Një Dëshmitar i Perëndisë
Sugjeroj që ju të hiqni dorë prej të ndierit fajtorë rreth ndonjë pamjaftueshmërie që mendoni se e keni në shpërndarjen e ungjillit. Në vend të kësaj, lutuni që “të qëndroni si [një dëshmitar i] Perëndisë”. Kjo është një nxitje shumë më e fortë sesa faji.
Shumë prej veprës së rëndësishme të Perëndisë është e padallueshme nga sytë e botës. Shekulli i gjashtë para Krishtit solli mendimtarë mjaft të respektuar, të tillë si Konfuci në Kinë dhe Buda në Indinë Lindore, por fuqia e priftërisë së Perëndisë ishte mbi Danielin, profetin që po jetonte në robëri gjatë mbretërimit të mbretit babilonas, Nebukadnetsarit.
I shqetësuar nga një ëndërr natën, mbreti Nebukadnetsar kërkoi që magjistarët dhe astrologët t’ia tregonin si atë që kishte ëndërruar, ashtu dhe interpretimin e ëndrrës. Sigurisht, ata nuk mund t’ia tregonin mbretit atë që kishte ëndërruar, dhe kundërshtuan. “Nuk ka njeri mbi tokë që mund ta [bëjë këtë, as ndonjë mbret që do ta kërkonte] një gjë të tillë.”1 Mbreti Nebukadnetsar u tërbua nga dështimi i tyre dhe me zemërim shpalli se të gjithë këshilltarët e tij do të vriteshin.
Danieli, njëri nga njerëzit e ditur të mbretit, u lut për “mëshirë[n e] Perëndisë … lidhur me këtë sekret”2.
Një mrekulli ndodhi. Sekreti i asaj që kishte ëndërruar mbreti, iu zbulua Danielit.
Danielin e çuan para mbretit. “A je i zoti të më bësh të njohur ëndrrën që pashë dhe interpretimin e saj?”
Danieli u përgjigj:
“Njerëzit e urtë, as … astrologët, as … magjistarët [nuk mund të të tregojnë atë që ke ëndërruar]. …
Por ka një Perëndi në qiell që [mund t’i zbulojë këto gjëra dhe Ai] i ka bërë të njohur mbretit Nebukadnetsar atë që do të ndodhë ditët e fundit. …
Perëndia i qiellit”, tha Danieli, “do të nxjerrë një mbretëri, [një gur të shkëputur jo nga dora e njeriut, që do të bëhet një mal i madh e do të mbushë tërë tokën, për të mos u] shkatërr[uar] kurrë … [por për të] ekzist[uar] përjetë.
… Ëndrra”, tha Danieli, “është e vërtetë dhe interpretimi … i sigurt.”3
Me ëndrrën e tij të shpjeguar dhe të interpretuar, mbreti foli me guxim: “Perëndia juaj është Perëndia i perëndive, Zoti i mbretërve”4.
Nga ndërhyrja e mrekullueshme e Perëndisë, Danielit i erdhi e ardhmja e profetizuar e ungjillit të Jezu Krishtit që po i rivendosej tokës, një mbretëri që do të mbushte tërë tokën, “[për të mos u] shkatërr[uar] kurrë … [por për të] ekzist[uar] përjetë”.
Numri i anëtarëve të Kishës në ditët e mëvonshme do të jetë relativisht i paktë, siç profetizoi Nefi, por ata do të jenë mbi tërë faqen e tokës dhe fuqia dhe ordinancat e priftërisë do të jenë në dispozicion për të gjithë ata që i dëshirojnë ato, duke mbushur tokën siç paratregoi Danieli.5
Në vitin 1831 Profeti Jozef Smith mori këtë zbulesë: “Çelësat e mbretërisë së Perëndisë [dhe të mbledhjes së Izraelit nga të katër anët e tokës] i jepen njeriut në tokë dhe që atje do të përhapet ungjilli deri në fundet e dheut, ashtu si guri që shkëputet pa duar nga mali, do të përhapet derisa të ketë mbushur tërë tokën”6.
