2016
Hovni në Forcë, Motra në Sion
Nëntor  2016


Rrituni në Forcë, Motra në Sion

Për të qenë mbajtëse të besëlidhjeve, të kthyera në besim, ne duhet të studiojmë doktrinat thelbësore të ungjillit dhe të kemi një dëshmi të patundur për vërtetësinë e tyre.

Çfarë gëzimi është të mblidhemi në këtë Qendër Konferencash me vajzat, të rejat dhe gratë e Kishës! Ne jemi gjithashtu plotësisht të vetëdijshme se ka mijëra grupe të tjera motrash që janë mbledhur anembanë botës, duke parë këto punime edhe unë jam mirënjohëse për mundësinë dhe mjetet që na lejojnë të bashkohemi së bashku në unitet dhe qëllim këtë mbrëmje.

Në tetor 2006, Presidenti Gordon B. Hinkli dha një bisedë me titull “Burra t’Per’ndis’ Ço’uni!”, të emërtuar sipas një himni të shkruar në vitin 1911.1 Ishte një thirrje për veprim ndaj burrave të Kishës për t’u lartësuar dhe për ta përmirësuar veten. Ajo bisedë jehoi në mendjen time teksa u luta për të ditur se çfarë të ndaja me ju.

Motra ne jetojmë në “kohë të vështira”2. Gjendja në ditët tona nuk duhet të na befasojë. Ato janë profetizuar përpara mijëra viteve si paralajmërime dhe këshilla, në mënyrë që ne të mund të jemi të përgatitur. Kapitulli i 8-të te Mormoni jep një përshkrim tronditës, të saktë të gjendjes në ditët tona. Në këtë kapitull, Moroni thotë se ka parë ditët tona dhe ato përfshijnë luftëra dhe zhurma luftërash, ndotje të madhe, vrasje, grabitje dhe njerëz që na thonë se nuk ka gjëra të drejta ose të gabuara në sytë e Perëndisë. Ai përshkruan njerëz që janë të mbushur me krenari, që i janë dhënë veshjes me rroba të shtrenjta dhe që tallen me fenë. Atij iu treguan njerëz që janë kaq të varur ndaj gjërave të botës, saqë lejojnë që “nevojtari dhe i zhveshuri, dhe i sëmuri, dhe fatkeqi t’[i]u kalojnë pranë”3 pa i vënë re.

Moroni na bën një pyetje që përshkon shpirtin – neve që po jetojmë në këto kohë. Ai thotë: “Përse keni turp të merrni mbi vete emrin e Krishtit?”4 Kjo akuzë e përshkruan saktësisht gjendjen laike në rritje, në botën tonë.

Joseph Smith – Mateu tregon se, në ditët e fundit, madje “edhe të zgjedhurit … sipas besëlidhjes”5 do të mashtrohen. Ata njerëz të besëlidhjes përfshijnë vajzat, të rejat dhe motrat e Kishës që janë pagëzuar dhe kanë bërë besëlidhje me Atin e tyre Qiellor. Madje edhe ne jemi të rrezikuara që të mashtrohemi nga mësimet e rreme.

Motra, unë nuk besoj se gjendja do të përmirësohet teksa vijon më tej. Nëse prirjet e tanishme janë një tregues, ne duhet të jemi të përgatitura për stuhitë që ndodhen përpara. Do të ishte e lehtë t’i jepeshim dëshpërimit por, si njerëz të besëlidhjes, ne nuk duhet të biem kurrë në dëshpërim. Sikurse ka thënë Plaku Geri E. Stivenson: “Shpërblimi zemërgjerë i Atit Qiellor për të jetuarin në kohë të vështira është që ne gjithashtu jetojmë në plotësinë e kohërave”6. E adhuroj ngushëllimin e kësaj thënieje.

