2016
Bekimet e Adhurimit
Nëntor  2016


Bekimet e Adhurimit

Adhurimi është thelbësor dhe qendror për jetën tonë shpirtërore. Është diçka të cilën duhet ta dëshirojmë, ta kërkojmë dhe të përpiqemi ta provojmë.

Vizita e Tij

Një nga përvojat më mbresëlënëse dhe të dashura të shënuara në shkrimin e shenjtë, është rrëfimi i vizitës së Shpëtimtarit te njerëzit në Amerikë, pas vdekjes dhe Ringjalljes së Tij. Njerëzit kishin përjetuar një shkatërrim kaq të madh saqë shkaktoi që “e tërë faqja e dheut [të bëhej e] deformua[r]”1. Anali i atyre ngjarjeve tregon se, pas katastrofës, të gjithë njerëzit qanin vazhdimisht2 dhe në mes të hidhërimit të tyre të thellë, ata patën uri për shërim, paqe dhe çlirim.

Kur Shpëtimtari zbriti nga qielli, njerëzit ranë dy herë në këmbët e Tij. Hera e parë ndodhi pasi Ai shpalli me autoritet hyjnor:

“Vini re, unë jam Jezu Krishti, për të cilin profetët dëshmuan se do të vinte në botë.

Dhe vini re, unë jam drita dhe jeta e botës.”3

Më pas Ai i ftoi ata që ishin të pranishëm: “Ngrihuni dhe ejani tek unë, që të mund të vini duart tuaja në anën time dhe gjithashtu të ndieni gjurmët e gozhdëve në duart e mia dhe në këmbët e mia, që ju të dini se unë jam Perëndia i Izraelit dhe Perëndia i tërë tokës dhe se u vrava për mëkatet e botës. …

Dhe kur të gjithë shkuan përpara dhe dëshmuan nga vetja e tyre, ata thirrën njëzëri, duke thënë:

Hosana! I bekuar qoftë emri i Më të Lartit Perëndi!”4

Dhe më pas, për herë të dytë, “ata ranë në këmbët e Jezusit”. Por këtë herë me një qëllim, pasi ne mësojmë se ata “e adhuruan atë”5.

Koha e Tanishme

Në fillim të këtij viti isha në detyrë duke vizituar një kunj në anën perëndimore të Shteteve të Bashkuara. Ishte një e diel e zakonshme, një mbledhje e zakonshme, me anëtarë të zakonshëm të Kishës. Vështrova njerëzit teksa hynë në ndërtesën kishtare dhe plot nderim u ulën në karriget bosh. Bashkëbisedimet me pëshpëritje të minutës së fundit jehonin në të gjithë sallën. Nënat dhe etërit përpiqeshin – nganjëherë më kot – për t’i qetësuar fëmijët energjikë. Diçka e zakonshme.

Por më pas, përpara se të fillonte mbledhja, fjalë të frymëzuara nga Shpirti më erdhën në mendje.

Këta anëtarë nuk kishin ardhur thjesht që të përmbushnin një detyrë ose të dëgjonin folësit.

Ata kishin ardhur për një arsye më të thellë dhe shumë më domethënëse.

Ata kishin ardhur për të adhuruar.

Teksa mbledhja vijoi, unë vështrova anëtarë të ndryshëm në bashkësi. Ata pothuajse kishin një pamje qiellore, një qëndrim nderues dhe me paqe. Diçka rreth tyre ma ngrohu zemrën. Përvoja që po përjetonin atë të diel, ishte thuajse diçka e jashtëzakonshme.

Ata po adhuronin.

Ata po përjetonin qiellin.

Unë mund ta shihja këtë nga shprehja e fytyrës së tyre.

Dhe unë u gëzova dhe adhurova me ta. Dhe, kur e bëra këtë, Shpirti i foli zemrës sime. Dhe atë ditë, unë mësova diçka rreth vetes sime, rreth Perëndisë dhe rreth rolit të adhurimit të vërtetë në jetën tonë.

Adhurimi në Jetën Tonë të Përditshme

Shenjtorët e ditëve të mëvonshme janë të jashtëzakonshëm kur vjen puna për të shërbyer në thirrjet e Kishës. Por nganjëherë ne mund ta bëjmë punën në mënyrë të zakonshme, sikur të ishim duke kryer thjesht një profesion. Nganjëherë pjesëmarrjes sonë në mbledhje dhe shërbimit tonë në mbretëri mund t’i mungojë elementi i shenjtë i adhurimit. Dhe pa atë element, ne po humbasim një përvojë të pakrahasueshme shpirtërore me pafundësinë – një përvojë që na takon si fëmijë të një Ati të dashur Qiellor.

Adhurimi është larg të qenit një ngjarje e papritur dhe e gëzueshme, ai është thelbësor dhe qendror për jetën tonë shpirtërore. Është diçka të cilën duhet ta dëshirojmë, ta kërkojmë dhe të përpiqemi ta provojmë.