Një Përgjegjësi që Kemi Ne
Mbledhja e Izraelit është një mrekulli. Është si një figurë formuese e stërmadhe pjesëzat përbërëse të së cilës do të vendosen në vendin e tyre përpara ngjarjeve të lavdishme të Ardhjes së Dytë. Ashtu siç mund të jemi ne të pështjelluar nga një mal me pjesëza të figurës formuese, shenjtorët e hershëm duhet ta kenë parë porosinë e tyre për t’ia çuar ungjillin e rivendosur të gjithë botës, si një detyrë pothuajse të pamundshme. Por ata filluan, një njeri me një pjesëz formuese njëra pas tjetrës, duke gjetur këndet e drejtë, duke vepruar për t’i dhënë formën e duhur kësaj vepre hyjnore. Pak e nga pak, guri i shkëputur jo nga dora e njeriut filloi të përhapet; nga qindra në mijëra, në dhjetëra mijëra dhe tani, miliona shenjtorë besëlidhës të ditëve të mëvonshme anembanë çdo kombi po i bashkojnë pjesët formuese të kësaj vepre të mrekullueshme dhe një çudie.
Secili prej nesh është një pjesëz e figurës formuese dhe secili prej nesh ndihmon për të vënë në vend pjesëzat e tjera thelbësore. Ju jeni të rëndësishëm në këtë kauzë të madhërishme. Pamja përpara nesh është e qartë tani. Ne mund ta shohim se mrekullia po vazhdon dhe dora e Zotit po na udhërrëfen teksa i plotësojmë vendet që kanë mbetur bosh. Atëherë, “Jehovai i Madh [do] të thotë puna u krye”7 dhe Ai do të kthehet në madhështi e lavdi.
Presidenti Tomas S. Monson ka thënë: “Tani është koha që anëtarët dhe misionarët të bashkohen së bashku, të punojnë së bashku … për t’i sjellë shpirtra Atij. … Ai do të na ndihmojë në punët tona nëse ne vërtet do të veprojmë me besim për ta përmbushur punën e Tij.”8
Përgjegjësia e caktuar në mënyrë hyjnore, e cila dikur qëndronte mbi supet e misionarëve kohëplotë, tani qëndron mbi ne të gjithë. Ne të gjithë dëshirojmë ta shpërndajmë ungjillin e rivendosur dhe fatmirësisht mijëra njerëz po pagëzohen çdo javë. Por edhe me këtë bekim të mrekullueshëm, shqetësimi ynë për vëllezërit e motrat tona dhe dëshira jonë për ta kënaqur Perëndinë sjellin një ngutje detyruese për ta shpërndarë e forcuar mbretërinë e Perëndisë anembanë botës.
Kufijtë e Fajit
Edhe me një dëshirë të fortë për ta shpërndarë ungjillin, ju mund të mos jeni aq të gëzuar nga suksesi i përpjekjeve tuaja të mëparshme. Ju mund të ndiheni sikurse më tha një mik: “Kam folur me familjen tonë dhe miqtë tanë rreth Kishës, por pak veta kanë shprehur ndonjë interes dhe, me secilin mospranim, jam bërë më ngurrues. E di se duhet të bëj më shumë, por kam ngelur në vend dhe gjithçka që ndiej, është një faj i pamasë.”
Le të shohim nëse mund të ndihmoj.
Faji luan një rol të rëndësishëm pasi na ndërgjegjëson kundrejt ndryshimeve që nevojitet të bëjmë, por ka kufij se deri ku do të na ndihmojë faji.
Faji është si një bateri në një makinë që vihet në lëvizje nga benzina. Mund ta ndezë makinën, ta vërë në lëvizje motorin dhe t’u japë energji dritave, por nuk do ta sigurojë benzinën për udhëtimin e gjatë përpara nesh. E vetme, bateria nuk është e mjaftueshme. Dhe po ashtu nuk është as faji.
