2016
Unë do ta Sjell Dritën e Ungjillit në Shtëpinë Time
Nëntor  2016


Unë do ta Sjell Dritën e Ungjillit në Shtëpinë Time

Ne mund ta sjellim dritën e ungjillit në shtëpitë, shkollat dhe vendet tona të punës, në qoftë se kërkojmë e tregojmë gjëra pozitive rreth të tjerëve.

Në përgjigje të ftesës së Motrës Linda K. Barton në konferencën e përgjithshme të prillit1, shumë prej jush jeni përfshirë në veprime dashamirëse dhe bujare të dashurisë hyjnore, që përqendrohen në përmbushjen e nevojave të refugjatëve në zonën tuaj vendore. Nga përpjekje të thjeshta për të ndihmuar individin deri në programe që përfshijnë gjithë komunitetin, ato veprime janë rrjedhojë e dashurisë. Ndërkohë që keni dhënë kohën, talentet e burimet tuaja, zemrat tuaja – dhe zemrat e refugjatëve – janë lehtësuar. Zhvillimi i shpresës e i besimit dhe madje i dashurisë më të madhe midis marrësit e dhënësit janë rrjedhoja të pashmangshme të dashurisë së vërtetë hyjnore.

Profeti Moroni na thotë që dashuria hyjnore është një tipar thelbësor i njerëzve që do të jetojnë me Atin Qiellor në mbretërinë çelestiale. Ai shkruan: “Në qoftë se nuk keni dashuri hyjnore, ju nuk mund të shpëtoheni në asnjë mënyrë në mbretërinë e Perëndisë”2.

Sigurisht, Jezu Krishti është mishërimi i përsosur i dashurisë hyjnore. Zotimi i Tij para lindjes për të qenë Shpëtimtari ynë, ndërveprimet e Tij gjatë gjithë jetës së Tij në vdekshmëri, dhurata e Tij hyjnore e Shlyerjes dhe përpjekjet e Tij të vazhdueshme për të na kthyer tek Ati ynë Qiellor janë shprehjet më të madhërishme të dashurisë hyjnore. Ai vepron i përqendruar vetëm në një gjë: dashuri për Atin e Tij e shprehur nëpërmjet dashurisë së Tij për secilin prej nesh. Kur e pyetën rreth urdhërimit më të madh, Jezusi u përgjigj:

“‘Duaje Zotin, Perëndinë tënde me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe më gjithë mendjen tënde’.

Ky është urdhërimi i parë dhe i madhi.

Dhe i dyti, i ngjashëm me këtë, është: ‘Duaje të afërmin tënd porsi vetveten’.”3

Njëra nga mënyrat më domethënëse se si mund të zhvillojmë e shfaqim dashuri për të afërmin tonë, është nëpërmjet të qenit zemërgjerë në mendimet dhe fjalët tona. Disa vite më parë, një mikeshë e dashur vërejti: “Forma më e madhërishme e dashurisë hyjnore mund të jetë që të përmbahemi në gjykimin e të tjerëve”4. Kjo është ende e vërtetë sot.

Kohët e fundit, teksa Alisa trevjeçare shihte një film me motrat dhe vëllezërit e saj, ajo vërejti me një shprehje të hutuar: “Mami, ajo pula është e çuditshme!”

Nëna e saj pa nga ekrani dhe u përgjigj me një buzëqeshje: “Zemër, ai është një pallua”.

Si ajo trevjeçare që nuk dinte, ne nganjëherë i shohim të tjerët me një kuptueshmëri të paplotë ose të pasaktë. Ne mund të përqendrohemi te ndryshimet dhe të metat e menduara për njerëzit përreth nesh, ndërkohë që Ati ynë Qiellor i sheh fëmijët e Tij, të krijuar sipas shëmbëlltyrës së Tij të përjetshme, me potencial të madhërishëm e të lavdishëm.

Presidenti Xhejms E. Faust mbahet mend të ketë thënë: “Sa më shumë që plakem, aq më pak paragjykues bëhem”5. Kjo më sjell ndërmend vrojtimin e bërë nga Apostulli Pal:

“Kur isha fëmijë, flisja si fëmijë, mendoja si fëmijë, arsyetoja si fëmijë; kur u bëra [më i moshuar], i flaka gjërat fëminore.

