udhëheqës vendor në kishën e re.
Meri më vonë shënoi: “Unë shkova te shtëpia [e Vëllait Morli] … dhe kërkova ta shihja Librin; [ai] ma vuri në dorë [dhe], ndërsa po e vështroja, ndjeva aq dëshirë që ta lexoja, saqë nuk u përmbajta t’i kërkoja që të ma linte ta merrja në shtëpi dhe ta lexoja. … Ai tha … se vetë nuk kish arritur të gjente kohë për të lexuar as edhe një kapitull të librit, vetëm disa nga vëllezërit madje e patën parë, por unë iu luta me aq sinqeritet, saqë më në fund ai tha: ‘vajzë, po ta sjellësh në shtëpi këtë libër nesër përpara vaktit të mëngjesit, mund ta marrësh’.”
Meri vrapoi për në shtëpi dhe ishte aq e mbërthyer nga libri saqë qëndroi thuajse gjithë natën duke e lexuar. Mëngjesin tjetër, kur ia ktheu librin, Vëllai Morli tha: “Ma merr mendja se nuk lexove shumë” dhe “nuk besoj se mund të më thuash ndonjë fjalë për të”. Meri u ngrit në këmbë dhe përsëriti përmendsh vargun e parë të Librit të Mormonit. Ajo i tregoi pastaj historinë e profetit Nefi. Më vonë Meri shkroi: “Ai më vështroi i befasuar dhe tha: ‘Vajzë, merre librin në shtëpi dhe mbaroje, unë mund të pres’”.
Pas një kohe të shkurtër, Meri e mbaroi së lexuari librin dhe ishte personi i parë në qytetin e saj që e lexoi të gjithë librin. Ajo e dinte se ai ishte i vërtetë dhe se ai erdhi nga Ati Qiellor. Ndërsa shihte te libri, ajo shihte te Zoti.
Një muaj më vonë, një vizitor i veçantë erdhi në shtëpinë e saj. Ja çfarë shkroi Meri rreth atij takimi të paharrueshëm atë ditë: “Kur [Jozef Smithi] më pa, ai më vështroi me aq sinqeritet. Pas nja dy çastesh ai … më dha një bekim të madh … dhe më bëri dhuratë librin dhe tha se do t’i jepte Vëllait Morli një tjetër [kopje]. … Ne të gjithë e ndjemë se ai ishte një njeri i Perëndisë, sepse ai foli me fuqi dhe si dikush që ka autoritet.”
Kjo vajzë e re, Meri Elizabet Rollins, pa shumë mrekulli të tjera në jetën e saj dhe gjithmonë e ruajti dëshminë për Librin e Mormonit.1 Kjo histori ka një kuptim të veçantë për mua pasi ajo është motër e katragjyshit tim. Nëpërmjet shembullit të Merit, bashkë me përvoja të tjera në jetën time, unë kam mësuar se askush nuk është kurrë tepër i ri për të kërkuar dhe marrë një dëshmi vetjake për Librin e Mormonit.
Gurthemeli i Dëshmisë Suaj
Ka një mësim vetjak për ju te historia e Merit. Secili prej jush të rinj, të reja dhe fëmijë mund të keni të njëjtat ndjesi që pati ajo. Kur lexoni Librin e Mormonit dhe luteni me dëshirë për të ditur që është i vërtetë, edhe ju mund të merrni të njëjtën përshtypje në zemrën tuaj si ajo që mori Meri. Ju mund të gjeni gjithashtu se, ndërsa ngriheni dhe jepni dëshmi për Librin e Mormonit, ju do të ndieni po atë shpirt konfirmimi. Fryma e Shenjtë do t’i flasë zemrës suaj. Ju gjithashtu mund ta ndieni po këtë shpirt konfirmimi kur dëgjoni të tjerë të tregojnë dëshmitë e tyre për Librin e Mormonit. Secila nga këto dëshmi shpirtërore mund të jetë një shtysë që Libri i Mormonit të bëhet gurthemeli i dëshmisë suaj.
Më lejoni të shpjegoj. Profeti Jozef Smith që e përktheu Librin e Mormonit nëpërmjet “dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë”, e përshkroi Librin e Mormonit si “më i sakti nga ndonjë libër mbi tokë, dhe gurthemeli i besimit tonë”2.
Qysh prej botimit të parë të Librit të Mormonit në vitin 1830, janë botuar më shumë se 174 milionë kopje në 110 gjuhë të ndryshme, duke treguar se Libri i Mormonit është ende gurthemeli i besimit tonë. Por ç’do të thotë kjo për secilin prej jush?
Në terma të arkitekturës, një gur[kyç] është element kryesor në një portë me hark. Ai është guri në formë pyke mu në qendër dhe në pikën më të lartë të harkut. Ai është guri më i rëndësishëm sepse mban anët e harkut në vend, duke penguar shembjen. Dhe ai është elementi strukturor i cili siguron që porta, apo hapja poshtë, të jetë e kalueshme.