Sugjeroj që ju të hiqni dorë prej të ndierit fajtorë rreth ndonjë pamjaftueshmërie që mendoni se e keni në shpërndarjen e ungjillit. Në vend të kësaj, lutuni sikurse dha mësim Alma, që “të qëndroni si [një] dëshmitar [i] Perëndisë në të gjitha kohërat dhe në të gjitha gjërat dhe në të gjitha vendet … që [të tjerët] të mund të shëlb[ohen] nga Perëndia dhe të numërohen me ata të ringjalljes së parë, [dhe] të ken[ë] jetën e përjetshme”9. Kjo është një nxitje shumë më e fortë sesa faji.
Të jemi një dëshmitar i Perëndisë në të gjitha kohërat dhe në të gjitha vendet pasqyron si mënyrën se si jetojmë ashtu edhe mënyrën se si flasim.
Jini të çiltër rreth besimit tuaj në Krishtin. Kur rasti paraqitet, flisni për jetën e Tij, mësimet e dhëna prej Tij dhe dhuratën e Tij të pakrahasueshme për gjithë njerëzimin. Tregoni për të vërtetat e Tij të fuqishme nga Libri i Mormonit. Ai na ka dhënë këtë premtim: “Kushdo që do të më rrëfenjë përpara njerëzve, [atë] unë do ta rrëfejë përpara Atit tim që është në qiej”10. Unë premtoj se, teksa luteni shpesh dhe sinqerisht për mundësi që të “qëndroni si një dëshmitar”, ato mundësi do të vijnë dhe ata që kërkojnë më shumë dritë e dituri, do të vendosen përpara jush. Teksa iu përgjigjeni nxitjeve shpirtërore, Fryma e Shenjtë do t’i përçojë fjalët tuaja në zemrën e tjetrit dhe një ditë Shpëtimtari do t’ju rrëfejë përpara Atit të Tij.
Një Përpjekje e Përbashkët
Puna shpirtërore për ta ndihmuar dikë që të hyjë në mbretërinë e Perëndisë është një përpjekje në grup. Përfshijini misionarët sa më shpejt që të mundeni dhe lutuni për ndihmë qiellore. Por mbani mend, koha e kthimit të dikujt në besim nuk është tërësisht në dorën tuaj.11
Kamla Persandi ishte nga ishulli Mauricius dhe po frekuentonte shkollën mjekësore në Bordo të Francës, kur ne u takuam me të në shkurt të vitit 1991. Ishim lutur si familje që të ishim në gjendje ta ndanim ungjillin me dikë që po e kërkonte të vërtetën, dhe i dhamë asaj mësim në shtëpinë tonë. Pata privilegjin që të kryeja pagëzimin e saj, por ne nuk ishim ndikimet më domethënëse që Kamla të bashkohej me Kishën. Miq, misionarë dhe madje anëtarë të familjes kishin qenë “dëshmitarë të Perëndisë” në mëmëdheun e saj dhe, një ditë në Francë, kur ishte koha e duhur për Kamlën, ajo mori vendimin që të pagëzohej. Tani, 25 vjet më vonë, bekimet e atij vendimi e rrethojnë ngado dhe biri i saj është një misionar në Madagaskar.
Ju lutem, mos i shihni përpjekjet tuaja për ta ndarë dashurinë e Shpëtimtarit me dikë tjetër si një provim që e kaloni ose jo, dhe me notën tuaj që përcaktohet nga sa pozitivisht iu përgjigjen miqtë tuaj ndjenjave tuaja ose ftesës suaj për t’u takuar me misionarët.12 Me sytë tanë njerëzorë, ne nuk mund ta gjykojmë efektin e përpjekjeve tona, as nuk mund të vendosim afate kohore. Kur e ndani dashurinë e Shpëtimtarit me dikë tjetër, nota juaj është gjithmonë 10+.