Presidenti Rasëll M. Nelson na tha një vit më parë: “Sulmet kundër Kishës, doktrinës së saj dhe mënyrës sonë të jetës do të shtohen. Për shkak të kësaj, na duhen gra të cilat kanë një kuptueshmëri të patundur të doktrinës së Krishtit dhe të cilat do ta përdorin atë kuptueshmëri për të dhënë mësim dhe për të ndihmuar në rritjen e një brezi që i bën ballë mëkatit. Na duhen gra të cilat mund ta dallojnë mashtrimin në të gjitha format e tij. Na duhen gra të cilat e dinë se si ta përdorin fuqinë që Perëndia e vë në dispozicion të mbajtësve të besëlidhjeve dhe të cilat i shprehin bindjet e tyre me vetëbesim dhe dashuri hyjnore. Na duhen gra të cilat kanë guximin dhe largpamësinë e Nënës Evë.”7

Ky mesazh më siguron se, pavarësisht nga gjendja në ditët tona, ne kemi shumë arsye për t’u gëzuar dhe për të qenë optimistë. Unë besoj me gjithë zemrën time se ne motrat e kemi njëmend të lindur forcën dhe besimin që do të na lejojnë t’i përballojmë sfidat e të jetuarit në ditët e fundit. Motra Sheri Dju ka shkruar: “Unë besoj se, në çastin kur ne mësojmë ta çlirojmë ndikimin e plotë të gruas së kthyer në besim që i mban besëlidhjet, mbretëria e Perëndisë do të ndryshojë brenda natës”8.

Do të duhet përpjekje e përbashkët për t’u kthyer në besim dhe për t’i mbajtur besëlidhjet tona. Për ta bërë këtë, ne duhet të jemi vajza dhe gra që i studiojnë doktrinat thelbësore të ungjillit dhe kanë një dëshmi të patundur për vërtetësinë e tyre. Ka tri fusha që unë besoj se janë themelore për t’i forcuar dëshmitë dhe që unë i konsideroj se janë thelbësore për kuptueshmërinë tonë.

Së pari, ne duhet ta pranojmë rolin qendror të Perëndisë, Atit tonë të Amshuar, dhe Birit të Tij, Jezu Krishtit, për besimin dhe shpëtimin tonë. Jezu Krishti është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë. Ne duhet ta studiojmë dhe ta kuptojmë Shlyerjen e Tij dhe mënyrën se si ta vëmë atë në zbatim çdo ditë; pendimi është një nga bekimet më të mëdha që ka secili prej nesh, që të qëndrojë në shteg. Ne duhet ta shohim Jezu Krishtin si modelin tonë parësor dhe si shembullin e asaj që duhet të bëhemi. Ne vazhdimisht duhet t’u mësojmë familjeve dhe klasave tona rreth planit të madh të Atit tonë për shpëtimin, i cili përfshin doktrinën e Krishtit.

Së dyti, ne duhet ta kuptojmë nevojën për rivendosjen e doktrinës, organizimin dhe çelësat e autoritetit në këto ditë të mëvonshme. Ne duhet të kemi një dëshmi se Profeti Jozef Smith ishte i zgjedhur dhe i paracaktuar në mënyrë hyjnore nga Zoti për ta sjellë këtë rivendosje dhe ta dimë se ai i organizoi gratë e Kishës sipas organizimit që ekzistonte në Kishën e Krishtit në lashtësi.9

Dhe së treti, ne duhet t’i studiojmë dhe t’i kuptojmë ordinancat dhe besëlidhjet e tempullit. Tempulli zë një vend pikërisht në qendër të besimeve tona më të shenjta dhe Zoti kërkon që ne të marrim pjesë, të përsiatim, të studiojmë dhe të gjejmë domethënie vetjake dhe zbatueshmëri individuale. Ne do të arrijmë ta kuptojmë se, nëpërmjet ordinancave të tempullit, fuqia e perëndishmërisë manifestohet në jetën tonë10 dhe se, për shkak të ordinancave të tempullit, ne mund të armatosemi me fuqinë e Perëndisë dhe emri i Tij do të jetë mbi ne, lavdia e Tij përreth nesh dhe engjëjt e Tij kanë përgjegjësi për ne.11 Unë pyes veten nëse ne po e përdorim plotësisht fuqinë e atyre premtimeve.

