Shërbeni
Çdo anëtar është i nevojshëm dhe çdo anëtar ka nevojë për një mundësi për të shërbyer.
Kur isha djalosh më pëlqente të punoja me xhaxhanë tim Lajmënin dhe teto Dorotin në fermën e tyre. Xhaxha Lajmëni zakonisht drejtonte projektet tona dhe teto Doroti shpesh ndihmonte dhe ngiste kamionçinën e vjetër doxh. Më kujtohet ndjesia e adrenalinës kur ngecnim në baltë ose kur përpiqeshim t’i ngjiteshim një kodre të thepisur: Xhaxha Lajmëni bërtiste: “Fute marshin për malore, Doroti!” Ishte atëherë që unë fillova të lutesha. Në njëfarë mënyre, me ndihmën e Zotit dhe pas kërcitjes së ingranazheve, teto Doroti e fuste marshin për malore. Me të gjitha rrotat aktive dhe në dridhje, kamionçina merrte hov përpara dhe puna jonë vazhdonte.
“Futja e marshit për malore” i referohet kalimit në një marsh të veçantë, në të cilin përfshihen një numër ingranazhesh që veprojnë së bashku për të prodhuar më shumë tërheqje.1 Një marsh për malore, së bashku me një sistem transmisioni për katër rrota aktive, ju lejon që ta ulni marshin, të fuqizoheni dhe të lëvizni.
Më pëlqen të mendoj për secilin prej nesh si pjesë e një marshi për malore ndërsa shërbejmë së bashku në Kishë – në lagje dhe degë, në kuorume dhe organizata ndihmëse. Ashtu siç ndërthuren ingranazhet për të dhënë fuqi më të madhe kur puqen, edhe ne kemi fuqi më të madhe kur bashkohemi së bashku. Kur ne bashkohemi për t’i shërbyer njëri-tjetrit, ne [arrijmë] të përmbushim shumë më tepër së bashku sesa po të ishim vetëm. Është drithëruese të jemi të përfshirë dhe të bashkuar ndërsa shërbejmë dhe ndihmojmë në punën e Zotit.
Shërbimi Është një Bekim
Mundësia për të shërbyer është një prej bekimeve të mëdha të anëtarësisë në Kishë.2 Zoti ka thënë: “Nëse më do, duhet të më shërbesh”3 dhe ne i shërbejmë Atij duke u shërbyer të tjerëve.4
Kur shërbejmë, ne afrohemi më pranë Perëndisë.5 Ne arrijmë ta njohim Atë në mënyra që përndryshe mund të mos e kishim njohur. Besimi ynë në Të rritet. Problemet tona vendosen në perspektivë. Jeta bëhet më e kënaqshme. Dashuria jonë për të tjerët shtohet, si edhe dëshira jonë për të shërbyer. Nëpërmjet këtij procesi të bekuar, ne bëhemi më shumë si Perëndia dhe përgatitemi më mirë për t’u kthyer tek Ai.6
Ashtu siç dha mësim Presidenti Marion G. Romni: “Shërbimi nuk është diçka që ne e durojmë në këtë tokë në mënyrë që të fitojmë të drejtën për të jetuar në mbretërinë çelestiale. Shërbimi është vetë esenca nga e cila përbëhet jeta e ekzaltuar në mbretërinë çelestiale.”7
Shërbimi Mund të Jetë Sfidues
Sidoqoftë, shërbimi në Kishë mund të jetë sfidues nëse na kërkohet të bëjmë diçka që na frikëson, nëse fillojmë të lodhemi nga shërbimi, apo nëse thirremi të bëjmë diçka që fillimisht nuk na duket tërheqëse.
Kohët e fundit mora një detyrë të re. Kisha qenë duke shërbyer në Zonën Juglindore të Afrikës. Ishte drithëruese të shërbeja atje ku Kisha është pak a shumë e re dhe në themelim e sipër, dhe ne i donim shenjtorët. Më pas u thirra që të kthehesha në selinë e Kishës dhe, që të jem i sinqertë, nuk isha aq entuziast. Një ndryshim në detyrë solli disa të panjohura.