Çfarë Është Adhurimi?

Kur ne e adhurojmë Perëndinë, ne i afrohemi Atij me dashuri, përulësi dhe admirim nderues. Ne e njohim dhe e pranojmë Atë si Mbretin tonë sovran, Krijuesin e universit, Atin tonë të dashur, pafundësisht të përzemërt.

Ne e respektojmë dhe e nderojmë Atë.

Ne i nënshtrohemi Atij.

Ne i lartësojmë zemrat në lutje të fuqishme, e çmojmë fjalën e Tij, gëzohemi në hirin e Tij dhe zotohemi ta ndjekim Atë me besnikëri të përkushtuar.

Adhurimi i Perëndisë është një element kaq thelbësor në jetën e një dishepulli të Jezu Krishtit saqë, nëse dështojmë për ta pranuar Atë në zemrën tonë, ne do ta kërkojmë Atë më kot në këshillat, kishat dhe tempujt tanë.

Dishepujt e vërtetë frymëzohen ta “adhuro[jnë] atë që bëri qiellin dhe tokën, dhe detin, dhe burimet e ujërave – duke thirrur emrin e Zotit ditë e natë”6.

Ne mund të mësojmë shumë rreth adhurimit të vërtetë duke shqyrtuar mënyrën se si të tjerët – njerëzit që ndoshta nuk ishin aq të ndryshëm nga ne – u takuan, u sollën dhe adhuruan në praninë e hyjnisë.

Mrekullia, Mirënjohja dhe Shpresa

Në pjesën e parë të shekullit të 19-të, bota e krishterë e kishte braktisur pothuajse plotësisht idenë se Perëndia i fliste ende njeriut. Por në pranverën e vitit 1820, kjo gjë ndryshoi përgjithnjë kur një djalosh i përulur fermer hyri në një korie pemësh dhe u gjunjëzua për t’u lutur. Që nga ajo ditë, një seri vegimesh mbresëlënëse, zbulesa dhe shfaqje qiellore e kanë mbuluar tokën, duke u dhuruar banorëve të saj njohuri të çmueshme lidhur me natyrën dhe qëllimin e Perëndisë dhe marrëdhënien e Tij me njeriun.

Oliver Kaudëri i përshkroi ato ditë si “për të mos u harruar kurrë. … Çfarë gëzimi! Çfarë mrekullie! Çfarë mahnitjeje!”7

Fjalët e Oliverit përcjellin elementet e para që shoqërojnë adhurimin e vërtetë të hyjnisë – një ndjenjë e madhe respekti dhe mirënjohjeje të thellë.

Çdo ditë, por veçanërisht në ditën e Shabatit, ne kemi mundësinë e jashtëzakonshme të përjetojmë mrekullinë dhe çudinë e qiellit dhe t’i ofrojmë lavdet tona Perëndisë për mirësinë e bekuar dhe mëshirën e Tij të jashtëzakonshme.

Kjo do të na prijë drejt shpresës. Këto janë elementet e para të adhurimit.

Drita, Njohuria, dhe Besimi

Në ditën e bekuar të Rrëshajave, Shpirti i Shenjtë hyri në zemrën dhe mendjen e dishepujve të Krishtit, duke i mbushur ata me dritë e njohuri.

Para asaj dite kishte raste kur ata ishin të pasigurt për atë që duhet të bënin. Jerusalemi ishte bërë një vend i rrezikshëm për një ndjekës të Shpëtimtarit dhe ata duhet ta kenë vrarë mendjen se ç’do të bëhej me ta.

Por, kur Shpirti i Shenjtë e mbushi zemrën e tyre, dyshimi dhe ngurrimi u shuan. Nëpërmjet përvojës së pashoqe të adhurimit të vërtetë, shenjtorët e Perëndisë morën dritë qiellore, njohuri dhe një dëshmi të përforcuar. Dhe kjo çoi në besim.

Që nga ai çast, Apostujt dhe shenjtorët vepruan me vendosmëri për t’i arritur qëllimet e tyre. Ata i predikuan me guxim gjithë botës për Krishtin Jezus.

Kur ne adhurojmë në shpirt, ne i ftojmë dritën dhe të vërtetën në shpirtin tonë, të cilat e forcojnë besimin tonë. Këto të dyja janë elemente të nevojshme për adhurimin e vërtetë.

Dishepullimi dhe Dashuria Hyjnore

Në Librin e Mormonit ne mësojmë se që nga çasti kur Alma i Riu u çlirua nga vuajtja e pasojave të vetë rebelimit të tij, ai nuk qe më kurrë i njëjti. Ai me guxim “udhët[oi] nëpër të gjithë vendin … dhe mes gjithë njerëzve … , duke u përpjekur me gjithë zell të ndreq[te] të gjitha dëmtimet që [ai] i kish[te] bërë kishës”8.