Tani në fakt, ne shohim si në pasqyrë, në mënyrë të errët, por atëherë do të shohim faqe për faqe; tashti njoh pjesërisht, kurse atëherë do të njoh thellë ashtu sikurse njihem.”6

Kur i kuptojmë vetë papërsosuritë tona më qartë, ne priremi më pak që t’i vështrojmë të tjerët si “në pasqyrë, në mënyrë të errët”. Ne dëshirojmë ta përdorim dritën e ungjillit për t’i parë të tjerët ashtu siç i sheh Shpëtimtari – me dhembshuri, shpresë e dashuri hyjnore. Dita do të vijë kur ne do të kemi një kuptueshmëri të plotë për zemrën e njerëzve të tjerë dhe do të jemi mirënjohëse që të kemi mëshirë të shtrirë drejt nesh – po ashtu sikurse ne ua shtrijmë mendimet e fjalët dashamirëse të tjerëve gjatë kësaj jete.

Disa vite më parë udhëtova me kanoe me një grup të rejash. Liqenet thellësisht blu, të rrethuar nga kodrat me pyje të dendura e të gjelbra dhe shkrepat shkëmborë kishin një bukuri marramendëse. Uji shkëlqente mbi lopatat tona teksa i zhytnim ato në ujin e kthjellët dhe dielli shkëlqente ngrohtë ndërkohë që lëviznim butësisht përmes liqenit.

Megjithatë, shpejt retë e errësuan qiellin dhe një erë e fortë filloi të frynte. Që të bënim ndonjë lloj përparimi, na duhej t’i zhytnim lopatat thellë në ujë, duke vozitur pa u ndalur midis lëvizjeve. Pas disa orësh rraskapitëse të punës që të këpuste kurrizin, më së fundi i erdhëm rrotull një pjese toke që hynte në liqenin e madh, dhe zbuluam për habinë dhe gëzimin tonë se era po frynte në drejtimin ku ne dëshironim të shkonim.

Me të shpejtë përfituam prej kësaj dhurate. Nxorëm një pëlhurë të vogël dhe i lidhëm dy prej cepave të saj te bishtat e lopatave dhe dy cepat e tjerë te këmbët e bashkëshortit tim, të cilat ai i zgjati jashtë mbi anët e kanoes. Era e shtyu velën e sajuar dhe ne lundruam me shpejtësi!

Kur të rejat në kanoet e tjera e panë se si po lëviznim përgjatë ujit me lehtësi, ato me të shpejtë sajuan vela për veten e tyre. Zemrat tona u mbushën me të qeshura e lehtësim, mirënjohëse për çlodhjen nga sfidat e ditës.

Sa i ngjashëm me atë erë të mrekullueshme mund të jetë një përgëzim i çiltër i një shoqeje, përshëndetja plot gaz e një prindi, gjesti i miratimit nga një vëlla apo motër, ose buzëqeshja ndihmuese e një bashkëpunëtori apo një shoku ose shoqeje të klasës, që na sigurojnë të gjitha “erë të freskët në velat tona” teksa ndeshemi me sfidat e jetës! Presidenti Tomas S. Monson e tha kështu: “Ne nuk mund ta drejtojmë erën, por mund t’i rregullojmë velat. Për lumturinë, paqen dhe kënaqësinë më të madhe, zgjedhshim një sjellje pozitive.”7

Fjalët kanë fuqi habitëse, si për të lartësuar edhe për të shkatërruar. Ne të gjitha ndoshta mund të sjellim ndërmend fjalë negative që na shkurajuan, dhe fjalë të tjera të thëna me dashuri që na i bënë shpirtrat të fluturojnë. Zgjedhja që të themi vetëm atë që është pozitive rreth të tjerëve – dhe këtë ballë për ballë – i lartëson dhe i forcon njerëzit përreth nesh dhe i ndihmon të tjerët që të ndjekin mënyrën e Shpëtimtarit.

Qëndisje me kryq: “Unë do ta Sjell Dritën e Ungjillit në Shtëpinë Time”

Kur isha vajzë e vogël në Fillore, unë punova me zell që të bëja në një qëndisje me kryq një thënie të thjeshtë që thoshte: “Unë do ta sjell dritën e ungjillit në shtëpinë time”. Një pasdite gjatë javës, ndërsa ne vajzat i futnim e i nxirrnim gjilpërat nga pëlhura, mësuesja jonë na tregoi historinë e një vajze që jetonte në një kodër në njërën anë të luginës. Çdo pasdite vonë ajo vinte re në kodrën në anën tjetër të luginës një shtëpi që kishte dritare të shndritshme e të arta. Shtëpia e vet ishte e vogël dhe disi e vjetër dhe vajza ëndërronte të jetonte në atë shtëpi të bukur me dritare prej ari.