Në termat e ungjillit ai është dhuratë dhe bekim nga Zoti që gurthemeli i besimit tonë është diçka aq e prekshme dhe e kuptueshme si Libri i Mormonit dhe që ju mund ta mbani dhe ta lexoni. A mund ta shihni Librin e Mormonit si gurthemelin tuaj, qendrën tuaj shpirtërore të forcës?
Presidenti Ezra Taft Benson e zgjeroi një nga ato mësime të Jozef Smithit. Ai tha: “Ka tri mënyra në të cilat Libri i Mormonit është gurthemeli i fesë sonë. Ai është gurthemeli i dëshmimit tonë për Krishtin. Ai është gurthemeli i doktrinës sonë. Ai është gurthemeli i dëshmisë.”
Presidenti Benson më tej dha mësim: “Libri i Mormonit na mëson të vërtetën [dhe] jep dëshmi për Krishtin. … Por ka diçka më tepër. Ekziston një fuqi brenda librit që do të fillojë të rrjedhë në jetën tuaj që në çastin kur filloni një studim serioz të librit. Ju do të gjeni fuqi më të madhe për t’i bërë ballë tundimit. … Do të gjeni fuqinë që të qëndroni në shtegun e ngushtë e të ngushtuar.3”
Dëshmia Ime Vetjake
Në rastin tim Libri i Mormonit u bë gurthemeli i dëshmisë sime pas një periudhe që zgjati me vite dhe përgjatë një numri përvojash. Një përvojë e fuqishme që e formoi dëshminë time, ndodhi kur isha misionar i ri duke shërbyer në zonën time të parë: Kumamoto, Japoni. Shoku im dhe unë po predikonim shtëpi më shtëpi. Unë takova një gjyshe që na ftoi me mirësi te hyrja e shtëpisë së saj, që në japonisht quhet genkan. Ajo na ofroi pije të freskët në një ditë të nxehtë. Unë nuk kisha shumë kohë në Japoni dhe së fundi pata përfunduar leximin e Librit të Mormonit dhe isha lutur të dija me siguri që ai ishte i vërtetë.
Për shkak se isha rishtas në Japoni, nuk e flisja shumë mirë japonishten. Në fakt, nuk mendoj se kjo grua kuptonte shumë nga ato që po i thosha. Unë fillova t’i mësoja mbi Librin e Mormonit, duke i përshkruar se si Jozef Smithi mori nga një engjëll një anal të lashtë skalitur në fletë dhe se si ai i përktheu me fuqinë e Perëndisë.
Ndërsa i dhashë dëshminë time se Libri i Mormonit është fjala e Perëndisë dhe një dëshmi tjetër për Jezu Krishtin, unë mora përshtypjen më të fortë, shoqëruar nga një ndjesi e ngrohtë qetësie dhe qartësie në gjoksin tim, që shkrimet e shenjta e përshkruajnë si “kraharori … [që] digjet përbrenda”4. Kjo ndjesi më vërtetoi përsëri në mënyrë të fuqishme se Libri i Mormonit është vërtet fjala e Perëndisë. Në atë kohë, ndjenjat e mia ishin aq të fuqishme saqë më dolën lot në sy duke i folur kësaj gjysheje japoneze. Nuk e kam harruar kurrë ndjesinë e veçantë të asaj dite.
Dëshmia Juaj Vetjake
Secili prej jush mund të marrë gjithashtu një dëshmi vetjake për këtë libër! A e kuptoni se Libri i Mormonit u shkrua për ju – dhe për kohën tuaj? Ky libër është një nga bekimet e të jetuarit në atë që ne e quajmë periudha ungjillore e plotësisë së kohëve. Edhe pse Libri i Mormonit u shkrua nga autorë të frymëzuar të lashtë – shumë nga të cilët qenë profetë – ata dhe njerëzit e kohës së tyre nuk e kishin përfitimin e pasjes së të gjithë librit. Ju tani e keni lehtësisht të arritshëm analin e shenjtë që profetët, priftërinjtë dhe mbretërit e mbajtën si thesar, e përqafuan dhe e ruajtën! Ju keni përfitimin që ta mbani të plotë në duart tuaja Librin e Mormonit. Është interesante, një nga profetët e Librit të Mormonit, Moroni, e pa kohën tonë – kohën tuaj. Ai madje ju pa ju, në vegim, shumë qindra vite më parë! Moroni shkroi:
“Vini re, Zoti më ka treguar gjëra të mëdha dhe të mrekullueshme në lidhje me … atë ditë kur këto gjëra” që nënkuptojnë Librin e Mormonit, “të dalin në dritë mes jush.