Motra, madje edhe më e reja në këtë auditor mund të rritet në besim dhe të luajë një rol domethënës në ndërtimin e mbretërisë së Perëndisë. Fëmijët fillojnë të fitojnë vetë dëshmitë e tyre duke i lexuar ose duke i dëgjuar shkrimet e shenjta, duke u lutur çdo ditë dhe duke marrë sakramentin në një mënyrë kuptimplote. Të gjithë fëmijët dhe të rejat mund të nxitin mbrëmje familjare dhe të jenë pjesëmarrës të plotë. Ju mund të jeni të parët që uleni në gjunjë kur familja juaj mblidhet për lutje familjare. Madje edhe nëse shtëpitë tuaja nuk janë aq ideale, shembujt tuaj vetjakë të të jetuarit të ungjillit me besnikëri, mund të ndikojnë në jetën e familjes dhe miqve tuaj.

Të rejat e Kishës duhet ta shohin veten si pjesëmarrëse thelbësore në punën e shpëtimit që drejtohet nga priftëria, dhe jo vetëm si shikuese dhe përkrahëse. Ju mbani thirrje dhe jeni veçuar nga ata që mbajnë çelësat e priftërisë, për të vepruar si udhëheqëse me fuqi dhe autoritet në këtë punë. Kur i lartësoni thirrjet tuaja në presidencat e klasave dhe përgatiteni shpirtërisht, këshilloheni bashkë, jepni ndihmesën tuaj për t’u shërbyer pjesëtarëve të klasës suaj dhe ua mësoni njëri-tjetrit ungjillin, ju po zini vendin tuaj në këtë punë dhe si ju edhe bashkëmoshatarët tuaj do të bekoheni.

Të gjitha gratë duhet ta shohin veten si pjesëmarrëse thelbësore në punën e priftërisë. Gratë në këtë Kishë janë presidente, këshilltare, mësuese, anëtare këshillash, motra e nëna dhe mbretëria e Perëndisë nuk mund të funksionojë veçse nëse ne rritemi dhe i përmbushim detyrat tona me besim. Nganjëherë ne thjesht na duhet të kemi një largpamësi më të madhe për atë që është e mundur.

Motra Maldonado me Motrën Oskarson

Kohët e fundit takova një motër në Meksikë, e cila e kupton se ç’do të thotë ta lartësojë thirrjen e saj me besim. Marfisa Maldonado u thirr për t’i dhënë mësim një klase të rinjsh të Shkollës të së Dielës përpara tri vjetësh. Ajo kishte 7 studentë që merrnin pjesë në kohën kur u thirr, por tani ka 20 studentë që marrin pjesë rregullisht. Unë e pyeta atë, me habi, se çfarë kishte bërë që e rriti kaq shumë klasën në numër. Ajo me modesti u përgjigj: “Oh, nuk ia arrita e vetme. Të gjithë pjesëtarët e klasës ofruan ndihmë.” Bashkërisht, ata panë në regjistër emrat e anëtarëve më pak aktivë dhe filluan të dilnin së bashku, dhe t’i ftonin ata të ktheheshin në kishë. Ata patën edhe një pagëzim për shkak të përpjekjeve të tyre.

Klasa e Shkollës të së Dielës në Meksikë

Motra Maldonado krijoji një faqe në median shoqërore vetëm për pjesëtarët e klasës së saj që e quajti: “Unë Jam një Fëmijë i Perëndisë”, dhe ajo poston mendime të frymëzuara dhe shkrime të shenjta disa herë në javë. Ajo u shkruan rregullisht mesazhe në celular studentëve të saj me detyra dhe [fjalë] kurajëdhënëse. Ajo ndien se është e rëndësishme t’ua komunikojë në mënyrat që u përshtaten më mirë atyre, dhe kjo po funksionon. Ajo ma tha thjesht: “I dua studentët e mi”. Unë mund ta ndieja atë dashuri teksa ajo më tregoi për përpjekjet e tyre dhe shembulli i saj më solli ndërmend se çfarë mund të përmbushë në këtë punë me ndihmën e Zotit, një person me besim dhe veprues.