Disa qeveri e kanë kufizuar punën e misionarëve, duke i bërë anëtarët tanë fisnikë të tregojnë kurajë edhe më të madhe që të jenë “dëshmitarë të Perëndisë në të gjitha kohërat dhe në të gjitha vendet”.
Nadezhda nga Moska shpesh u jep të tjerëve një kopje të Librit të Mormonit në një kuti dhurate me shumë karamele të paketuara përreth tij. “U them atyre”, tha ajo, “se ai është dhurata më e ëmbël që mund t’iu jap.”
Pak kohë pasi u pagëzua në Ukrainë, Svetlana pati mbresën që ta ndante ungjillin me një burrë që e shihte shpesh në autobus. Kur burri zbriti te stacioni i tij, ajo e pyeti: “A do të dish më shumë rreth Perëndisë?” Burri tha: “Po”. Misionarët i dhanë mësim Viktorit dhe ai u pagëzua. Ai dhe Svetlana më vonë u vulosën në Tempullin e Frajbergut në Gjermani.
Kini kujdes; bekimet tuaja mund të vijnë në mënyra të papritura.
Shtatë vjet më parë, Kathi dhe unë u takuam me Diego Gomezin dhe familjen e tij të mrekullueshme në Solt-Lejk-Siti. Ata morën pjesë me ne në një shtëpi të hapur të një tempulli, por në mënyrë të hirshme e refuzuan ftesën tonë për të mësuar më shumë rreth Kishës. Këtë majin që shkoi, pata një telefonatë befasuese nga Diegoja. Ngjarje në jetën e vet e kishin bërë të binte në gjunjë për t’u lutur. Ai i kishte gjetur misionarët vetë, i kishte marrë diskutimet dhe ishte gati për pagëzim. 11 qershorin e kaluar, unë u futa në ujërat e pagëzimit me mikun tim dhe bashkëdishepullin Diego Gomez. Kthimi i tij në besim kishte afatin e vet kohor dhe erdhi me ndihmën dhe mbështetjen e shumë njerëzve që iu afruan atij si “dëshmitarë të Perëndisë”.
Një Ftesë për Rininë
Rinisë sonë të mrekullueshme dhe të rinjve e të rejave tona në moshë madhore anembanë botës, unë iu drejtoj një ftesë e sfidë të veçantë që të jenë “dëshmitarë të Perëndisë”. Njerëzit që ju rrethojnë, janë mirëpritës ndaj çështjeve shpirtërore. A ju kujtohet figura formuese? Ju nuk e filloni punën me duar bosh, por me teknologjinë dhe median shoqërore në dispozicionin tuaj. Ne kemi nevojë për ju; Zoti ka nevojë për ju që të jeni edhe më të përfshirë në këtë kauzë të madhërishme.
Shpëtimtari tha: “Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë”13.
Nuk është e rastësishme që ju jetoni në Afrikë, Azi, Europë, Amerikën Veriore, Qendrore ose Jugore, në Paqësorin apo vende të tjera në botën e Perëndisë, sepse ungjilli duhet të shkojë te “çdo komb, fis, gjuh[ë] dhe popull”14.
“Perëndia i qiellit [ka] nxjerrë një mbretëri, [një gur të shkëputur jo nga dora e njeriut, që është bërë një mal i madh dhe po e mbush tërë tokën, për të mos u] shkatërr[uar] kurrë … [por për të] ekzist[uar] përjetë.
… Ëndrra është e vërtetë dhe interpretimi … i sigurt.”15
E mbyll me fjalët nga Doktrina e Besëlidhjet: “Lutjuni Zotit, që mbretëria e tij të mund të përhapet mbi tokë, që banorët e saj të mund ta pranojnë atë dhe të përgatiten për ditët që do të vijnë, në të cilat Biri i Njeriut do të zbresë [nga] qiell[i], i veshur me shkëlqimin e lavdisë së tij, për të takuar mbretërinë e Perëndisë … mbi tokë”16. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.