Adhurimi i tij i vazhdueshëm ndaj Perëndisë së Plotfuqishëm mori formën e dishepullimit energjik.

Adhurimi i vërtetë na shndërron në dishepuj të sinqertë dhe të zellshëm të Mësuesit dhe Shpëtimtarit tonë të dashur, Jezu Krishtit. Ne ndryshojmë dhe bëhemi më shumë si Ai.

Ne bëhemi më të kuptueshëm dhe më përkujdesës. Më falës. Më të dashur.

Ne e kuptojmë se është e pamundur të themi se e duam Perëndinë ndërkohë që në të njëjtën kohë i urrejmë, i largojmë ose i shpërfillim të tjerët përreth nesh.9

Adhurimi i vërtetë çon në një vendosmëri të palëkundur për të ecur në shtegun e dishepullimit. Dhe ky shteg në mënyrë të pashmangshme të çon drejt dashurisë hyjnore. Edhe këto janë elemente të nevojshme të adhurimit.

Hyni në Portat e Tij me Falënderim

Kur e kthej kokën pas në ditën që filloi si një mëngjes i zakonshëm të diele, në atë shtëpi të zakonshme mbledhjeje, në atë kunj të zakonshëm, madje edhe sot mallëngjehem nga ajo përvojë e jashtëzakonshme shpirtërore që do ta bekojë përjetësisht jetën time.

Unë mësova se edhe nëse jemi administrues të jashtëzakonshëm të kohës, thirrjeve dhe detyrave tona – edhe nëse i plotësojmë të gjitha kutizat në listën tonë për individin, familjen ose udhëheqësin e “përsosur” – në rast se nuk arrijmë ta adhurojmë Çliruesin tonë të mëshirshëm, Mbretin qiellor dhe Perëndinë e lavdishëm, ne po humbasim shumë nga gëzimi dhe paqja e ungjillit.

Kur ne e adhurojmë Perëndinë, ne e njohim dhe e pranojmë Atë me të njëjtin nderim si ata njerëz të hershëm në kontinentin amerikan. Ne i afrohemi Atij me ndjenja të pakonceptueshme mrekullie dhe respekti. Ne mrekullohemi në mirënjohje nga mirësia e Perëndisë. Dhe si rrjedhim, ne marrim shpresë.

Ne e përsiatim fjalën e Perëndisë dhe kjo e mbush shpirtin tonë me dritë dhe të vërtetë. Ne i kuptojmë horizontet shpirtërore që mund të shihen vetëm nëpërmjet dritës së Frymës së Shenjtë.10 Dhe si rrjedhojë, ne marrim besim.

Teksa adhurojmë, shpirti ynë pastrohet dhe ne zotohemi të ecim në gjurmët e Shpëtimtarit tonë të dashur, Jezu Krishtit. Dhe nga kjo vendosmëri, ne marrim dashuri hyjnore.

Kur adhurojmë, zemra jonë i thërret në lavde Perëndisë sonë të bekuar, në mëngjes, drekë e darkë.

Ne e përlëvdojmë dhe e nderojmë Atë vazhdimisht – në shtëpitë tona të mbledhjeve, banesat, tempujt dhe në të gjitha punët tona.

Kur adhurojmë, ne ia hapim zemrën tonë fuqisë shëruese të Shlyerjes së Jezu Krishtit.

Jeta jonë bëhet shenja dhe shprehësia e adhurimit tonë.

Vëllezërit dhe motrat e mia, përvojat shpirtërore kanë të bëjnë pak me atë që po ndodh përreth nesh dhe kanë të bëjë me gjithçka që po ndodh brenda zemrës sonë. Është dëshmia ime se adhurimi i vërtetë do t’i shndërrojë mbledhjet e zakonshme të Kishës në gosti të jashtëzakonshme shpirtërore. Ai do ta pasurojë jetën tonë, do ta zgjerojë kuptueshmërinë tonë dhe do t’i forcojë dëshmitë tona. Pasi kur ia derdhim zemrën tonë Perëndisë, sikurse psalmisti i hershëm ne “hy[jmë] në portat e tij me falenderim dhe në oborret e tij me lavde; [ne jemi] kremt[ues], [dhe e] beko[jmë] emrin e tij.

Sepse Zoti është i mirë; mirësia e tij është e përjetshme dhe besnikëria e tij vlen për të gjitha brezat.”11

Nëpërmjet adhurimit të sinqertë dhe të ndjerë, ne zhvillohemi dhe piqemi në shpresë, besim dhe dashuri hyjnore. Dhe nëpërmjet atij procesi, ne mbledhim dritë qiellore në shpirtin tonë që e mbush jetën tonë me domethënie hyjnore, paqe të qëndrueshme dhe gëzim të përhershëm.

Ky është bekimi i adhurimit në jetën tonë. Për këtë unë dëshmoj me përulësi, në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.