Rinia jonë po ekspozohet ndaj pyetjeve të vështira të jetës së përditshme dhe shumë prej nesh kanë njerëz të dashur që po mundohen për të gjetur përgjigje. Lajmi i mirë është se ka përgjigje për pyetjet që shtrohen. Dëgjojini mesazhet e fundit nga udhëheqësit tanë. Ne po nxitemi ta studiojmë dhe ta kuptojmë planin e lumturisë të Atit tonë Qiellor. Neve na i kanë sjellë ndërmend parimet në proklamatën e familjes.12 Ne nxitemi të japim mësim dhe t’i përdorim këto burime si një mjet matës, për të na mbajtur në shtegun e ngushtë dhe të ngushtuar.

Rreth një vit më parë, unë vizitova një nënë me fëmijë në moshë të re, e cila vendosi të ndërmerrte një qasje tepër aktive për t’i mbrojtur fëmijët e saj prej shumë ndikimeve negative ndaj të cilave po ekspozoheshin në internet dhe në shkollë. Ajo zgjedh një temë çdo javë, shpesh herë një temë që ka krijuar shumë diskutime në internet, dhe ajo nis diskutime domethënëse gjatë javës, kur fëmijët e saj mund të bëjnë pyetje dhe ajo mund të sigurohet se ata po marrin një këndvështrim të ekuilibruar dhe të drejtë mbi çështje shpesh të vështira. Ajo po e bën shtëpinë e saj një vend të sigurt për të shtruar pyetje dhe për të pasur udhëzime kuptimplote mbi ungjillin.

Unë merakosem se ne jetojmë në një atmosferë të tillë të shmangies së fyerjeve, saqë ne ndonjëherë e shmangim tërësisht dhënien mësim të parimeve të sakta. Ne dështojmë t’u mësojmë të rejave tona se përgatitja për të qenë një nënë është me rëndësi shumë të madhe, ngaqë nuk duam t’i fyejmë ato që nuk janë të martuara, ose ato që nuk mund të kenë fëmijë apo që t’i shohin si zgjidhje të ardhshme kufizuese. Nga ana tjetër, ne gjithashtu mund të dështojmë për ta theksuar rëndësinë e edukimit, ngaqë nuk duam të përcjellim mesazhin se edukimi është më i rëndësishëm se martesa. Ne e shmangim shpalljen se Ati ynë Qiellor e përcakton martesën që të jetë midis një burri dhe një gruaje, ngaqë nuk duam të fyejmë ata që përjetojnë tërheqjen mes së njëjtës gjini. Dhe mund të na duket e sikletshme për të diskutuar çështjet e gjinisë ose të seksualitetit të shëndetshëm.

Sigurisht, motra, ne duhet ta përdorim ndjeshmërinë, por le ta përdorim po ashtu edhe mendimin praktik dhe kuptueshmërinë tonë për planin e shpëtimit për të qenë të guximshme dhe të drejtpërdrejta kur vjen puna tek të mësuarit e fëmijëve dhe të rinjve tanë për parimet thelbësore të ungjillit, të cilat duhet t’i kuptojnë për të ecur në botën në të cilën jetojnë. Nëse nuk u mësojmë fëmijëve dhe të rinjve tanë doktrinën e vërtetë – dhe t’ua mësojmë atë qartë – bota do t’u mësojë atyre gënjeshtrat e Satanit.

Unë e dua ungjillin e Jezu Krishtit dhe jam përjetësisht mirënjohëse për drejtimin, fuqinë dhe ndihmesën e përditshme që marr si një bijë e Perëndisë në besëlidhje. Unë dëshmoj se Zoti na ka bekuar, si gra që jetojmë në këto kohë të vështira, me të gjithë fuqinë, dhuratat dhe forcën që nevojitet me qëllim që të ndihmojmë për ta përgatitur botën për Ardhjen e Dytë të Zotit Jezu Krisht. Unë lutem që ne të gjitha të mund ta shohim potencialin tonë të vërtetë dhe të rritemi për t’u bërë gra me besim dhe kurajë siç Ati ynë në Qiell do që ne të jemi. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.