Vini re, unë ju flas sikur të ishit të pranishëm, por megjithatë nuk jeni akoma. Por vini re, Jezu Krishti ju ka paraqitur tek unë dhe unë i di veprimet tuaja.”5
Me qëllim që të ndihmoj që Libri i Mormonit të bëhet gurthemeli i dëshmisë suaj, unë po ju bëj një ftesë. Së fundi mësova se shumë të rinj kalojnë një mesatare prej shtatë orësh në ditë duke parë në ekrane televizori, kompjuteri dhe celularë inteligjentë.6 Duke pasur parasysh këtë, a do të bënit një ndryshim të vogël? A do ta zëvendësoni një pjesë të asaj kohe të përditshme ekrani – veçanërisht kohën kushtuar mediave shoqërore, internetit, lojërave, apo televizionit – me leximin e Librit të Mormonit? Nëse studimet, të cilave iu referova, janë të sakta, ju mund të gjeni lehtësisht kohë për studimin e përditshëm të Librit të Mormonit qoftë edhe për vetëm 10 minuta në ditë. Dhe mund të studioni në një mënyrë që ju lejon ta shijoni dhe ta kuptoni – qoftë në pajisjen tuaj apo në trajtë libri. Presidenti Rasëll M. Nelson kohët e fundit tërhoqi vëmendjen: “Ne nuk duhet kurrë ta bëjmë leximin e Librit të Mormonit të duket si detyrë e vështirë, si marrja e një ilaçi të pakëndshëm që duhet gëlltitur shpejt dhe më pas të shënohet si i përfunduar”7.
Për disa nga ju fëmijë më të vegjël, ju mund ta lexoni me një prind, gjysh/gjyshe ose një njeri të dashur. Nëse një kapitull, varg, apo pjesë bëhet aq i vështirë sa t’jua shkurajojë leximin, kaloni tek tjetri e më pas tek tjetri. Unë ju përfytyroj ju duke ndjekur shembullin e Merit. Unë ju përfytyroj duke gjetur kohë me kënaqësi dhe një vend të qetë për ta lexuar Librin e Mormonit. Unë ju shoh duke zbuluar përgjigje, duke ndier udhëzim dhe duke fituar dëshminë tuaj vetjake për Librin e Mormonit dhe një dëshmi për Jezu Krishtin. Ndërsa shihni te libri, ju shihni te Zoti.
Ju do të thelloheni nëpër pjesët e këtij libri të çmuar dhe do të ballafaqoheni me Shpëtimtarin tuaj të dashur, Zotin Jezu Krisht, thuajse në çdo faqe. Është përllogaritur se ndonjëra nga format e emrit të Tij është përdorur mesatarisht një herë në çdo 1,7 vargje.8 Madje Krishti vetë dëshmoi për vërtetësinë e tij në këto ditë të mëvonshme, duke thënë: “Ashtu si Zoti juaj dhe Perëndia juaj jeton, ky është i vërtetë”9.
Unë jam mirënjohës për ftesën dhe premtimin që Zoti ka ofruar nëpërmjet profetit Moroni për secilin prej jush – dhe për secilin që e lexon Librin e Mormonit. Unë po e mbyll duke lexuar këtë ftesë dhe premtim dhe duke shtuar dëshminë time: “Dhe kur ju t’i merrni këto gjëra [Librin e Mormonit], unë do t’ju këshilloja që të pyesni Perëndinë, Atin e Amshuar, në emrin e [Jezu] Krishtit, në qoftë se këto gjëra nuk janë të vërteta; dhe në qoftë se ju do të kërkoni me një zemër të sinqertë, me qëllim të vërtetë duke pasur besim në Krisht, ai do t’ju tregojë të vërtetën, nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë”10.
Unë jap dëshminë për Rivendosjen e ungjillit në këto ditë të mëvonshme dhe për Librin e Mormonit si një provë e prekshme e asaj Rivendosjeje. Ashtu si fjalët e këtij libri frymëzuan një vajzë 12-vjeçare që të përqafonte Kishën e Jezu Krishtit të rivendosur afro dy shekuj më parë, të vërtetat që do të gjeni atje, do t’ju lartësojnë e frymëzojnë në të njëjtën mënyrë. Ato do të forcojnë besimin tuaj, do të mbushin shpirtin tuaj me dritë dhe do t’ju përgatitin për një të ardhme që zor se keni aftësi për ta kuptuar.
Brenda faqeve të librit, ju do të zbuloni dashurinë e pafund dhe hirin e papërfytyrueshëm të Perëndisë. Ndërsa përpiqeni të ndiqni mësimet që gjeni atje, gëzimi juaj do të shtohet, kuptimi juaj do të rritet dhe përgjigjet që kërkoni për shumë sfida që paraqet vdekshmëria, do t’ju hapen. Ndërsa shihni te libri, ju shihni te Zoti. Libri i Mormonit është fjala e zbuluar e Perëndisë. Për këtë unë dëshmoj, me gjithë zemrën dhe shpirtin tim, në emrin e Jezu Krishtit, amen.