Një ditë vajzës iu dha leja të shkonte me biçikletë deri në anën tjetër të luginës. Ajo e ngau biçikletën me padurim derisa mbërriti te shtëpia me dritaret e arta, të cilën e kishte admiruar për kaq kohë. Por, kur zbriti nga biçikleta, pa se shtëpia ishte e braktisur dhe e rrënuar, me gjembaçë të gjatë në oborr dhe dritare që ishin pa ngjyrë dhe të ndotura. E trishtuar, vajza e hodhi vështrimin drejt shtëpisë. Për çudi, ajo pa një shtëpi me dritare të shndritshme e të arta në kodrën përtej luginës dhe shpejt e kuptoi se ishte në të vërtetë vetë shtëpia e saj!8

Nganjëherë, si kjo vajzë e vogël, ne shohim atë që të tjerët mund ta kenë apo mund të jenë, dhe ndiejmë se jemi me më pak vlerë po të krahasohemi. Ne përqendrohemi te variantet e Pinterest-it apo Instagram-it për jetën ose përfshihemi në shqetësimin e konkurrimit në shkollën apo vendin tonë të punës. Megjithatë, kur gjejmë një çast për të “numër[uar] bekimet [tona të shumta]”9, ne shohim me këndvështrim më të vërtetë dhe kuptojmë mirësinë e Perëndisë për të gjithë fëmijët e Tij.

Qofshim 8 apo 108 vjeçe, ne mund ta sjellim dritën e ungjillit në vetë mjedisin tonë, qoftë ai në një apartament në një godinë shumëkatëshe në Manhatan, një shtëpi me shtylla në Malajzi apo një tendë me lëkurë kafshësh në Mongoli. Ne mund të vendosim që të kërkojmë të mirën tek të tjerët dhe në rrethanat përreth nesh. Gra të reja dhe jo aq të reja kudo mund të tregojnë dashuri hyjnore, teksa zgjedhin që të përdorin fjalë që ndërtojnë besim te vetja dhe tek të tjerët.

Plaku Xhefri R. Holland tregoi për një të ri që ishte objekti i përqeshjes nga bashkëmoshatarët e tij gjatë viteve të shkollës. Disa vite më vonë ai u largua prej atje, hyri në ushtri, u arsimua dhe u bë aktiv në Kishë. Kjo periudhë e jetës së tij u mbush me përvoja jashtëzakonisht të suksesshme.

Pas disa vitesh u kthye në qytetin e tij të lindjes. Prapëseprapë, njerëzit refuzuan ta pranonin rritjen dhe përmirësimin e tij. Për ta, ai ishte ende po ai që kishte qenë, dhe e trajtuan në atë mënyrë. Përfundimisht, ky burrë i mirë u venit në një hije të ish-vetvetes së tij të suksesshme, pa qenë në gjendje t’i përdorte talentet e tij të zhvilluara në mënyrë të mahnitshme, për t’i bekuar njerëzit që e tallën dhe nuk e pranuan atë sërish.10 Çfarë humbjeje, si për të edhe për komunitetin!

Apostulli Pjetër dha mësim: “Të keni para së gjithash një dashuri të madhe për njeri tjetrin, sepse ‘dashuria do të mbulojë një shumicë mëkatesh’”11. Dashuria e madhe hyjnore, që do të thotë “e përzemërt”, shfaqet nëpërmjet faljes së gabimeve dhe pengimeve të dikujt tjetër, në vend që të ushqejmë mërira apo t’ia kujtojmë vetvetes dhe të tjerëve papërsosuritë e së shkuarës.

