2016
Profetët dhe Apostujt Japin Shërbesë
Nëntor  2016


Profetët dhe Apostujt Japin Shërbesë

Profetët dhe apostujt vazhdojnë të japin shërbesë në të gjithë botën (shih DeB 107:23). Ja tek është një përmbledhje e shkurtër e disa prej veprimtarive të tyre që nga konferenca e përgjithshme e fundit:

Presidenti Diter F. Uhtdorf, Këshilltar i Dytë në Presidencën e Parë, gjatë një vizite në maj 2016, u dha shpresë anëtarëve në qytetet që kohët e fundit ranë pre e sulmeve terroriste në Angli, Francë dhe Belgjikë. Ai vizitoi refugjatët, shkoi në vendndodhjen e Tempullit të Parisit në Francë (që tani po i afrohet përfundimit) dhe mori pjesë në krijimin e kunjit të parë në Republikën Çeke. Në korrik ai udhëtoi për në Itali, ku paraqiti një çek prej 3 milionë dollarësh nga fondet e Kishës për të ndihmuar në lehtësimin e gjendjes së refugjatëve dhe vizitoi kampet e refugjatëve në Greqi. Në shtator ai vizitoi anëtarë në Rumani, Moldavi, Sllovaki, Norvegji dhe Gjermani, ku ai ripërkushtoi Tempullin e Frajbergut në Gjermani. Ai tha se ungjilli u sjell shpresë njerëzve kudo qofshin dhe se midis anëtarëve “ka një ndjenjë të vërtetë të të qenit vëllezër e motra në Kishë”.

Plaku M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, në qershor kryesoi në konferencën e Kunjit të Moskës në Rusi, ndërkohë që kunjet e tjera u mblodhën në Saratov dhe Shën Petersburg në Rusi. Ai u takua edhe me anëtarët në Letoni, Estoni dhe Ukrainë.

Angli, në qershor, Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, u tha anëtarëve të parlamentit britanik se liria fetare u lejon të gjitha kishave që të bëjnë mirë rreth e qark botës. “Ne duam që bekimet e lirisë fetare të pretendohen nga të gjithë banorët e këtij planeti dhe jemi shumë larg asaj në këtë çast”, tha ai.

Në një konferencë mbi përndjekjen fetare dhe migrimin e detyruar të zhvilluar në kështjellën Uindsor në Angli, në shtator, Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha se ka shumë gjëra për t’u mësuar nga përvoja e pionierëve të hershëm shdm që mund t’i ndihmojnë refugjatët e kohëve tona të ngrihen mbi rrethanat e tyre. “Kurdoherë që të jetë e mundur, ne duhet t’i ndihmojmë dhe t’i nxitim identitetet e pashoqe të refugjatëve e të nxjerrim në pah histori nga e kaluara e tyre”, tha ai.

Spanjë, përfshirë Ishujt Kanarie dhe në Portugali, Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, i ftoi anëtarët, misionarët dhe udhëheqësit t’i nxitin ata që janë më pak aktivë, që të kthehen në pjesëmarrje të plotë në Kishë.

Duke qenë se Vietnami i dha Kishës njohje të plotë dhe zyrtare në qershor, Plaku Kuentin L. Kuk dhe Plaku Geri E. Stivenson, të dy të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, u takuan me zyrtarë të qeverisë dhe diskutuan mbi historinë dhe zhvillimin e Kishës. Ata diskutuan edhe mbi mënyrën se si Kisha ndihmon me projekte shoqërore e bamirëse dhe se si u vjen në ndihmë të varfërve e më pak të favorizuarve. Ata kryesuan dhe në mbledhjet në Guam, Mikronezi dhe Japoni.

Po në qershor, Brisbejni i Australisë dhe Ishujt Kuk u bekuan nga vizita e Plakut Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Plaku Andersen vizitoi edhe ishullin e Rarotongës dhe u bë Apostulli i parë që vuri këmbë në ishullin e Mangajës.

Kolumbi, Peru dhe Ekuador Plaku Ronald A. Rasband, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, i bëri ndryshime programit të tij në qershor për të vizituar ata që ishin ende duke e marrë veten nga një tërmet i madh. Ai ndau një mesazh dashurie nga Presidenti Tomas S. Monson dhe i siguroi anëtarët e dëmtuar nga tërmeti, se ata nuk ishin lënë në harresë.

Guatemalë, në gusht, Plaku Kuentin L. Kuk vuri re një rritje të qëndrueshme të kërkimeve për historinë familjare dhe të punës në tempull dhe tha se kjo gjë është tregues i besimit të anëtarëve.

Kur mbreti dhe mbretëresha e Tongës u mirëpritën në Qendrën Kulturore Polineziane të Kishës në Havai, të SHBA-së, në qershor, Plaku Dejll G. Renland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, bëri komente hyrëse rreth rëndësisë së lidhjeve familjare.

Luizianë të SHBA-së, Presidenti Rasëll M. Nelson, President i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe Plaku M. Rasëll Ballard vizituan viktimat e përmbytjes ndërkohë që vullnetarë nga Duart Ndihmëtare Mormone ndihmuan të pastroheshin shtëpitë e dëmtuara gjatë gushtit dhe shtatorit. Plaku Ballard vërejti se kishin ardhur mbi 11.000 vullnetarë nga 13 shtete.

Dhe në shtator, gjatë një takimi shpirtëror mbarëbotëror për të rinjtë në moshë madhore që zuri fill në Uashington, D.K. të SHBA-së, Plaku Kuk tha: “Nuk duhet të kemi frikë edhe në një botë të rrezikshme e të trazuar”. Ai i këshilloi të rinjtë në moshë madhore që të vendosin synime të drejta dhe të kenë një plan për t’i arritur ato, dhe të mos i nënvlerësojnë vetë talentet dhe aftësitë e tyre. Ai i nxiti edhe që ta peshojnë përdorimin e medias shoqërore nga ana e tyre. “Ne dëgjojmë shumë rreth të qenit të vërtetë në median shoqërore”, tha ai, por “të qenit sinqerisht si Krishti është një synim akoma më i rëndësishëm sesa të qenit autentikë.”

Mbi shërbesën e këtyre udhëheqësve të Kishës mund të gjendet informacion i përditësuar në faqet e tyre përkatëse në Facebook dhe në prophets.lds.org.