Një natë, pasi po përsiatja mbi ndryshimin në vijim, pashë në ëndërr katragjyshin tim, Jozef Skinin. E dija nga ditari i tij që, kur ai dhe gruaja e tij, Maria, u shpërngulën në Navu, ai dëshironte të shërbente, kështu që e kërkoi Profetin Jozef Smith dhe e pyeti se me çfarë mund të ndihmonte. Profeti e dërgoi që të punonte në stepë dhe i tha të bënte më të mirën që mund të bënte, dhe ai e bëri atë. Ai punoi në fermën e familjes Smith.8
Meditova mbi privilegjin që pati Jozef Skini ta merrte detyrën e tij në atë mënyrë. Papritur kuptova se unë kam të njëjtin privilegj, ashtu siç e kemi të gjithë ne. Të gjitha thirrjet në Kishë vijnë nga Perëndia – nëpërmjet shërbëtorëve të Tij të caktuar.9
Ndjeva një miratim të qartë shpirtëror se detyra ime e re ishte e frymëzuar. Është e rëndësishme që ne ta bëjmë atë lidhje – se thirrjet tona vijnë me të vërtetë nga Perëndia nëpërmjet udhëheqësve tanë të priftërisë. Pas kësaj përvoje, qëndrimi im ndryshoi dhe unë u mbusha me një dëshirë të fortë për të shërbyer. Jam mirënjohës për bekimin e pendimit dhe për ndryshimin e zemrës sime. E dua detyrën time të re.
Edhe nëse mendojmë se thirrja jonë në Kishë ishte thjesht ideja e udhëheqësit tonë të priftërisë, ose që na erdhi sepse askush tjetër nuk do ta pranonte atë, ne do të bekohemi teksa shërbejmë. Por, kur e pranojmë dorën e Perëndisë në thirrjen tonë dhe shërbejmë me gjithë zemrën tonë, fuqi e shtuar vjen në shërbimin tonë dhe ne bëhemi shërbëtorë të vërtetë të Jezu Krishtit.
Shërbimi Kërkon Besim
Përmbushja e thirrjeve kërkon besim. Pak pasi Jozefi filloi të punonte në fermë, ai dhe Maria u sëmurën rëndë. Ata nuk kishin para dhe ishin midis të huajsh. Ishte një kohë e vështirë për ta. Në ditarin e tij, Jozefi shkroi: “Ne vazhduam të punonim [dhe] u kapëm fort pas Kishës me atë pak besim që kishim, edhe pse djalli u përpoq të na shkatërronte dhe të na kthente andej nga kishim ardhur”10.
Unë, së bashku me qindra pasardhës të tjerë, do të jemi përjetësisht mirënjohës që Jozefi dhe Maria nuk u kthyen mbrapsht. Bekime vijnë kur ne ngulmojmë në thirrjet dhe përgjegjësitë tona dhe durojmë me gjithë besimin që kemi.
Njoh një mësuese të mrekullueshme të Doktrinës së Ungjillit që i lartëson anëtarët e klasës teksa u jep mësim, por nuk ndodhte gjithnjë kështu. Pasi u bashkua me Kishën, ajo mori një thirrje për të dhënë mësim në Fillore. Ajo mendonte se nuk kishte aftësi në mësimdhënie por, për shkak se e dinte rëndësinë e shërbimit, ajo e pranoi atë. Shpejt atë e zuri frika dhe reshti së ardhuri [në Kishë], në mënyrë që të mos i duhej të jepte mësim. Fatmirësisht, mësuesi i saj i shtëpisë e vuri re mungesën e saj, e vizitoi atë dhe e ftoi që të kthehej. Peshkopi dhe anëtarët e lagjes e ndihmuan atë. Përfundimisht, me besim të shtuar, ajo filloi t’i mësonte fëmijët. Teksa ajo i vuri në zbatim parimet që tani jepen mësim te Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, Zoti i bekoi përpjekjet e saj dhe ajo u bë një mësuese e talentuar.11
Burri ose gruaja natyrore brenda secilit prej nesh ka prirjen për ta shfajësuar veten nga shërbimi për arsye të tilla si: “Nuk jam gati të shërbej; kam shumë për të mësuar”, “Jam i lodhur dhe kam nevojë të çlodhem”, “Jam shumë i vjetër – është radha e dikujt tjetër”, ose “Jam thjesht shumë i zënë”.
Vëllezër e motra, pranimi dhe përmbushja e një thirrjeje është një vepër besimi. Ne mund t’i mirëbesojmë asaj që profeti ynë, Presidenti Tomas S. Monson, e jep mësim vazhdimisht: “Atë që Zoti e thërret, atë Zoti e kualifikon” dhe “Kur ne jemi në punën e Zotit, na jepet e drejta të kemi ndihmën e Zotit”12. Qoftë nëse jemi të mbingarkuar ose të painteresuar, nëse jemi të frikësuar gjer në palcë apo na ka ardhur në majë të hundës, Zoti do prej nesh që ta ulim marshin, të fuqizohemi dhe të shërbejmë.