Detyrimi dhe privilegji ynë është që të përqafojmë përmirësim te çdo njeri ndërkohë që përpiqemi të bëhemi më shumë si Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti. Çfarë emocioni është të shohim dritë në sytë e dikujt që ka arritur ta kuptojë Shlyerjen e Jezu Krishtit dhe po bën ndryshime të vërteta në jetën e tij apo të saj! Misionarët, të cilët e kanë përjetuar gëzimin që ta shohin një të kthyer në besim të hyjë në ujërat e pagëzimit dhe më pas të hyjë në dyert e tempullit, janë dëshmitarë të bekimit të lejimit – dhe të nxitjes – së të tjerëve për të ndryshuar. Anëtarët që i mirëpresin të kthyerit në besim, të cilët mund të jenë marrë parasysh si kandidatë të pamundshëm për mbretërinë, gjejnë kënaqësi të madhe duke i ndihmuar ata të ndiejnë dashurinë e Zotit. Bukuria e madhërishme e ungjillit të Jezu Krishtit është realiteti i përparimit të përjetshëm – ne jo vetëm që na lejohet të ndryshojmë për më mirë, por gjithashtu nxitemi dhe madje urdhërohemi, që të vazhdojmë në ndjekje të përmirësimit dhe, më së fundi, të përsosjes.

Presidenti Tomas S. Monson këshilloi: “Në qindra mënyra të vogla, ju të gjitha mbani mantelin e dashurisë hyjnore. … Në vend që të jemi gjykues [ose] kritikë për njëri-tjetrin, le të kemi dashurinë e pastër të Krishtit për bashkudhëtarët tanë në këtë udhëtim përmes jetës. Le të njohim se kush prej jush po bën më të mirën e saj [ose të tij] për të përballuar sfidat që i dalin në rrugën [e saj ose të tij], dhe le të përpiqemi të bëjmë më të mirën tonë për të dhënë ndihmë.”12

Dashuria hyjnore, në kuptimin pozitiv, është e duruar, dashamirëse dhe e kënaqur. Dashuria hyjnore i vë të tjerët përpara vetes, është e përulur, ushtron vetëkontroll, kërkon të mirën tek të tjerët dhe gëzohet kur dikush është në gjendje të mirë.13

Si motra (e vëllezër) në Sion, a do të zotohemi të gjithë që “së bashku [të] punojmë; … të bëjm’ atë që ësht’ e mir’ dhe njer’zore, të g’zojm’ dhe bekojm’ në emër të [Shpëtimtarit]”?14 A mundemi, me dashuri e shpresa të mëdha, të kërkojmë e përqafojmë bukuritë te njerëzit e tjerë, duke lejuar e nxitur përparim? A mund të gëzohemi në arritjet e të tjerëve ndërkohë që vazhdojmë të punojmë drejt vetë përmirësimit tonë?

Po, ne mund ta sjellim dritën e ungjillit në shtëpitë, shkollat dhe vendet tona të punës, në qoftë se kërkojmë e tregojmë gjëra pozitive rreth të tjerëve dhe nuk përqendrohemi te papërsosuritë. Me sa mirënjohje më mbushet zemra kur mendoj për pendimin që Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, e ka bërë të mundur për ne të gjithë që, në mënyrë të pashmangshme, kemi mëkatuar në këtë botë të papërkryer dhe nganjëherë të vështirë!

Jap dëshminë time se, teksa ndjekim shembullin e Tij të përsosur, ne mund të marrim dhuratën e dashurisë hyjnore, e cila do të na sjellë gëzim të madh në këtë jetë dhe bekimin e premtuar të jetës së përjetshme me Atin tonë në Qiell. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shih Linda K. Barton, “Isha i Huaj”, Liahona, maj 2016, f. 13–15.

  2. Moroni 10:21.

  3. Mateu 22:37–39.

  4. Sandra Rogers, “Hearts Knit Together”, në Hearts Knit Together: Talks from the 1995 Women’s Conference (1996), f. 7.

  5. James E. Faust, në Dallin H. Oaks, “‘Judge Not’ and Judging”, Ensign, gusht 1999, f. 13.

  6. 1 Korintasve 13:11–12.

  7. Thomas S. Monson, “Living the Abundant Life”, Liahona, janar 2012, f. 4.

  8. Përshtatur nga Laura E. Richards, The Golden Windows: A Book of Fables for Young and Old (1903), f. 1–6.

  9. “Numëro Bekimet”, Himne, nr. 152.

  10. Shih Jeffrey R. Holland, “The Best Is Yet to Be”, Liahona, janar 2010, f. 18–19.

  11. 1 Pjetër 4:8.

  12. Tomas S. Monson, “Dashuria Nuk Ligështohet Kurrë”, Liahona, nëntor 2010, f. 125.

  13. Shih 1 Korintasve 13:4–6.

  14. “Si Motra në Sion”, Himne, nr. 204; theksimi i shtuar.