Nuk shoh shenja se Presidenti Monson dhe kolegët e tij në Presidencën e Parë dhe Kuorumin e Të Dymbëdhjetëve janë tepër të zënë apo tepër të lodhur. Ata mishërojnë në një mënyrë frymëzuese fuqinë që vjen në jetën tonë teksa ushtrojmë besim, i pranojmë detyrat dhe i përmbushim ato me zotim e përkushtim. Ata “shpatullat [e tyre] punës [ia] v[unë]”13 shumë vite më parë dhe vazhdojnë të shtyjnë përpara, drejt dhe lart.
Po, ata shërbejnë në thirrje të rëndësishme, por çdo thirrje ose detyrë është e rëndësishme. Presidenti Gordon B. Hinkli, një profet dhe President i mëparshëm i Kishës, tha: “Ne jemi të gjithë së bashku në këtë përpjekje të madhe. … Detyrimi juaj është po aq serioz në fushën tuaj të përgjegjësisë sa është edhe detyrimi im në fushën time. Asnjë thirrje në këtë kishë nuk ka pasoja të vogla ose të pakta.”14 Çdo thirrje është e rëndësishme.15
Le të Shërbejmë
Le të ngrihemi në besim, “shpatullat [tona] punës [t’ia] vë[më]” dhe le ta shpejtojmë këtë “vepër të denjë”16. Le ta “futim marshin në malore”, së bashku me teto Dorotin besnike. Si vëllezër e motra, le të shërbejmë.
Nëse doni t’ia bëni të paharrueshme ditën peshkopit apo presidentit tuaj të degës, bëjini atij pyetjen: “Si mund të ndihmoj?” “Ku do Zoti që unë të shërbej?” Ndërsa ai lutet dhe merr në shqyrtim përgjegjësitë tuaja vetjake, familjare dhe të punësimit, ai do të frymëzohet që t’ju japë një thirrje të përshtatshme. Teksa veçoheni, ju do të merrni një bekim priftërie që do t’ju ndihmojë t’ia dilni mbanë. Ju do të bekoheni! Çdo anëtar është i nevojshëm dhe çdo anëtar ka nevojë për një mundësi për të shërbyer.17
Jezu Krishti Është Shembulli Ynë
Jezu Krishti, Shembulli ynë i madhërishëm, dha jetën e Vet në punën e Atit të Tij. Në Këshillin e Madh përpara se të organizohej kjo botë, Jezusi, i zgjedhur dhe i vajosur që prej fillimit, doli vullnetar: “Ja ku jam, dërgomë mua”18. Duke e bërë këtë, Ai u bë me të vërtetë shërbëtori i të gjithëve ne. Nëpërmjet Jezu Krishtit dhe fuqisë që marrim nëpërmjet Shlyerjes së Tij, edhe ne mund të shërbejmë. Ai do të na ndihmojë.19
Unë i shpreh dashurinë time të përzemërt atyre prej jush që aktualisht mund të mos jenë në gjendje të shërbejnë në Kishë në mënyrat tradicionale për shkak të rrethanave vetjake, por që e jetoni jetën tuaj me shpirtin e shërbimit. Lutem që ju do të bekoheni në përpjekjet tuaja. Unë shpreh gjithashtu vlerësim për ata që i lartësojnë thirrjet javë pas jave, si edhe për ata që së shpejti do të pranojnë thirrje për të shërbyer. Të gjitha ndihmesat dhe sakrificat vlerësohen, veçanërisht nga Ai të cilit i shërbejmë. Të gjithë ata që shërbejnë, do të marrin hirin e Perëndisë.20
Cilado qoftë mosha ose rrethana jonë, le të jetë shërbimi “motoja”21 jonë. Shërbeni në thirrjen tuaj. Shërbeni në një mision. Shërbejini nënës suaj. Shërbejini një të huaji. Shërbejini fqinjit tuaj. Thjesht shërbeni.
Zoti e bekoftë secilin prej nesh në përpjekjet tona për të shërbyer dhe për t’u bërë pasues të vërtetë të Jezu Krishtit.22 Dëshmoj se Ai jeton dhe e drejton këtë punë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.